2017-12-11 15:12:00

5 vjet @Pontifex. Imzot Becciu: ungjillëzohet edhe me tweet


Më 12 dhjetor 2012, Benedikti XVI publikonte tweet-in e parë të tij në faqen papnore @Pontifex, në Twitter. Gjest i vogël, por historik. Për herë të parë, një papë pranonte personalisht sfidën e ungjillëzimit në mediat shoqërore. Ai vendim i guximshëm dhe profetik gjeti mbështetje të plotë edhe nga Papa Françesku, i cili sot numëron më se 40 milion ndjekës në faqen Twitter, në nëntë gjuhë të ndryshme. Para pesë vjetëve, përkrah Benediktit XVI, ndërsa shkruante tweet-in e tij të parë, ndodheshin kryetari i Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore, imzot Claudio Maria Celli dhe, Zëvendësi për Punët e Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, imzot Angelo Becciu. Pikërisht këtij të fundit, i kërkuam një mendim mbi praninë e papëve në rrjetet shoqërore:

         Më kujtohet se ndodheshim te Papa Benedikti: ishte pak i hutuar, ngurronte të shtypte butonat e tabletit. Por, njëkohësisht, pashë se gëzohej: gëzohej se po hynte në dialog me përdoruesit e internetit, po bënte pjesë në valën e re të komunikatorëve modernë, prandaj kam kujtime të bukura. E më duket se rezultatet i japin të drejtë këtij vendimi: 40 milion djekës në Twitter e 5 milion në Instagram. Ku ka mjet më të mirë për të arritur në kaq shumë njerëz e për ta përhapur Fjalën e Zotit!

Papa Françesku ka thënë disa herë se është larg teknologjive të reja, por është i pranishëm në rrjetet shoqërore. Cila është rëndësia që i jep atij, të cilin Benedikti XVI e pati quajtur “kontinenti dixhital”?

         Po, Papa Françesku nuk “luan” me të – më lejoni ta përdor këtë fjalë – nuk ka familjaritet me teknologjitë e reja, por është i interesuar. Dëshiron të shohë, të azhurnohet, të lexojë! Cili është kuptimi i gjithë kësaj? Unë mendoj se Papa e ka vetëdijen se është ungjillëzues, misionari i parë në botë. Prandaj, për të, të gjitha mjetet janë të rëndësishme: mjetet, që mund të përhapin Ungjillin, natyrisht. Sot, këto mjete janë të domosdoshme, nuk mund të bëjmë pa to. Shoh se i lexon tweet-et, që duhet të publikojë dhe, i miraton me entuziazëm të madh. Papa Françesku ka dhënë edhe disa këshilla se si duhen përdorur këto mjete. Së pari, nuk duhet abuzuar me to: në meshë, lihen mënjanë! Por, njëkohësisht, duhet të kemi guximin dhe urtinë për t’i përdorur si duhet, pa fyer e pa sulmuar kënd. Komunikimi duhet ta ndihmojë shpirtin, kulturën dhe afrimin me të tjerët.







All the contents on this site are copyrighted ©.