2017-12-10 18:00:00

Katolikët i luten Marisë Virgjër, me shumë tituj, nga emri ‘Zoja e Bekuar’.


Katolikët, kur i luten Marisë Virgjër, i drejtohen me shumë tituj, duke nisur nga emri ‘Zoja e Bekuar’. Vijnë, pastaj, emrat ‘Virgjëra Mari’, ‘Zoja e Papërlyer’, ‘Zoja e ngjitur në qiell’, tituj, që lidhen ngushtë me përkufizime dogmatike, ndërsa shumë tituj të tjerë të kujtojnë vende ose ngjarje të ndryshme, që lidhen me devocionin ndaj Nënës së Krishtit, si ‘Zoja Ndihmëtare’, ‘Zoja e Ngushëllimit’, ‘Zoja me Shtatë Hanxharë’, ‘Zoja e Dhimbshme’, e ‘Lurdës’, e ‘Fatimës’, e ‘Loretos’, ‘Zoja e Shkodrës’ apo ‘e Këshillit të Mirë’...

Ndërmjet lutjeve të shumta, që i drejtohen, kryesorja është ‘Të falemi Mari’ apo në gjuhën e popullit, ‘FalemiMëria”, në pjesën e parë të së cilës përsëritet përshëndetja e Engjëllit, në çastin e Lajmërimit; e ajo e Elizabetës, në çastin kur Maria shkon për vizitë tek e kushërira (sipas Ungjillit të Lukës 1,28 e 1,42); pjesa e dytë është lutje me zanafillë më të vonë, lindur në mjediset kishtare.

Magjisteri katolik ka shpallur disa dogma mariane, ndërmjet të cilave: “Zënien pa mëkat" (1854), që e konsideron Marinë pa mëkat të rrjedhshëm që nga zënia. “Të ngjiturit e Zojës në qiell” (1950), dogmë e shpallur nga Papa Piu XII, më 1 nëntor 1950, që na kujton se në fund të jetës tokësore, Virgjëra Mari u ngjit me korp e shpirt në qiell. Çasti i fundmë i jetës së Saj tokësore nuk u quajt ‘vdekje’ por “Përgjumje”, “Dremitje” e Marisë, sepse ajo nisi të jetojë menjëherë, me korpin e ringjallur në Parajsë, pranë Birit të saj Jezus.

Në Jeruzalem janë dy vende, që tradita e i lidh me çastin e fundmë të jetës së Marisë: ‘Kisha e Përgjumjes”, mbi malin Sion, ngritur në vendin ku Maria ra në gjumë, për t’u rizgjuar menjëherë në Parajsë, dhe ‘Kisha e Varrit të Marisë’, në Luginën e Kedrave, ku mendohet se Apostujt e vendosën trupin e Saj, për ta rigjetur, pas pak, varrin të zbrazët. Sipas një tradite tjetër, Maria e ndoqi Shën Gjonin Apostull në Efez e atje jetoi deri në çastin e fundit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.