2017-12-10 15:45:00

Jeruzalem. Françesku: të shmanget spiralja e re e dhunës


“Selia e Shenjtë - lexohet në një komunikatë botuar nga Salla vatikanase e Shtypit - ndjek me vëmendje të madhe zhvillimet e situatës në Lindjen e Mesme, posaçërisht në Jeruzalem, qytet shenjt për të krishterët, hebrenjtë e myslimanët e mbarë botës”. Nësa shpreh  “dhimbjen për ndeshjet që, ditët e fundit, shkaktuan disa viktima - vijon nota - Ati i Shenjtë përsërit  thirrjen për urti e maturi nga ana e të gjitha palëve dhe i larton Zotit lutje të vazhdueshme që drejtuesit e kombeve, në këtë çast posaçërisht të rëndë, të angazhohen për të shmangur rrezikun e një spiraleje të re dhune, duke iu përgjigjur, me fjalë e fakte, dëshirës së zjarrtë për paqe, drejtësi e siguri të  popullsive të kësaj toke të martirizuar”.

“Shqetësimet për perspektivën e paqes në rajon - nënvizohet në Komunikatën e Selisë së Shenjtë - këto ditë janë objekt i një sërë nismash, ndërmjet të cilave, takimet e thirrura me urgjencë nga Lega Arabe dhe nga Organizata për Bashkëpunim Islamik. Selia e Shenjtë - lexohet akoma - “është shumë e ndjeshme përballë këtyre shqetësimeve e, duke kujtuar fjalët e Papës Françesku, pohon qëndrimin e saj të mirënjohur lidhur me karakterin krejtësisht të veçantë të Qytetit Shenjt, si dhe me  domosdoshmërinë  e respektimit të status quo, në përkim  me  vendimet  e bashkësisë ndërkombëtare dhe me kërkesat e përsëritura  të Hierarkive të Kishave dhe të bashkësive të krishtera  të Tokës Shenjte”. Njëkohësisht  - përfundon komunikata “përsërit bindjen e saj se vetëm rrugëzgjidhja e  arritur me rrugën e bisedimeve ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve mund të sjellë paqen e qëndrueshme e t’u garantojë bashkëjetesën paqësore të dy shteteve, brenda kufijve të njohura ndërkombëtarisht”.

Ndërkaq, ndeshjet në Territoret Palestineze, që nisën menjëherë pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Tramp për njohjen  e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, nuk ndalen. Sipas burimeve vendase palestineze, këto ditë, gjatë ndeshjeve të dhunshme me ushtrinë izraelite, gjetën vdekjen  4 vetë, ndërsa 1250 të tjerë u plagosën. Tashmë protesta i ka kaluar kufijtë, duke u shtrirë edhe në Liban. Sot paradite, sipas njoftimit  të agjencisë Ansa, forcat libaneze të sigurimit qëlluan me mjete lotsjellëse, për të shpërndarë turmën, që protestonte përjashta ambasadës amerikane në Beirut.  








All the contents on this site are copyrighted ©.