2017-12-10 16:37:00

Festa e Zojës së Loretos. Maria na mëson se ku është Zoti, aty jemi në shtëpi tonë.


Festa e Zojës së Loretos. Maria na mëson se ku është Zoti, aty jemi në shtëpi tonë. Më 10 dhjetor kalendari Kishtar përkujton të Lumen Mari Virgjër të Loretos, që lidhet ngushtë me Shtëpinë e Shenjtë të Nazaretit. Pra, sipas traditës në Loreto sot (10 dhjetor) kremtohet solemniteti i “Ardhjes”, në përkujtim të arritjes së Shtëpisë së Shenjtë të Nazaretit, më 10 dhjetor 1294 pas një shtegtimi të gjatë nëpër deti nga Palestina e deri në Loreto.

Është fjala për një traditë që mbështetet nga shumë prova, dokumentare e arkeologjike. Çdo vit e përkujtojmë arritjen e gurëve të kësaj shtëpie, që ngjallin në shpirtin e mijëra shtegtarëve, të cilët mblidhen në Loreto (Itali) e në shenjtërore tjera mariane, mallin për një shtëpi të vërtetë, për një familje të vërtetë e të ngrohtë, plot dashuri, për familje e shtëpi në të cilën banon vetë Zoti, i cili ndriçon familjen e dhe i jep kuptim jetës së saj.

Kur shtegton në Loreto, nuk mund të mos prekesh thellë nga historia e nga pamja madhështore e shenjtërores. Zemra e kësaj oaze mariane është një shtëpi, sipas traditës, vetë shtëpia ku jetoi Virgjëra Mari. Pikërisht në këtë shtëpi, ku ndjehet fort fryma e jetës e të gjitha kohëve, që i hapin syrit të njeriut horizonte përtej gurëve të një ndërtese.

Ku banon Zoti, duhet ta pranojmë se jemi të gjithë në shtëpi tonë; ku banon Krishti, vëllezërit e motrat e Tij nuk janë më të huaj. Maria, Nëna e Krishtit, e edhe Nëna jonë, na hap portën e shtëpisë së saj, na prin për të hyrë në vullnetin e Birit të saj. Ja, ky është mësimi më i çmuar, që mund të nxëmë në shenjtëroren e Zojës së Bekuar në Loreto.

Feja na bën të banojmë, të rrimë në këtë shtëpi, por edhe të ecim në udhët e jetës. Por shtëpia e Loretos, na jep edhe një mësim tjetër: kjo shtëpi qe e vendosur në një rrugë. Mesazh i rëndësishëm, ky, sepse nuk është shtëpi private, nuk i përket një njeriu a një familjeje, por është banesë e hapur për të gjithë, në rrugën ku kalojmë të gjithë ne. Atëherë mund të themi se në Loreto të Italisë, gjejmë një shtëpi, që na bën të rrimë, të banojmë, e njëkohësisht, të ecim; na kujton se jemi të gjithë shtegtarë, për udhë drejt një banese tjetër, drejt shtëpisë së fundme, drejt Qytetit të amshuar, banesës së Hyjit me njerëzimin e shpërblyer. 

Por nuk duhet harruar kurrë se për ta hapur portën e kësaj shtëpie, për t’i hapur portat e Zotit, duhet t’i themi ‘po’, lirisht, ashtu si bëri Maria. Zoti, na kujton festa e 10 dhjetorit, kërkon pranimin e lirë të Marisë, për t’u bërë njeri. Sigurisht ‘po’-ja e Marisë Virgjër është fryt i hirit hyjnor. Por hiri nuk e zhduk lirinë, përkundrazi, e krijon dhe e mbështet. Feja nuk i heq asgjë krijesës njerëzore, përkundrazi, i siguron kushtet për realizimin e plotë e përfundimtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.