2017-12-09 16:56:00

Papa: emigrantët kanë nevojë për ligje të mira, por edhe për afërsi


Emigrantët kanë nevojë për ligje të mira, për programe zhvillimi, për organizim, por kanë gjithnjë nevojë edhe, e para së gjithash, për dashuri, miqësi, afërsi njerëzore. Kanë nevojë të dëgjohen, të shikohen në sy, të shoqërohen, kanë nevojë për Zotin. Këtë theksoi Papa Françesku duke pritur sot në audiencë, në Sallën Klementine, Misionaret e Zemrës së Krishtit, me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së themelueses, Shën Francesca Cabrinit. “Pas kaq vitesh - vërejti Françesku - realiteti i emigrantëve, të cilit Shën Francesca Saverio i kushtoi gjithë jetën, ka evoluar e është edhe sot aktual, madje, më shumë se kurrë. Fytyra të reja burrash, grash e fëmijësh, ngarkuar me barrën e rëndë të formave të ndryshme të varfërisë e të dhunës, kalojnë përsëri para syve tanë e kërkojnë të gjejnë, në udhën e tyre, duar të shtrira e zemra mikpritëse, ashtu si ajo e Nënë Cabrinit.

Ju - u tha Papa misionarëve të Zemrës së Krishtit - ju takon përgjegjësia të jeni besnikë të misionit, që jua la amanet Nëna juaj Themeluese, karizma e së cilës sot është jashtëzakonisht aktuale.

Duke e quajtur, më pas, Shenjtoren Cabrini, misionare e vërtetë, Papa kujtoi se e pati kaluar më se 24 herë oqeanin, për t’i ndihmuar emigrantët në Amerikë e se, e palodhur siç ishte, qe shtyrë deri në Andet e në Argjentinë, për të ndërruar, pastaj jetë, krejt papritmas, në Chicago, më 17 dhjetor 1917:

“Zoti e përtëriftë gjithnjë në ju shikimin e vëmendshëm e të mëshirshëm  ndaj të varfërve, që jetojnë në qytetet tona, në viset tona” - shtoi Papa.

Për të kujtuar, më pas, se Nënë Cabrini kishte guximin t’i shikonte në sy fëmijët jetimë, që i besoheshin; të rinjtë e papunë, që tundoheshin të merreshin me format më të ndryshme të kriminalitetit; burrat e gratë e shfrytëzuara në punët më të rëndomta. Prandaj - shtoi - jemi sot këtu, që të falënderojmë Zotin për shenjtërinë e asaj, që shikonte në çdo motër a vëlla, fytyrën e Krishtit e, gjeniale siç ishte, qe e aftë t’i vinte në jetë talentet, me të cilat e kishte pajisur Zoti (krh Mt 25,14-23). Kishte  ndjeshmërinë e spikatur të veprimtarisë apostolike. E nëse pati gjithë atë energji për të kryer, në pak vite, një punë të jashtzakonshme, këtë e arriti vetëm falë bashkimit të saj me Krishtin, sipas modelit të Shën Palit, nga i cili mori moton: “Gjithçka mundem në Atë, që më jep forcë” (Fil 4,13).

Jetë marramendëse, e saja - përfundoi Papa – e ngarkuar me punë: udhëtime me tren, me anije, me barkë, me kalë... duke krijuar, nga asgjëja, vepra, si azile, shkolla, kolegje, spitale, jetimore, laboratore... gjithçka për të përhapur forcën e Ungjillit, që ia kishte zgjeruar zemrën aq, sa t’u përkiste  të gjithëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.