2017-12-09 16:04:00

Françesku: të luftohet korrupsioni, jo idhujtarisë së parasë


“Korrupsioni duhet luftuar me forcë. Është një e keqe e bazuar mbi idhujtarinë e parasë, që i hap plagë dinjitetit njerëzor. Ky tweeti i Papës në faqen e tij të internetit @Pontifex, në Ditën e sotme Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, themeluar nga Kombet e Bashkuara. Temë, të cilën Papa e ka prekur shumë herë që nga fillimi i papnisë. Por edhe më parë, kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajres, Jorge Mario Bergoglio e pati ngritur me forcë zërin kundër çdo shfaqjeje e forme të korrupsionit. Si Papë, është për t’u kujtuar posaçërisht thirrja që pati bërë në mars 2015, në lagjen napoletane Scampia, ku pati përdorur një shprehje origjinale: “Korrupsioni qelbet!”. Menjëherë pas, edhe shprehjen: “Shfrytëzimi i punëtorëve nuk është i krishterë”. Asokohe, duke folur jashtë tekstit zyrtar, Papa pati theksuar me forcë: “Nuk duhet të heshtim! E as të pranojmë punë pa shpërblim”. Ç’do të thotë kjo? Shfrytëzim i njeriut në punë. Kjo ka vetëm një emër: skllavëri! Ky quhet shfrytëzim, nuk është njerëzor, aq më pak i krishterë. E nëse kush e bën këtë e quan veten i krishterë, është gënjeshtar, nuk thotë të vërtetën, nuk është i krishterë. Edhe shfrytëzimi i punës së tjetrit, puna në të zezë, kur ti punon pa kontratë, pa kurrgjë, e unë të paguaj sipas dëshirës, quhet shfrytëzim i njeriut, E ne duhet ta rifillojmë luftën për dinjitetin tonë, luftën për të kërkuar e për të rigjetur mundësinë që të çojmë bukën në shtëpi. Kjo është lufta jonë!

Edhe kur ua mbyllim portën emigrantëve, nëse u heqim punën e dinjitetin njerëzve, si quhet kjo? Quhet korrupsion! E të gjithë ne kemi mundësi të korruptohemi: askush nuk mund të pohojë: unë nuk korruptohem kurrë! Është tundim, shkarje drejt punëve të lehta, drejt  kriminalitetit, krimeve, shfrytëzimit të njerëzve. Eh, sa korrupsion ka në këtë botë! Fjalë e keqe kjo, korrupsion, kalbëzim. Sepse një gjë e kalbur është edhe e ndyrë. Po të gjejmë dikund një kafshë të ngordhur, që kalbet, na vjen për të vjellë. Është e korruptuar domethënë e kalbur, bie erë të keqe, qelbet! Korrupsioni qelbet. Shoqëria e kalbur, qelbet! Një i krishterë, që e lë kalbësirën t’i hyjë në shpirt, nuk është i krishterë. Qelbet edhe ai.  Edhe në 2007-tën, që po shkon drejt ditëve të fundit, Françesku e denoncoi shpesh korrupsionin. Qershorin e kaluar, kur shkroi parathënien e librit-intervistë të kardinalit Turkson “Corrosione”, duke e dënuar ashpër fenomenin, Papa nënvizoi: “Korrupsioni është një nga format e blasfemisë, armë e gjuhës më të zakonshme të mafieve, proces i vdekjes,  që i jep linfë kulturës së vdekjes”. Në gusht, duke iu drejtuar të rinjve brazilianë në një mesazh me rastin e 300-vjetorit të dukjes së Zojës së Aparesidës, i ftoi “të mos kenë frikë të luftojnë kundër korrupsionit”, e sidomos, “të mos ia lejojnë vetes të joshen prej tij”.

Më 21 shtator, duke pritur Komisionin parlamentar italian kundër mafies, Papa  theksoi: “Korrupsioni është sëmundje ngjitëse, me natyrë parazitare, sepse nuk ushqehet me djersën e ballit, por me grabitje. E gjen gjithnjë mënyrën për t’u shfajsuar. I korruptuari e quan veten “njeri i shkathët, i aftë për t’i arritur të gjitha qellimet”.

Një javë më pas, Papa i kërkoi në mënyrë të veçantë botës së politikës, të angazhohet në luftën kundër plagës së korrupsionit. E më 1 tetor, në Cesena, duke iu drejtuar qytetarëve, theksoi: “Korrupsioni është tenja e politikës. Nuk e lë të rritet qytetërimin. E bren! Politikanët duhet të vënë plan të parë të mirën e përbashkët, shërbimin ndaj shoqërisë, jo interesat e tyre personale”.

Temës së korrupsionit Françesku i kushtoi homelinë e mbajtur gjatë Meshës në Shën Martë, më 10 nëntorin e kaluar: “Duhet nuhatje e hollë - kujtoi - për të mos rënë në leqet e korrupsionit. Nëse është diçka, që i krishteri nuk mund t’ia lejojë vetes, është të jetë krejtësisht shpirtfoshnjë”. Flitet për ndotjen e ajrit, që shkaktohet nga ndotja e mjedisit, por edhe për ndotjen e shoqërisë, nga korrupsioni, që ua merr frymën njerëzve.

Papa e dënoi përsëri korrupsionin gjatë shtegtimit të tij në Mianmar e Bangladesh. Posaçërisht, duke iu drejtuar liderëve fetarë në selinë e kryeipeshkvisë së Dakës, u kërkoi besimtarëve të bashkëpunojnë, “për t’iu kundërvënë virusit të korrupsionit”.

Po e përfundojmë këtë refleketim me fjalët kuptimplote të Papës: “Të lutemi për njerëzit e korruptuar, qyqarët! T’i lutemi Zotit ta gjejnë daljen nga ky burg, ku kanë hyrë me këmbët e veta”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.