2017-12-08 16:32:00

Papa tek këmbët e Zojës, në Sheshin e Spanjës


Pasdite, në orën 15.20, Papa u nis nga Shtëpia e Shën Martës e, në orën  15.30 ishte në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, për t’u gjunjëzuar para Zojës “Shpëtimi i Popujve Romakë”, për të cilën ka një devocion aq të thellë, sa t’i lutet ta shoqërojë në çdo ngjarje të madhe të Kishës e të jetës së tij.

Në orën 16.00 ishte në Sheshin romak të Spanjës për të nderuar Marinë, i gjunjëzuar në këmbët e shtatores së Virgjërës, ngritur që më 1857, vendosur mbi një shtyllë 30 metra të lartë, që na kujton dogmën e së Papërlyerës, shpallur nga Piu IX, më 1854.

Shtegtimi tradicional i romakëve në Sheshin e Spanjës, filloi që herët në mëngjes. Në orën 7.30,  zjarrfikësit  i dhuruan Virgjërës Mari kurorën e parë me lule të bardha të festës. Sipas traditës, qenë pikërisht zjarrfikësit e Shtetit Papnor ata që e vendosën shtatoren e Nënës së Papërlyer të Krishtit mbi shtyllën, e cila stolis një nga sheshet më në zë të Qytetit të Amshuar.
Ndërsa lulet e para të bardha te këmbët e kësaj shtatoreje i vuri Papa Piu XII më 1957.

Vijuan, pastaj procesionet e  besimtarëve, të punëtorëve,  të sivëllazërive, studentëve, shoqatave: një përrua njerëzor, me tufa lulesh në duar e lutje drejtuar Zojës së Papërlyer.

Ceremonia zyrtare nisi në orën 16.30.

E sot edhe Françesku vuri përsëri, sipas traditës, tek këmbët e Zojës së Papërlyer një shportë me lule e i drejtoi lutjen e dalë nga zemra, në emër të popullit shenjt të Zotit, të familjeve, të fëmijëve, të rinjve, të pleqve,  të sëmurëve, të  burgosurve, edhe në emër të atyre, që erdhën nga toka të largëta.

Pastaj Papa shkoi në  Bazilikën Sant’Andrea delle Frate, për të përkujtuar mrekullinë e kthimit të Alfonsit të Ratisbonës, i cili, pasi iu duk Zoja e Bekuar, nga armik i Kishës, që ishte, u bë i krishterë. Papa u lut para figures së Zojës së mrekullueshme t’i japë atij e ne të gjithëve, posaçërisht në provë e në tundim, hirin t’i ngulim sytë mbi duart e saj përplot me dhanti, për ne e për shëlbimin tonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.