2017-12-08 14:14:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të festës së Zojës së Papërlyer.


Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Zojës së Bekuar të Papërlyer na kujton se lënia mënjanë e Zotit dhe zgjedhja e pikave të helmit të së keqes, nuk e bën njeriun më joshës, as më interesant, as më të lirë për të udhëhequr e orientuar jetën e vet. Përkundrazi, zgjedhja e së mirës e bën njeriun vërtetë guximtar, sepse e mira është krijuese, e pa fundme, zi Zemra e Virgjërës Mari, e cila guxoi të thoshte atë ‘po’ që e bëri, në Jezusin, Nënë të Hyjit e Nënë të njerëzimit. Pikërisht Koncili Dytë i Vatikanit na paraqet Marinë si Nënë të Krishtit, Nënë të Kishës dhe të mbarë njerëzimit, për shkuar në shkollën e saj të besimit e të shërbimit, të përkushtimit e të dhurimit të vetvetes për Zotin e për të mirën e njerëzimit.

Pra, Virgjëra Mari është aq e ndërthurur në misterin e Kishës, sa ajo e Kisha janë të pandashme, ashtu siç janë të pandashme Ajo e Krishti. Maria pasqyron Kishën. Për Kishë, në të gjitha turbullimet e shqetësimet që e lodhin dhe e bëjnë të vuajë, ajo mbetët gjithnjë ylli i shpëtimit. Maria është qendra e vërtetë e Kishës, mbi të cilën mbështetemi, ndonëse tepër shpesh si anëtarë të saj ia vrugojmë fytyrën. Po në Zojën e Papërlyer mund të zbulojmë e të takojmë esencën e Kishës në mënyrë të padeformuar. Nga ajo duhet të mësojmë të bëhemi vetvetja, ‘shpirtra kishtarë’, siç u shprehën etërit e lashtë kishtar, për të mundur edhe ne, sipas fjalës së Shën Palit, të paraqitemi ‘të papërlyer’ para fytyrës së Zotit, ashtu si na deshi që në zanafillë.

Po njeriu nuk e ka lehtë të jetë ‘shpirt kishtar’. Nuk e ka në vetvete bindjen e nënshtrimin ndaj Fjalës së Zotit që e pat Virgjëra Mari, as fenë e Asaj që qe ‘besimtare e madhe’, e as ndjenjën e Nënës së dhembshur, që e lëshon veten krejtësisht në dorë të Zotit, që di të rrijë mënjanë, kur këtë e kërkon misioni i të Birit Jezus, por edhe të qëndrojë te këmbët e kryqit të të Birit Jezus, kur apostujt ikin. Kjo vështirësi e njeriut lind nga mosbesimi. Njeriu nuk i beson Zotit. Ai ushqen dyshimin se Zoti, në fund të fundit, i heq diçka nga jeta, se Zoti është konkurrent, që e kufizon lirinë tonë e se ne jemi plotësisht njerëz vetëm atëherë kur e mënjanojmë; me një fjalë, se vetëm kështu mund ta realizojmë plotësisht lirinë tonë njerëzore. Njeriu jeton duke dyshuar se dashuria e Zotit e bën të varur e se duhet të çlirohet nga kjo vështirësi, për të qenë plotësisht vetvetja. Në vend që të mbështet mbi dashurinë, mbështetet mbi forcën me të cilën dëshiron ta marrë në dorë në mënyrë të pavarur jetën e vet.

Kështu njeriu joshet nga dëshira për t’u bërë si Zoti, madje për t’u bërë zot i vetvetes, e shpesh edhe tjetrit. Kështu dashuria e Zotit nuk i duhet e besueshme; i beson më shumë diturisë, që i jep pushtet e pasuri. Por të jetosh në këtë mënyrë, duke iu kundërvënë dashurisë, do të thotë Zotit, do të thotë të jetosh për interes kalimtar që nuk shkon përtej vdekjes. Është një joshje që lind nga ajo pikë helmi e cila e damkosi njeriun që në kohën e Adamit e të Evës, që në kohën e mos dëgjimit të parë të njeriut ndaj Zotit. Këtë pikë helmi e quajmë mëkat të rrjedhshëm. Pikërisht në festën e Zojës së Papërlyer na lind në zemër dyshimi se njeriu që nuk mëkaton, duhet të jetë i mërzitshëm; duhet t’i mungojë diçka në jetë: përmasa dramatike e të qenit i pavarur, që bën pjesë në të qenit vërtet njeri, në lirinë për të thënë ‘jo’, për të zbritur në errësirat e mëkatit e për të bërë gjithçka i thotë mendja. Me një fjalë, ne mendojmë se e keqja është e mirë, se ne, sadopak, kemi nevojë për të, për të provuar plotësisht se jemi njerëz.

Mendojmë se të lidhesh sadopak me të keqen, t’i lejosh vetvetes sadopak liri kundër Zotit, në fund të fundit është diçka e mirë, madje edhe e nevojshme. Po nuk është kështu. Jeta e jetuar pa Zot, nuk premton asgjë të mirë, thjeshtë është një mendjemadhështi njerëzore. Në festën e Zojës së Bekuar të Papërlyer duhet të mësojmë ta lëshojmë vetveten plotësisht në dorë të Zotit, sepse vetëm duke u mbështetur krejtësisht në Hyjin, e gjejmë e shijojmë lirinë e vërtetë dhe kuptimin e vërtetë e jetës.

Njeriu që drejtohet nga Zoti, nuk bëhet më i vogël, por më i madh, sepse hiri i Zotit është me të, e kështu madhështohet, lartohet, bëhet hyjnor, bëhet vërtet vetvetja. Njeriu që e lëshon veten në dorë të Zotit, nuk largohet nga të tjerët, duke u mbyllur në jetën e tij private e personale, përkundrazi, vetëm atëherë zemra e tij zgjohet vërtetë e ai bëhet njeri i ndjeshëm, e prandaj, dashamirës e mikpritës. Sa më shumë që njeriu është pranë Zotit, aq më shumë Zoti është pranë njeriut, na pohon festa e sotme Zojës së Papërlyer.

               Liturgjia e Fjalës së Zotit

Nga leximi i librit të Zanafillës (Zan 3,9-15.20)
9 Pasi që Adami kishte ngrënë prej pemës, Zoti Hyj e thirri njeriun e i tha: “Ku je”? 10 Ky iu përgjigj: “Dëgjova zërin tënd në kopsht e u tremba, sepse jam lakuriq e u fsheha”. 11 Ai i tha: “Kush të tregoi se je lakuriq? A mos hëngre frutat nga pema prej së cilës të kam urdhëruar të mos hash”? 12
Njeriu u përgjigj: “Gruaja që ma dhe për shoqe, ajo më dha frut prej pemës dhe hëngra”. 13 Atëherë Zoti Hyj i tha gruas: “Pse e bëre këtë”? Gruaja u përgjigj: “Më gënjeu gjarpri dhe hëngra”.
14 Atëherë Zoti Hyj i tha gjarprit:
“Pasi e bëre këtë gjë
qofsh mallkuar ndër të gjitha bagëtitë
dhe kafshët e egra!
Do të ecësh përmbi barkun tënd
dhe do të hash pluhur në të gjitha ditët e jetës sate!
15 Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas,
ndërmjet farës sate e farës së saj:
fara e saj do të ta ndrydhë kokën,
kurse ti do t’ia sulmosh themrën”.
20 Njeriu e quajti gruan e vet Evë, sepse ajo është nëna e të gjithë të gjallëve. Fjala e Zotit!
 

PSALMI 98 /97/ Zoti gjykatës i tokës
1 Psalm.
Këndoni Zotit një këngë të re,

sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
2 Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
3 I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet
kundrejt shtëpisë së Izraelit.
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë.
4 Mbarë toka le t’i brohorisë Zotit,
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
5 Këndoni Zotit me harpë,
me tinguj veglash muzikore,
6 me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt,
brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!
7 Le të buçasë deti me ç’ka në të,
rruzulli me banuesit e tij;
8 lumenjtë le të duartrokasin
e malet le të gërthasin me hare,
9 para Zotit që po vjen për të gjykuar dheun.
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi
e popujt me maturi.

Lexim nga Letra e shën Palit apostull drejtuar Efesianëve.
3 Qoftë bekuar Hyji.
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi
me çdo bekim shpirtëror
në qiell
në Krishtin.
4 Në Të na zgjodhi
para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij
në dashuri.
5 Ai na parashënoi për vete
të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit
me pëlqimin e vullnetit të vet
6 për nder të lavdisë së hirit të tij
me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
11 Në të edhe ne u bëmë trashëgimtarë
- të paracaktuar
me vendim të Atij
që vepron gjithçka sipas pëlqimit të vullnetit të vet -
12 të jemi në nder të lavdisë së tij
-ne që që më parë e vumë shpresën në Krishtin. Fjala e Zotit!

Nga Ungjilli shenjt sipas Lukës (Lk 1,26-38)
Lajmërimi i lindjes së Jezusit
26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.
28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha:
“Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”
29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.
30 Por engjëlli i tha:
“Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!
31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”
34 Atëherë Maria i tha engjëllit:
“Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”
35 Engjëlli iu përgjigj:
“Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë - Biri i Hyjit. 36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!”
38 Atëherë Maria tha:
“Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”
Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.  Fjala e Zotit!








All the contents on this site are copyrighted ©.