Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Lindja e Mesme: ndeshje në Cisjordani për Jeruzalemin. Papa flet me Erdoganin

Protestat në Gaza - AFP

08/12/2017 13:56

“Jeruzalemi është kryeqyteti i Izraelit e brenda 6 muajsh do ta zhvendosim ambasadën e SHBA-ve nga Tel Avivi. Është hap i nevojshëm për paqen”. Fjalët e presidentit amerikan Donald Trump hapin vazon e Pandorës për Lindjen e Mesme dhe e lënë shtang pjesën tjetër të botës, përveç kryeministrit izraelit Netanyahu, i cili ngazëllen, duke folur për vendim historik.

         Tensioni është tepër i lartë, dy raketa janë hedhur në mbrëmjen e djeshme nga Gaza drejt Izraelit. Ndeshje të dhunshme, sidomos në Cisjordani, me së paku njëqind të plagosur. Sot, telefonatë ndërmjet Papës Françesku dhe presidentit turk Erdogan, konfirmuar nga Salla e Shtypit e Vatikanit. Sipas presidencës turke, Erdogan i shprehu Papës vlerësimin e vet për deklaratën e djeshme në audiencën e përgjithshme, gjatë së cilës, Ati i Shenjtë shprehu shqetësimin e tij të thellë për vendimin amerikan, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të “status quo”-së për Jeruzalemin.

         “Të kritikueshme” e quan nismën e Donald Trump, presidenti francez Macron: “të papërgjegjeshme”, ai turk, Erdogan, sipas të cilit ajo do t’u vijë në ndihmë vetëm terroristëve. Jordania e konsideron të paligjshme, ndërsa Irani i fryn zjarrit: “Jeruzalemi i përket Islamit dhe palestinezëve”. Bashkimi Evropian është thellësisht i shqetësuar e rithekson se asnjë nga vendet anëtare, duke përfshirë edhe Britaninë e Madhe, nuk do ta zhvendosë përfaqësinë e vet nga Tel Avivi.

         Mbi presidentin amerikan përplaset edhe zemërimi i OKB-së. Sekretari i Përgjithshëm, Guterres, shprehet kundër çdo lloj zgjidhjeje njëpalëshe të bisedimeve. Dyshime edhe nga Moska, ndërsa Hamas e bën të qartë se “janë hapur dyert e Ferrit. Regjimi i ajatollahëve do të fillojë një Intifadë të re”. Për Rojtarin e Tokës Shenjte, atë Patton, ky vendim do të shkaktojë dëme të pariparueshme e do ta shtojë dhunën. Ndërkaq, në Gaza vazhdojnë protestat, me djegjen e flamujve amerikanë e të portreteve të presidentit Trump. Tetë vende kërkojnë mbledhjen urgjente të OKB-së.

         Në komentin e tij, analisti i revistës italiane gjeopolitike Limes, Dario Fabbri, vë në dukje çfarë qëndron pas kësaj lëvizjeje të presidentit Trump në lojën e ndërlikuar të shahut ndërkombëtar.

         “Së pari, - thotë ai në mikrofonin tonë – mesazhi konkret fillestar ka të bëjë me politikën e brendshme të SHBA-ve. Trump përpiqet ta zgjerojë elektoratin e vet, duke i dhuruar së djathtës fetare evangjelike - historikisht e lidhur me Izraelin – një rezultat simbolik. Mesazhi tjetër është për kundërshtarët, të cilët, sipas presidentit aktual amerikan, nuk kanë qenë në gjendje të gjejnë zgjidhje për Lindjen e Mesme, tashmë në dorë të Rusisë e sidomos, të Iranit. Të mos harrojmë se vetëm 24 orë para fjalimit të presidentit Trump, ai palestinez, Abu Mazen, i telefonoi homologut të tij rus, Putin, dhe i kërkoi ta mbrojë statusin e Jeruzalemit, duke e vënë atë në pozitë të vështirë.

         Në të vërtetë, vendimi i Donald Trump ka thjesht synime propagandistike, sepse mundohet ta vërë sërish Izraelin në qendër të marrëdhënieve SHBA-Lindje e Mesme, por zona ka humbur pikë qëkur në llogaritë amerikane. Gjithashtu, Trump u thotë palestinezëve se me këtë zhvendosje u ka bërë një favor izraelitëve, të cilët tani, duhet të jenë më të gatshëm t’u bëjnë lëshime palestinezëve në bisedimet për paqen, por edhe kjo mbetet vetëm hipotezë”, përfundon komentin analisti Dario Fabbri.

08/12/2017 13:56