2017-12-07 00:00:00

Mё 7 dhjetor kalendari pёrkujton Shёn Ambrozin ipeshkëv i Milanos e doktor i Kishës.


Mё 7 dhjetor kalendari kishtar pёrkujton Shёn Ambrozin ipeshkëv i Milanos e doktor i Kishës. Ai eshte nga figura e tij mësojmë t’ia besojmë veten vetëm Zotit e ta vlerësojmë jetën ashtu siç është. Njeri i drejtë, që kërkoi me ngulm drejtësinë dhe asaj i shërbeu si jurist, u zgjodh ipeshkëv i Milanos kundër vullnetit të tij, por, pasi e pranoi këtë shërbesë si vullnetin e Zotit, iu përkushtua plotësisht Ungjillit dhe Kishës.

I jashtëzakonshëm fati i Ambrozit, i cili u emërua ipeshkëv para se të pagëzohej. I lindur në vitin 339 në Treviri, qytet i Galisë, Ambrozi ndoqi familjen e tij në Romë, ku kreu studimet në retorikë. Si u bë avokat e më pas prokuror, rreth vitit 370 u emërua qeveritar i Liguries dhe Emilies në Itali.

Më pas u transferua përfundimisht në Milano. Këtu, ndërsa merrte pjesë në zgjedhjen e ipeshkvit të ri të qytetit, duke u përpjekur të zgjidhë mosmarrëveshjet që kishin lindur në bashkësinë e krishterë ndërmjet arianëve e katolikëve, mbajti një fjalim aq të fuqishëm e aq të përshpirtshëm, sa u vendos menjëherë të zgjidhej ai vetë ipeshkëv.

Në fillim nuk pranoi, por më pas, nën udhëheqjen shpirtërore të meshtarit Simpliçiani, u përgatit për pagëzim. Në të vërtetë kishte vendosur prej kohe të bëhej i krishterë, sepse tek krishterimi kishte gjetur të vërtetën dhe qëllimin e vetë jetës së tij. Ia dhuroi të gjitha pasuritë Kishës dhe bëri kushtin e virgjërisë. Me shembullin e shkëlqyer të jetës e me fjalën e tij të frymëzuar, ktheu në fenë e krishterë shumë njerëz, ndërmjet të cilëve, edhe Shën Augustinin.

Ai që thoshte: “Ku është Pjetri, atje është Kisha”, vdiq më 4 prill të vitit 397 e u varros në bazilikën që mban emrin e tij, në Milano, qytet i cili e zgjodhi Pajtor, së bashku me Shën Karl Borromeun. Konsiderohet si atë i liturgjisë ambroziane, që përdoret nga Kisha e Milanos. Me jetën dhe veprat e shumta liturgjike, komentarët mbi Shkrimin Shenjt e shkrimet me karakter asketiko-moral, ai mbetet simbol i lirisë e i pajtimit.

Më 24 tetor 2007, duke u ndaluar tek figura e ipeshkvit të Milanos, Ambrozit, Papa u drejtoi një porosi atërore prelatëve të mbarë botës, duke i nxitur të mos e shikojnë kurrë katekizmin shkëputur nga dëshmia e jetës: “Kush edukon të tjerët në fe, nuk mund të rrezikojë të duket si një lloj palaçoje, që luan një rol, thjeshtë sepse këtë ia kërkon zanati. Përkundrazi – në se përdorim një figurë të dashur për Origjenin, shkrimtar tepër i pëlqyer nga Ambrozi – ai është si nxënësi i dashur, që mbështet kokën mbi zemrën e Mësuesit e atje mëson si të mendojë, si të flasë, si të veprojë. Në fund të fundit mund të themi se dishepull i vërtetë është ai që e kumton Ungjillin në mënyrë të besueshme e të frytshme”.

Ja si e kujton shёn Ambrozi zgjedhjen e tij ipeshkëvnore: “Çfarë qëndrese bëra për të mos u shuguruar! Në fund, pasi e pashë veten të detyruar, kërkova që, të paktën, të ma shtynin shugurimit. Asgjë nuk vlejti kjo kërkesë për një përjashtim. Fitoi detyrimi, që më ngarkuan”.

Predikimet e tij mrekulluan shën Agostinin e Iponës, të cilin e pagëzoi në fenë e krishterë pas një kërkimi të gjatë shpirtëror. Ai e shoi etjen tek burimi i kulluar i fjalës së Hyjit, prandaj na porosit edhe ne: “Pi, pra, nga të dyja kupat, nga ajo e Besëlidhjes së Re dhe të Vjetër, sepse tek të dyja pi Krishtin. Shkrimi hyjnor pihet, Shkrimi hyjnor gëlltitet, kur lëngu i fjalës së amshuar zbret në venat e mendjes dhe në energjitë e shpirtit”.

Shën Agustini, të cilin e përkujtojmë sot, tha:

“Nëse heshtni, heshtni për dashuri. 
Nëse flisni, flisni për dashuri. 
Nëse korrigjoni, korrigjoni për dashuri. 
Nëse falni, falni për dashuri. 
Le të jetë gjithmonë në ju rrënja e dashurisë, sepse vetem nga kjo rrënjë mund të çelë dashuria. 
Duani dhe bëni gjithçka të doni. 
Dashuria në fatkeqësi duron, në mirëqenie përmbahet, në vuajtje është e fortë, në vepra të mira është e përvujtë, në tundime është e sigurtë, në mikpritje është bujare, është gëzim mes vëllezërve të vërtetë ndersa mes atyre që shtiren është e durueshme. 
Është shpirt dhe frymë e librave të shenjtë, është virtyti i profetëcive, është shëlbim misteresh, është forca e shkencës, është fryti i fesë, është pasuria e të varfërve dhe jeta e atij që vdes. 
Dashuria është gjithçka”.








All the contents on this site are copyrighted ©.