Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Kundrimi i misterit të Zojës së Papërlyer

Zoja e Papërlyer - RV

07/12/2017 00:00

Në fillim të Kohës së Ardhjes, para Krishtlindjes, Kisha na fton të kundrojmë misterin e Marisë së zënë pa mëkat të rrjedhshëm. Festa e Zojës së Papërplyer është ndër festat më të bukura e popullore kushtuar nderimit të Nënës Qiellore, të së Lumes Virgjërës Mari. Në këtë festë të të Xanunt të Pafaj të Marisë Virgjër, besimtarët e krishterë me mirënjohje të veçantë kanë pse t’i këndojnë Zotit për mrekullitë e bëra dhe për dëftimin e planit Hyjnor të shëlbimit për mbarë njerëzimin, që Ai na dhuroi në personin e Virgjëres Mari, Zojës së Papërlyer, festën e së cilës Kisha e kremon më 8 dhjetor.

Mbi domethënien e porosinë e kësaj feste për besimtarë të krishterë, flet  Kardinali Angjelo Komastri, cili shpjegon rolin e Virgjërës Mari në rrugën e shëlbimit, në kremtimin e solemnitetit të Zojёs sё Papёrlyer.

Sigurisht Maria është rruga historike që ndoqi Zoti për të hyrë në botë. Në se kujtojmë tregimin ungjillor mbi Lajmërimin e Zojës, na çudit një fakt: Shën Luka ungjilltar me saktësi të plotë e me përpikmëri të jashtzakonshme, thotë: “Engjëlli Gabriel u dërgua nga Hyji”. Ky plotës vepruesi është vërtetë si një bubullimë, e kush thotë se mariologjia është shpikje e mëvonshme e Kishës katolike, përgenjeshtrohet menjëherë nga Ungjilli.

Mariologjia lind njëherësh me Ungjillin e lind sepse Hyji kërkon bashkëpunim; e Maria është bashkëpunimi më i bukur që Zoti ka mundur të gjejë ndonjëherë në historinë e njerëzimit. Engjëlli Gabriel u dërgua nga Hyji: Kisha kujton se rruga historike që ndoqi Hyji për të hyrë në botë, është rruga e Marisë, atëherë e rijeton këtë rrugë, e rimendon, e rimediton, për të mësuar nga Maria stilin e pohimit të saj, të bashkëpunimit të saj me Zotin.

Maria është krijesë e jashtzakonshme, sepse liria e saj nuk dështon, si dështojnë shumë liri; liria e saj ia hap plotësisht portat Hyjit në nënshtrimin që çliron, në dëgjesën që të bën të pjekur, në bindjen që të bën të lumtur, prandaj Maria thotë: “Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë mbi mua si është fjala jote”. E kjo ‘Ja shërbëtorja e Tënzot” është pika qëndrore e mbarë historisë së njerëzimit e me të lidhemi të gjithë e të gjithë kemi nevojë të rikthehemi tek kjo “Ja shërbëtorja Tënzot”, për ta përsëritur edhe ne këtë shprehje, për të thënë edhe ne ‘po’. E këtë mund të na e mësojë më mirë se kushdo Maria, që është mësuese feje.

Në këtë kohë pritjeje, si të përgatitemi për Lindjen e Krishtit, së bashku me Marinë?

Duhet të përshkojmë, së bashku me Marinë, rrugën e Betlehemit. Kur Maria vihet për udhë, sigurisht lëshohet plotësisht në dorë të Zotit. Ndoshta mund t’i ketë bërë vetes pyetjet: ç’më duhet ky udhëtim? E si mund ta nxjerr në dritë foshnjen larg nga shtëpia? Ç’ mund të më ndodhë e, sidomos, ç’ mund t’i ndodhë foshnjes? Por sigurisht Maria i është përgjigjur menjëherë këtyre pyetjeve bërë vetvetes me të njëjtat fjalë, që ia tha Engjëllit: “Ja, shërbëtorja e Tënzot, jam gati të shkoj ku të duash”.

Ne,pra, duhet të ulemi në bankat e shkollës së Marisë, për ta bërë përsëri rrugën e Betelehemit. E kemi shumë nevojë ta bëjmë këtë, sepse sot, posaçërisht në shoqërinë perëndimore, vlejnë vetëm dy pushtete: pushteti i parasë e pushteti i suksesit, dy demonë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, dy gënjeshtra, dy mashtrime kolosale. E dimë se vlen vetëm Zoti: është mësimi i Krishtlindjes.

E për ta përvetësuar këtë mësim, Maria është mësuesja më e mirë; në sa rruga që përshkuan Maria me Jozefin është ajo që Kisha na e propozon edhe neve në Kohën e Ardhjes, në mënyrë që nga viti në vit, t’i afrohemi sa më pranë misterit të Betlehemit dhe të mbushemi plot me dritën e tij, aq sa ta dëgjojmë edhe ne këngën e Engjëjve: “Lumni Zotit në lartësitë qiellore e paqe në tokë njerëzve që ai i do”.

07/12/2017 00:00