2017-12-07 14:39:00

Françesku të krishterëve të Taivanit: “Ta dëshmojmë shpresën që është në ne”


“Të shumta fushat, në të cilat si të krishterë, jemi të thirrur të punojmë së bashku për të promovuar dinjitetin e çdo njeriu”. Këtë theksoi posaçërisht Papa Françesku, në fjalimin drejtuar delegacionit të National Council of Churches of Taiwan, të cilin e priti sot në Sallën e Koncistorit. Pastaj Ati i Shenjtë citoi Ungjillin e Shën Gjonit, duke kujtuar porosinë që u dha Krishti Apostujve: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu siç ju desha unë. Nga kjo të gjithë do ta marrin vesh se jeni dishepujt e mi”. Prej këndej theksoi se “dashuria  e Zotit duhet mishëruar konkretisht në jetë. E kjo është udha kryesore për çdo të krishterë, udha e përgjegjësisë, udha që na krijon kushtet ta dëshmojmë para botës shpresën, që është në ne”.

Ja pra, pse është i nevojshëm dhe i rëndësishëm forcimi i marrëdhënieve ndërmjet konfesioneve të krishtera, kumtimi i Jezusit, edhe përmes veprave të bamirësisë e, në mënyrë të posaçme, hartimi i “projekteve formuese për të rinjtë”, posaçërisht për t’u mësuar të dialogojnë e të krijojnë një shoqëri më të drejtë.

Kisha - vijoi Papa - që nga krijimi i National Council of Churches of Taiwan në vitin 1991, “u angazhua për ta thelluar gjithnjë më shumë unitetin ndërmjet besimtarëve në Zotin e për t’i fuqizuar edhe marrëdhëniet  ndërmjet konfesioneve të krishtera”.

Në përfundim të takimit, para se ta ftonte gjithë asamblenë për të thënë së bashku Atynën, Françesku shprehu besimin, e edhe dëshirën, për të ecur së bashku, duke vënë në plan të parë dashurinë e krishterë, që çon drejt ditës, kur do të realizohet dëshira e Jezusit: “Të jenë një gjë e vetme, që bota të besojë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.