2017-12-07 16:55:00

Ekspozita: në Romë, kryeveprat e fondit Albani


Ekspozitë, që nderon kujtimin e një Pape të madh dhe të familjes së tij fisnike. Pikërisht kjo familje, me origjinë shqiptare, mblodhi brez pas brezi disa nga kryeveprat e artit të të gjitha kohëve të cilat, duke nisur që nesër - e deri më 25 shkurt, do të mund të soditen në Kompleksin Monumental romak të Shën Shëlbuesit në Lauro. Ekspozita titullohet “Klementi XI, koleksionist e mecenat i ndritur”. E organizuar nën kujdesin e Claudio Maggini-t, bën pjesë në nismën “Shoqata e përshpirtshme e Picenëve për Market e dëmtuara nga tërmeti”, me synimin e mbajtjes gjallë të dramës, që goditi Marchet në vitin 2016. Kardinali Giovanni Francesco Albani, i lindur në Urbino nga familja me gjak shqiptar Albani, shumë e njohur në gjirin e finsikërisë urbiniate e romake, i ulur në fronin e papnisë më 23 nëntor të vitit 1700, me emrin Klementi XI, para e gjatë papnisë  u shqua për shijën e hollë estetike e koleksionistike. Prej këndej, gjithë jetën u rrethua nga një mori artistësh të njohur të kohës, ndërmjet të cilëve, Carlo Maratta. E natyrisht, edhe nga veprat më të spikatura të artit. Prej këndej, në ekspozitë mund të soditet një pasuri e vërtetë pikturash, vizatimesh, stampash, punimesh në argjend... Duke e vizituar, vërehet se artistët, që e rrethonin Papën, po ndiqnin fillimet e stilit barok, por pa e përqafuar plotësisht. Aty mund të shijohen e të studiohen vepra të Raffaello-s, Barocci-t e nxënësve të tij, Giovanni Lamfranco-s, Guido Cagnacci-t, Guido Reni-t  e artistëve të tjerë të famshëm të disa epokave.

Është, prandaj, rast me vlerë për të studiuar artin e ‘700-tës, ardhur nga një qendër si Urbino, udhëkryq i shumë prej artistëve të mëdhenj të epokës e vatër arti. E jo më pak, kryeveprat e krijuara në Romë, nën kujdesin e vetë Papës shqiptar.    








All the contents on this site are copyrighted ©.