Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Asizi: Krishti lind mbi gëzhoja, për të kujtuar rregulltarët e vrarë në botë

Krishti lind mbi gëzhoja - ANSA

07/12/2017 15:43

Më 8 dhjetor, në Kuvendin Françeskan të Asizit, do të ndriçohen Bredhi i Krishtlindjes dhe Shpella e Betlehemit, duke kujtuar, simbolikisht, meshtarët e vrarë për shkak të urrejtjes ndaj fesë.

Foshnja hyjnore nuk lind mbi kashtën e grazhdit. Grazhdi i tij i sivjetëm është më i vrazhdë se kurrë. Në vend të kashtës, gëzhoja fishekësh! Kështu e menduan françeskanët e Kuvendit të Asizit sivjet Shpellën e tyre të Betlehemit, për të kujtuar, gjatë festës së të Zënit pa mëkat të Zojës së Bekuar, priftërinjtë, françeskanët, veprimtarët baritorë  që punojnë nëpër botë, në kushte të plota varfërie e me kokën gjithnjë në cung, e vriten nga urrejtja për fenë.

Krishti lind mbi gëzhoja! Këto Këshndella françeskanët menduan t’ia shtrojnë grazhdin me gëzhoja fishekësh. Për kujtim të atyre, të cilët vijojnë e vijojnë të shkojnë në ato vise, prej nga ikin vetë banorët, që pas tyre të mos ikë edhe Krishti! Që Krishti të mbetet aty, për të pritur kthimin e tyre, për t’ua përgatitur kthimin. E shpesh ata vetë nuk janë më gjallë, kur njerëzit rikthehen në banesat e braktisura për njëmijë shkaqe, ndër të cilat, vendin e parë e zënë gjithnjë urrejtja për fenë dhe etja për fitime me çdo kusht. Edhe me kushtin që  foshnjat të lindin mbi gëzhoja fishekësh, e deri mbi mbetjet e llahtarshme të armëve atomike!

Krishti sivjet lind mbi gëzhoja! Pranë një Bredhi 15 metra të gjatë, ofruar Kuvendit të Asisit nga Rajoni i Liguries.

Krishti lind mbi 444 gëzhoja sivjet. Ky, numri fijeve të kashtës së hekurt, simbol i numrit të burrave e grave të vrara për “faj” të Fesë së tyre nga viti 2000 e deri më sot, sipas të dhënave të agjencisë Fides.

Krishti sivjet lind mbi gëzhoja! Për t’ia ngrohur sadopak këtë kashtë të akullt, në Bazilikën e Poshtme të Shën Françeskut, në orën 17.00, do të kremtohet Mesha, kryesuar nga Prefekti i Kongregatës për Klerin, kardinali Beniamino Stella. Në përfundim të kremtimit, ndriçimi dhe bekimi i simboleve të Këshndellave nga Rojtari i Kuvendit të Asizit, atë Mauro Gambetti.

Krishti do të lindë mbi gëzhoja sivjet, por si çdo vit, nuk do t’i mungojnë fëmijët e varfër si ai vetë për rreth grazhdit! Atyre e familjeve të tyre do t’u dorëzohen dhuratat e Festës, në praninë e priftërinjve të periferisë, të refugjatëve e të varfërve, të ftuar nga Karitasi dioqezan i Asizit.

Krishti nuk harron të bëjë dhurata paqeje, edhe kur lind mbi gëzhoja lufte!

07/12/2017 15:43