Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Toka Shenjte: Atë Patton hap kremtimet e Kohës së Ardhjes.

Hyrja e atë Patton në kishën e Lindjes së Krishtit, në Betlehem - EPA

05/12/2017 13:29

Më 2 dhjetor, me hyrjen solemne në Sheshin e Grazhdit dhe në kishën e Lindjes së Krishtit, Rojtari i Tokës Shenjte, Atë Francesco Patton, hapi  kremtimet e Kohës së Ardhjes në Tokën Shenjte. Dy ditë feste (2 e 3 dhjetor), gjatë të cilave vëllezërit françeskanë të Tokës Shenjte ishin protagonistë, së bashku me popullsinë e krishterë vendase. Para se të shkonte në Betlehem, Rojtari, sipas traditës, u takua me besimtarët e famullisë së Shën Shëlbuesit, të cilëve u kujtoi se fretërit janë në shërbim  të kësaj bashkësie e, si françeskanë të Tokës Shenjte, kanë nevojë për mirëpritjen, dashamirësinë e mirëkuptimin e bashkësisë vendase.

Para hyrjes solemne tradicionale në Betlehem, që kremtohet tri herë në vit, (në të dielën e parë të Kohës së Ardhjes, në solemnitetin e Krishtlindjes e të Dëftimit të Zotit) rojtari, i shoqëruar nga policia, shkoi në Kuvendin e Mar Elias, ku përshëndeti kryebashkiakun dhe famullitarin e Bet Jalës. Pasi kaloi pikën izraelite të kontrollit, pranë Varrit të Rakelës, zakonisht e mbyllur, por që hapet tri herë në vit për kalimin solemn, Rojtari Patton hyri në Betlehem, ku u prit nga një turmë besimtarësh e skautësh. Ndërmjet të pranishëmve, autoritetet më të larta kishtare e pushtetare vendore. Kremtimet fetare të hyrjes u mbyllën me Lutjet e para Mbrëmësore të së Dielës së parë të Ardhjes, me Oficen e leximeve dhe me procesionin në Shpellën e Lindjes së Krishtit. Pasdite, në Sheshin e Grazhdit, u ndriçua Bredhi i Krishtlindjes, me një pjesëmarrje të madhe popullore. Në tribunën e koncertit këndoi këngëtari i famshëm i Betlehemit, fitues i çmimit Arab Idol, Yacoub Shaheen. Të diel në mëngjes u kremtua Mesha e së Dielës së parë të Kohës së Ardhjes dhe e festës së Shën Katerinës. Në përfundim të kremtimit, rojtari i Tokës Shenjte i dhuroi, si shenjë mirënjohjeje, kryebashkiakut  të Betlehemit, Anton Salman dhe famullitarit vendas, atë Rami Asakrieh, medaljen kremtore, realizuar me rastin e 800-vjetorit të pranisë françeskane në Tokën Shenjte 

05/12/2017 13:29