Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa në Shën Martë: t’i pranojmë poshtërimet, për t’i përngjarë Jezusit

Papa kremton Meshën në Shën Martë

05/12/2017 12:15

Përvuajtëria është veti e domosdoshme në jetën e të krishterit: e nënvizoi sot Papa në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në kapelën e Shën Martës. I frymëzuar nga  fragmenti i Izaisë Profet, Françesku kujtoi se çdo i krishterë është si një filiz i vogël, ku do të pushojë Shpirti i Zotit, shpirti i dijes e i inteligjencës, shpirti i këshillës e i urtisë e ku do të pushojë edhe frika e Zotit.  “Janë dhantitë  e Shpirtit Shenjt, këto. Nga vogëlsia e filizit, në përsosurinë e Shpirtit. Ky është premtimi, kjo, Mbretëria e Zotit. E kjo është edhe jeta e të krishterit" - kujtoi Papa:

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se secili prej nesh është filiz i kësaj rrënje, që duhet të rritet, të lëshojë shtat me forcën e Shpirtit Shenjt, derisa shpirti ynë të mbushet përplot me Shpirtin Shenjt”.

E cila duhet të jetë detyra e të krishterit? I krishteri e ka për detyrë ta ruajë filizin, që rritet në ne, ta ruajë e ta rrisë, ta ruajë Shpirtin Shenjt, në shpirtin e vet.

E stili i jetës së të krishterit, cili është? Stil si ai i Jezusit, i përvuajtur, shpjegoi Françesku:

“Duhet feja e përvuajtëria, për të besuar se ky filiz, kjo dhuratë kaq e vogël, do arrijë në plotninë e dhuratave të Shpirtit Shenjt. Duhet përvuajtëri, për të besuar se Ati, Zoti i Qiellit e i Tokës, siç na kujton Ungjilli i sotëm, ua fshehu këto sende të urtëve, të diturve, për t’ua zbuluar të vegjëlve. Përvuajtëri do të thotë të jesh i vogël, si filizi, i vogël, por që rritet ditë për ditë, i vogël, nevojtar për Shpirtin Shenjt, që të mund të lëshojë shtat, të arrijë përsosurinë e jetës së vet”.

Ndokush beson se të jesh i përvuajtur - vërejti Papa - do të thotë të jesh i edukuar, i sjellshëm, t’i mbyllësh sytë, kur lutesh. Jo. Nuk është kjo përvuajtëria. Atëherë, si qenka përvuajtëria? Si mund të jem i përvuajtur? - pyeti përsëri Papa Françesku:

“Është shenjë, sinjal, i pashoq; t’i pranosh përuljet. Përvuajtëria pa përulje nuk është përvuajtëri. Të përvuajtur quhen burri a gruaja, që janë të aftë t’i mbartin poshtërimet, ashtu si mbarti Jezusi, i përvuajturi, i poshtëruari i madh!”.

Në përfundim Papa kujtoi edhe shembullin e shumë shenjtorëve, të cilët jo vetëm i pranuan poshtërimet, por edhe i kërkuan, që të mund t’i përngjanin Jezusit.

“Zoti - e përfundoi homelinë Papa - na dhashtë hirin ta ruajmë vogëlsinë, për të shkuar drejt përsosurisë së Shpirtit, për të mos e harruar rrënjën e për t’i pranuar edhe poshtërimet”.    

05/12/2017 12:15