2017-12-05 12:03:00

Paraqiten në Romë aktet e Kuvendit “Shqipëria në arkivin e Propaganda Fide”


Mbahet sot në Romë, në Universitetin Papnor Urbanian, takimi për paraqitjen e akteve të Kuvendit “Shqipëria në arkivin e Propaganda Fide”. Zhvilluar nga 26 deri më 27 tetor 2015, kuvendi mblodhi shumë nga studiuesit aktualë të historisë e të dokumenteve, që kanë të bëjnë me shqiptarët.

“Propaganda Fide”, aktualisht Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, është burim i rëndësishëm dokumentacioni për shqiptarët, pasi në të ruhen relacione e komente të misionarëve katolikë e të eksponentëve të Kishës, që plotësojnë historinë e tokave shqiptare, edhe aty ku dokumentet në atdhe mungojnë, ose kanë humbur në rrjedhë shekujsh. Në ateneun e saj kanë studiuar figura të njohura të Kishës Katolike, si Frang Bardhi e Pjetër Bogdani, të rëndësishëm jo vetëm për veprimtarinë e tyre kishtare, por edhe për fillimet e publikimeve në gjuhën shqipe. Traditë, që e kanë vijuar më tej, studentë të tjerë. Nga tipografia “Polyglotta”, kanë dalë vepra themelore për historinë, gjuhën dhe letërsinë shqipe.

Në fund të kuvendit të dy vjetëve më parë, iu paraqit qeverisë shqiptare, një kërkesë për themelimin e një Instituti kulturor në Romë, i cili të kishte si qëllim pikërisht studimet kërkimore-shkencore mbi shqiptarët në arkivat dhe në bibliotekat e Italisë e të Vatikanit.

Në mikrofonin e don David Gjugjës, organizatori i Kuvendit të dy vjetëve më parë e tani, edhe personi, që është kujdesur për publikimin e akteve të tij, pedagogu i filozofisë në Universitetin Urbanian, Ardian Ndreca, flet për këtë libër, ku përmblidhen studime të rëndësishme për historinë e shqiptarëve. Ta dëgjojmë…








All the contents on this site are copyrighted ©.