2017-12-04 13:46:00

Papa për Ditën e Thirrjeve: ta dëgjojmë zërin e Zotit


“Është bukur dhe është hir i madh të jemi, plotësisht e përgjithmonë, të shuguruarit e Zotit e në shërbim të vëllezërve”: kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin për Ditën e 55-të Botërore për Thirrjet, e cila do të kremtohet më 22 prill 2018. Në qendër të jetës sonë, është thirrja e gëzimit, që na drejton Hyji. Jeta e ngjarjet e saj nuk janë të rastit, nënvizon Ati i Shenjtë, por fryt i thirrjes hyjnore.

Për ta kuptuar këtë thirrje, Papa përvijon tri detyrat e çdo të krishteri: ta dëgjojë zërin e Zotit, ta shqyrtojë gjithçka i kërkon Hyji e pastaj, ta jetojë jetën e vet sipas planit hyjnor. Në një paralelizëm të vazhdueshëm me jetën e Jezu Krishtit, Ati i Shenjtë i shpjegon një e nga një këto etapa.

Ta dëgjojmë thirrjen e Zotit

 Zoti, thekson Papa, nuk imponohet, prandaj mund të ndodhë që zëri i Tij të heshtohet nga gjithçka tjetër, që na kalon në mendje e në zemër. “Nuk mund ta zbulojmë thirrjen e veçantë e personale, që ka menduar Zoti – shkruan Françesku – nëse qëndrojmë të mbyllur në vetvete, në zakonet tona e në apatinë e atij, që e shkon kot jetën në rrethin e ngushtë personal, duke e humbur mundësinë për të ëndërruar gjëra të mëdha e për t’u bërë protagonist i asaj historie unike dhe origjinale, që Hyji dëshiron të shkruajë me ne”.

Shqyrtimi shpirtëror

 Pasi ta dëgjojmë zërin e Zotit, vijon Papa në mesazhin për Ditën e Thirrjeve, duhet ta shoshisim atë brenda vetes, të hyjmë në dialog me Hyjin. Është e nevojshme t’i gjejmë vendet, mënyrat dhe situatat, në të cilat na thërret Ai i Lumi. Çdo i krishterë duhet të jetë në gjendje të “lexojë” brenda jetës së vet e ta kuptojë se për ku e për çfarë e thërret Zoti.

E Papa kujton se thirrja e krishterë ka gjithnjë një përmasë profetike e nxit për veprim. “Profetët – shkruan në mesazh – i dërgohen popullit kur përjeton mungesa të mëdha materiale dhe shpirtërore, për t’i thënë, në emër të Zotit, fjalë kthimi, shprese e ngushëllimi. Si era, që ngre pluhur, profeti e prish qetësinë e rreme të ndërgjegjes, e cila e ka harruar Fjalën e Hyjit, si edhe e ndihmon popullin t’i shohë sinjalet e agimit në errësirën e historisë”.

Ta jetojmë thirrjen e Zotit

Së fundi, thirrja për ta jetuar të tashmen e për të mos e shtyrë përgjigjen, që duhet t’i japim Zotit: “Gëzimi i Ungjillit – nënvizon Papa – nuk mund të presë ngadalësitë dhe dembelitë tona; nuk na prek nëse qëndrojmë në dritare e, as përmbushet për ne, nëse nuk marrim përsipër që sot, rrezikun e një vendimi. Thirrja është për sot!”

Secili prej nesh është i thirrur të bëhet dëshmitar i Zotit, por Papa thekson se Zoti thërret edhe për marrëdhënie afërsie të veçantë me Të, në shërbim të Tij të drejtpërdrejtë. Kjo është thirrja në jetën e shuguruar, për të cilën “nuk duhet të kemi frikë! – përfundon Ati i Shenjtë. Është bukur, është hir i madh të jemi plotësisht e përgjithmonë të shuguruarit e Zotit e në shërbim të vëllezërve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.