2017-12-04 13:08:00

Honduras. Ndeshje pas zgjedhjeve presidenciale: 7 të vdekur e 20 të plagosur.


Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, menjëherë pas takimit me Rohingya, Françesku kujtoi Hondurasin, që vijon të tronditet nga çrregullimet shoqërore, pas zgjedhjeve presidenciale të së dielës së kaluar:

“Në lutjen time kujtoj në mënyrë të posaçme edhe popullin e Hondurasit, me besimin se do të mund ta kapërcejë në mënyrë paqësore çastin e  vështirë të sotëm”.

Ky, urimi i Papës, për Hondurasin e pushtuar nga kaosi e tensioni, që nga ballotazhi i zgjedhjeve presidenciale, fituesi i të cilave nuk dihet akoma, ndonëse 95% e qendrave të votimit e kanë përfunduar numërimin e votave. Gjatë ndeshjeve, të cilat vijojnë të përhapen në të gjithë vendin, që nga e premtja e kaluar vdiqën shtatë vetë e rreth njëzet të tjerë u plagosën. Veç kësaj,  u shpall edhe gjendja e jashtëzakonshme, që do të vijojë për dhjetë ditë, nga ora 18.00 deri në orën 06.00, për t’u krijuar policisë dhe ushtarakëve mundësinë t’i frenojnë protestat dhe të pezullojnë disa të drejta kushtetuese.

Të garantohet siguria: ky, shqetësimi i parë, sipas presidentit që largohet nga detyra Juan Orlando Hernandez, i Partisë kombëtare të qendrës së djathtë që, me sa duket, ka rreth 46 mijë vota më shumë se kundërshtari, Salvador Nasralla, gazetar i tv vendas, në krye të koalicionit të forcave të majta e konservatore. Nasralla, që vijon t’i akuzojë kundështarët për manipulimin e zgjedhjeve, është vetëshpallur fitues. Edhe për këtë arsye Gjykata e Lartë Zgjedhore, vendosi të hapen përsëri mijëra kuti votimi, votat e të cilave mendohet të jenë të diskutueshme. Por ndërkaq të dy kandidatët, në pritje të përfundimit të numërimeve, deklarojnë se nuk do ta njohin fitoren e kundështarit.








All the contents on this site are copyrighted ©.