2017-12-03 16:18:00

Papa, konferenca e shtypit në avion: qava me Rohingya


“Shtegtimi ia arrin qëllimit, kur takohem me popullin”. Kjo bindja, tashmë e mirënjohur, me të cilën Papa mbylli konferencën e shtypit në avionin, që kishte nisur prej një gjysëm ore fluturimin nga aeroporti i Dakës. 58 minuta bisedë me gazetarët, gjatë të cilave preku një mori temash. Ndërmjet tyre, drama humanitare e etnisë Rohingya, tema e çarmatimit bërthamor, mundësia - tani për tani ende e largët - e një shtegtimi në Kinë.

“Mua udhëtimi më bën mirë, kur arrij të takohem me popullin e vendeve, popullin e Zotit. Kur arrij t’u flas njerëzve, t’i takoj e t’i përshëndes... Folëm për takimet me politikanët (...), por njerëzit, populli ... Populli është pikërisht thellësia e një vendi.  Kur e takoj, atëherë jam vërtet i lum”.

Që Françesku dëshironte të shprehte mendimin e tij ende tejet të freskët për shtegtimin e 21-të apostolik, u kuptua menjëherë, kur i nxiti gazetarët të bënin pyetje, duke ndërhyrë qetësisht, edhe sipas zakonit të disa mediave për ta lidhur figurën e Kreut të Kishës me tema të nxehta, gati-gati duke i harruar kishat e sapovizituara.

E në të vërtetë, pyetja e parë preku pikërisht nervin e zbuluar të një argumenti, pasqyruar prej kohe nga mediat botërore, lidhur me dramën e Rohingyia, “etnia më e persekutuar në botë”. Kronistët duan ta dinë nga vetë goja e Papës, çka ndjeu në atë çast të papritur e të jashtëzakonshëm të së premtes së kaluar, kur, i prekur thellë në shpirt, përqafoi një grup refugjatësh, i ndjekur nga sytë e mbarë planetit. Gjest humanizmi, i papritur, i jetuar pas javësh, gjatë të cilave shumë u debatua e shumëkush pyeti pse Françesku kishte vendosur të mos e përmendte emrin e kësaj etnie në fjalimet zyrtare në Mianmar e Bangladesh.

Për ta shpjeguar këtë, Papa mori si shembull një adoleshent që nganjëherë, gjatë bisedës me ndokënd, nxehet e, duke ia përplasur portën në hundë, i prish krejt marrëdhëniet. Për mua, vërejti Françesku, “gjëja më e rëndësishme është që mesazhi të arrijë”.

“Mua më intereson që ky mesazh të arrijë. Prandaj e pashë se po ta kisha thënë këtë fjalë gjatë fjalimit zyrtar, do ta kisha përplasur portën në fytyrë. Në vend të saj, përshkrova situatat - kujtova të drejtat - pa përjashtuar askënd, qytetarinë - për të shkuar, pastaj, më tej, në bisedimet private. Unë mbeta shumë, shumë i kënaqur nga bisedimet që pata, sepse është e vërtetë që nuk përplasa ndonjë portë në fytyrë, publikisht, as nuk bëra ndonjë padi, por pata kënaqësinë të dialogoj, ta lë tjetrin të flasë, të thotë, kështu, se mesazhi im kishte arritur ku duhej”.

Françesku përshkruan edhe çastet e jetuara në fund të takimit ndërfetar në Daka. Kujton se qau me Rohingya, edhe ato të përlotur para tij, e edhe se “u zemërua” dhe i kërkoi respekt për ta, ndokujt që deshi t’i zhdukte sa më shpejt nga tribuna. Tregon edhe sesi ideja e lutjes përfundimtare, që i bashkoi të gjithë në gjysëm rrethi në tribunë - një nga figurat më të fuqishme të këtij shtegtimi - i lindi në çast, nga dëshira për t’i pasur sa më pranë liderët e feve të tjera.

E, pak më vonë, i nxitur nga një pyetje tjetër, tregoi se deshi të shkonte në kampin e Rohingya, por nuk mundi, për shkak të problemeve organizative.

Një pyetje e nxiti Papën të flasë edhe për figurën e Aung San Suu Kyi, Çmim Nobel për Paqen, për luftën e saj në favor të demokracisë në ish-Bimani, sot në qendër të gjykimeve polemike, në detyrën e saj si Këshilltare e Shtetit dhe Ministre e Jashtme birmane:

“Në Mianmar është vështirë ta vlerësosh një kritikë, pa pyetur: a ishte e mundur të bëhej kjo? Ose: si është e mundur të bëhet kjo? (...). Situata politike... është Komb në rritje, politikisht në zhvillim; Komb në tranzicion, që ka shumë vlera kulturore në histori, por politikisht është në tranzicion. E prandaj, mundësitë duhen vlerësuar edhe në këtë optikë”.

Lidhur me vizitën e gjeneralit birman, përshpejtuar, në krahasim me programin, Françesku pohoi se e pati marrë kërkesën e tij e, duke menduar nëse duhej ta përdorte apo jo emnrin e Rohingya në këtë rrethanë, kujtoi  se i foli të gjitha fjalët, që dëshironte t’i thoshte.

Pastaj biseda kaloi në Bangladesh e një gazetar vërejti se Françesku qe shumë më pranë me Rohingya, sesa me formacionet e tjera, disa me vulë terroriste, të cilat - nënvizoi Papa duke u përgjigjur - u përpoqën të përfitojnë nga situata. Përsa më takon - kjo përgjigja e prerë e Françeskut – unë nuk kërkoj të flas me këta njerëz, kërkoj të flas me viktimat.

Një koleg i gjuhës angleze deshi të dinte ç’ ka ndryshuar sot, në krahasim me Gjon Palin II që, në vitin ’82, e quajti opcionin bërthamor “moralisht të pranueshëm”, ndërsa Françesku, kohët e fundit, e dënoi, në sfondin e krizës ndërmjet Koresë së Veriut e SHBA-ve. Në epokën tonë – sqaroi Papa - ka ndryshuar irracionaliteti:

“Sot kemi arritur kulmin: kjo mund të diskutohet, por ky është opinioni im i bindur: unë jam i bindur për këtë. Jemi në kulmin e  lejueshmërisë për të pasur e për të përdorur armë bërthamore. Pse? Sepse sot, me armatime kaq të stërholluara, ekziston rreziku të shkatërrohet njerëzimi, ose një pjesë e mirë e tij (...). Çfarë ka ndryshuar? Kjo ka ndryshuar: shtimi i armatimeve bërthamore (...). Këto armë janë bërë edhe më të sofistikuara, më mizore, aq sa mund t’i shkatërrojnë njerëzit, pa i prekur fare strukturat. E ky është kulmi!”.

Pas një pyetjeje tjetër, Papa foli për ungjillëzimin që, në disa rrethana, mund të krijojë edhe tensione. Duke cituar Benediktin XVI, Françesku pohoi se “Kisha nuk rritet përmes prozelitizmit, por përmes  forcës tërheqëse, që ushtron mbi njerëzit”.

Më pas u hap kapitulli i shtegtimeve apostolike, atyre që u parashikuan e pastaj u shtynë, si shtegtimi në Indi. Papa pranoi se hapësira e jugkontinentit do të kërkonte një të posaçëm - që në këtë çast është vetëm ide, por ndoshta, edhe diçka më shumë:

“Shtegtimi në Kinë nuk është në përgatitje(...). Do të më pëlqente, nuk e fsheh. Bisedimet me Kinën janë të nivelit të lartë kulturor (...) Pastaj ka edhe dialog politik, posaçërisht për Kishën kineze. Me çështjen e Kishës patriotike, Kisha klandestine duhet të ecë përpara hap pas hapi, me delikatesë, ashtu siç edhe po bën; (...) me durim të madh. Por portat e zemrës janë hapur!”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.