2017-12-02 13:25:00

Françesku të rinjve të Bangladeshit: mësohuni ta pranoni atë, që mendon ndryshe


Ashtu si në Mianmar, edhe vizita në Bangladesh përfundoi me takimin ndërmjet Papës e të rinjve. Takim me valle njëmijë ngjyrash e koreografish mahnitëse, me këngë e, sidomos, me gëzimin e papërshkrueshëm të 7 mijë të rinjve, që e pritën sot Françeskun në Notre Dame College të Dakës. E nuk ishin vetëm katolikë, por edhe shumë myslimanë e besimtarë të feve të tjera.

“Më duket sikur rinohem, sa herë ju takoj” - tha Françesku, i rrethuar nga entuziazmi, që kishte pushtuar fushën sportive ku zhvillohej takimi - të rinjtë janë gjithnjë të gatshëm të rrezikojnë - vijoi - për të nisur më pas një fjalim, kushtuar kuptimit të shtegtimit:

“Të shkojmë përpara” posaçërisht kur ndjehemi të shtypur nga problemet, nga trishtimi, nga nëpërkëmbjet e na duket se Zoti nuk shihet gjëkundi në horizont - i inkurajoi të rinjtë. Për të mos ravguar pa cak, por për të zgjedhur rrugën e drejtë, duhet urtia, që lind nga feja. Të duket sikur Zoti të kishte pozicionuar brenda nesh një software, që na ndihmon ta shqyrtojmë planin hyjnor, një software, që duhet azhurnuar, duke dëgjuar zërin e Zotit.

Është fjala për një urti, që rrezaton nga sytë e gjyshërve e të prindërve, të cilët e mbështetën besimin në Zotin: për ta marrë, duhet ta shikojmë botën, situatat tona, problemet tona, gjithçka, me sytë e Zotit, t’i dëgjojmë të tjerët me veshët e Zotit, t’i duam, me zemrën e Zotit e t’i vlerësojmë sendet, me vlerat e Zotit”.

Urtia e Zotit - nënvizoi Papa - na mëson t’i refuzojmë  premtimet e rreme për lumturi, që të çojnë vetëm në egoizëm e  na ndihmon t’i mirëpresim e t’i pranojmë ata, që veprojnë e mendojnë ndryshe nga ne. Nuk duhet, prandaj, të mbyllemi në “botën tonë të vogël”, të ngujohemi në vetvete, duke e bërë tonin parimin “kështu siç them unë, e mirupafshim!”, sepse kur një popull, një fe a një shoqëri bëhen “botë e vogël”, humbasin gjithçka të mirë që kanë e rrokullisen në mendësinë, e cila i shtyn njerëzit ta mbivlerësojnë vetveten e ta venë në qendër të botës, me bindjen “Unë jam i mirë, ti s’je kurrkushi”.

Françesku iu përgjigj kështu, fjalëve, që kishte dëgjuar më parë nga dy të rinj, Upasana e Anthony. Në thelb mesazhi i tij është se urtia e Zotit “na ndihmon t’ia hapim zemrën tjetrit”, na ndihmon të shkojmë përtej rehative e sigurive të rreme, për të mos i shikuar me sy të verbër, idealet e mëdha, të cilat e bëjnë jetën të denjë për t’u jetuar.

Papa shprehu kënaqësinë e vet që, së bashku me katolikët, ishin edhe të rinjtë e feve të tjera. “Me praninë tuaj këtu, së bashku, tregoni vendosmërinë për të krijuar klimën e harmonisë, në të cilën u shtrihet dora të tjerëve, pavarësisht nga ndryshimet fetare”. E kjo i kujtoi Françeskut  përvojën e një grupi studentësh të Buenos Ájres, që po ndërtonin disa lokale për famullinë, në një zonë shumë të varfër. Ishin të ndryshëm – kush katolik praktikant, kush komunist e kush hebre - por punonin së bashku, për të mirën e të gjithëve, e kishin hapur zemrën për miqësinë shoqërore e ishin të vendosur t’u përgjigjeshin me një ‘jo’ të prerë të gjithë atyre, që i kundërviheshin dëshirës së tyre për të ndihmuar njëri-tjetrin.

Së fundi, urtia e Zotit të ndihmon ta njohësh e ta pranosh trashëgiminë tënde kulturore: “Kultura juaj ju mëson t’i respektoni të moshuarit” - nënvizoi Papa, duke i nxitur të rinjtë të mos e kalojnë gjithë ditën e lume me celular, duke e injoruar botën, që i rrethon. Duhet të flasim edhe me prindërit e me gjyshërit, për të kuptuar se jemi pjesë e një shtegtimi tejet të lashtë e se realiteti është shumë më i madh se ne”.

Të krishterët e gjejnë shpresën në takimin me Jezusin në lutje, në Sakramente e në të varfërit, të sëmurët, të vuajturit. Me një fjalë, “në Jezusin zbulohet solidariteti i Zotit”:

“Duke soditur fytyrat tuaja - nënvizoi Papa - mbushem me gëzim e shpresë për ju e për vendin tuaj, për Kishën e për bashkësitë tuaja. Zoti - përfundoi - e bekoftë Bangladeshin!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.