Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Papa meshtarëve: dallojeni farën e mirë nga e keqja

Papa në Shtëpinë e Nënë Terezës

02/12/2017 11:59

Orët e fundit të shtegtimit të 21-të Apostolik të Papës në Azi. Sot Françesku do të largohet nga Daka, për t’u rikthyer në Romë, ku do të arrijë rreth orës 23.00.

Dita nisi me Meshën Shenjte, kremtuar privatisht. Më pas Françesku u largua nga nunciatura apostolike me auto, për të shkuar në “Shtëpinë e Nënë Terezës”, në lagjen Tejgaon, në kompleksin famullitar të Kishës së Rruzares Shenjte, që përfshin kishën e lashtë portugeze dhe dy varreza të krishtera.

Është zemra misionare e Bangladeshit, kjo qendër e Tejgaonit ku, në vitin 1580, etërit agostinianë portugezë nxorën nga qeveritari perandorak lejën të ngrinin një kishë e, tregtarët, dyqanet e tyre.

Papa i bekoi varret, ku pushojnë në paqe shumë misionarë e, duke hyrë në shtëpinë e motrave të Nënë Terezës, përqafoi e përshëndeti disa nga jetimët e të sëmurët, që jetojnë aty. Kaloi, pastaj, në Kishën e Rruzares Shenjte, për takimin e parë të ditës me 1500 rregulltarë, priftërinj, të kushtuar, seminaristë e novicë, të cilët kujdesen për jetën shpirtërore të katolikëve në këtë vend. Ndonëse katolikët janë vetëm 350 mijë, në një komb me 160 milionë banorë - kujtoi kryeipeshkvi Moses Costa, që e priti Papën në fillim të takimit - priftërinjtë, rregulltarët e rregulltaret gëzojnë respektin e të gjithëve dhe kanë autoritet të fortë moral në shoqëri.

Jemi pakicë - shtoi - por misioni ynë baritor në edukim, në shëndetësi e në bamirësi u shërben të gjithëve, pa dallim kaste, besojme, race. E pasuria e thirrjeve meshtarake - kujtoi me kënaqësi - na bën të shpresojmë shumë për të ardhmen.

Më pas Papa dëgjoi dëshmitë e atë Abelit, që foli për rëndësinë  e kultivimit të lidhjes së ngushtë me Jezusin; të atë Franco Caniasso-s, misionar i Pime, me origjinë nga Torino, që nga viti ’78 në Bangladesh, të motrës Mary Chandra, e cila foli për gëzimin, që buron nga thirrja rregulltare, si edhe të rregulltarit të moçëm Fratel Lawrence, të cilin Papa e përqafoi, pasi e dëgjoi të fliste për jetën e tij në një strehë vetmitare, ku shuan etjen shpirtërore të njerëzve.

Pastaj Françesku u dha klerikëve këshillat e tij atërore, për të kaluar një jetë sa më të mirë në bashkësitë e tyre.

Thirrja - u kujtoi - është farë, që duhet rritur e duhet përkujdesur me dashuri, duke e ruajtur nga djalli, që mbjell egjër e duke e dalluar farën e mirë nga e keqja. Këto, disa nga fjalët e Papës, i cili njerëzve të Kishës u foli në gjuhën spanjolle, duke ua dorëzuar të pranishëmve fjalimin e përgatitur për ta.

Në bashkësitë tuaja si ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë, rregulltare e seminaristë - vijoi Françesku - ruajuni nga përçarjet, që shkaktohen prej thashethemeve, armike të harmonisë. Nëse keni ndonjë gjë për t’ia thënë sivëllait, thojani sy për sy. E, ju porosis të jeni gjithnjë me buzë në gaz, kurrë me fytyra të trishta, edhe në çaste dhimbjesh e vështirësish. Kërkoni paqen, e do të gjeni gëzimin - i inkurajoi - duke i siguruar se, ndonëse bashkësia katolike në Bangladesh është e vogël, në gjirin e saj ata janë fara e senapit, që Zoti e bën të rritet e të japë fryt në kohën e duhur.  E tregon vetë historia e kësaj Kishe, ku aradhe misionarësh u kujdesën për farëzën e fesë në rrjedhë të pesë shekujve. E tani të rinjve u takon ta vijojnë me të njëjtin zell misionin e atyre, që flejnë në varrezat këtu pranë - kujtoi - E nga të vdekurit, Papa kaloi tek të rinjtë, duke shprehur kënaqësinë e tij të thellë për thirrjet e shumta të lindura në këto troje e edhe për praninë e motrave të klauzurës e të lutjeve të tyre: shenjë e hirit me të cilin Zoti po e bekon Bangladeshin.

Më pas, në qendër të bisedës së Papës, shqiptuar në Kishën e Rruzares Shenjte, vlera e Rruzares në jetën e shpirtërore dhe në shërbimin apostolik.

Rruzarja - theksoi - na ndihmon t’i meditojmë Mundimet dhe vdekjen e Krishtit në kryq e, duke hyrë më në thellësi të mistereve të dhimbjes, arrijmë ta njohim forcën e tyre shëlbuese e të jemi të gatshëm ta dhurojmë edhe ne vetveten:

“Meshtaria e jeta rregulltare nuk janë udhë karriere - theksoi me forcë Papa - Nuk janë shtigje për të ecur përpara. Janë shërbim, pjesëmarrje në dashurinë e Krishtit, që flijohet për grigjën e vet. Jetët tona nuk na përkasin më. Nuk jemi më ne që jetojmë, por Krishti, që jeton në ne” (krh Gal 2,20).

Së fundi Rruzarja na mbush me gëzim për ngadhënjimin e Krishtit mbi vdekjen, për të ngjiturit në të djathtën e Atit dhe për dikimin e Shpirtit Shenjt mbi botë.

Mos e humbisni kurrë guximin! E gëzohuni gjithnjë në Tënzonë - u bëri thirrje Papa meshtarëve - duke u kërkuar të jenë dëshmitarë gjithnjë më të gëzueshëm, përmes forcës e Ungjillit, për t’i sjellë shëndet, pajtim e paqe botës sonë!

02/12/2017 11:59