2017-12-02 06:00:00

Pamje e fjalë nga vizita e Papës Françesku në Mianmar e në Bangladesh


Përfundoi sot udhëtimi i 21-të apostolik i Papës Françesku në Azi, që e çoi fillimisht në Mianmar – vend me shumicë budiste – e më pas, në Bangladesh – vend me shumicë myslimane. Të dyja vizitat, Ati i Shenjtë Bergoglio i përfundoi duke takuar të rinjtë, për t’u treguar kështu, Kishës dhe qeverisë vendore, cila është shpresa e së ardhmes, në një zonë, ku paqja nuk është aspak e qëndrueshme e has vështirësi të përditshme.

Papa i ftoi të rinjtë birmanë e bengalezë të pranojnë e të mirëpresin ata, që veprojnë e mendojnë ndryshe nga shumica, sepse pikërisht larmia e grupeve të ndryshme etnike dhe fetare, karakteristikë për dy vendet, përbën edhe mundësinë e tyre për pasurim e zhvillim të mëtejshëm.

“Kur një popull, një fe apo një shoqëri bëhen një ‘botë e vogël’ e mbyllur, humbasin gjithçka kanë më të mirë dhe bien në një mendësi fodulle, në atë të ‘unë jam i mirë e ti je i keq’”- u tha të rinjve të Bangladeshit.

Kuptimplote edhe ftesa, që Ati i Shenjtë u drejtoi të rinjve të Mianmarit. “Të jeni shenja shprese për të shkurajuarit, dorë e shtrirë për të sëmurët, buzëqeshje mikpritëse për të huajt, mbështetje e kujdesshme për të vetmuarit”.

Takimi me Aung San Suu Kyi dhe me myslimanët Rohingya

Pa dyshim, ajo që priste bota nga Papa Françesku, ndodhi. Ati i Shenjtë ngriti zërin për të drejtat e pakicave në shtetin e Rakhines, gjatë vizitës së tij në Mianmar, në takimet me presidentin e vendit, me krerët ushtarakë dhe me këshilltaren e shtetit, Aung San Su Kyi, Çmim Nobel për paqen. Por në Bangladesh, i quajti me emër këto pakica, myslimanët Rohingya, refugjatë të ikur nga Mianmari, për shkak se aty nuk njihen nga qeveria e nuk kanë të drejta të barabarta me vendasit. Papa Françesku i takoi të premten, në fund të takimit ndërfetar dhe ekumenik, në kryeipeshkvinë e Dakës. Prania e Zotit sot, mban emrin tuaj, u tha Françesku, i cili u shprehu atyre afërsinë e tij e të gjithë bashkësisë katolike. Ati i Shenjtë kërkoi falje në emër të gjithë atyre, që i kanë persekutuar, duke kujtuar se edhe Rohingya-t janë krijuar në shembëlltyrë e në përngjasim me Hyjin e gjallë, prandaj e ftoi botën t’u qëndrojë pranë derisa t’u njihen të drejtat.

Pamjet, që do të mbeten

Ky udhëtim i Papës Françesku në Mianmar e Bangladesh do të kujtohet edhe për disa nga pamjet më të bukura, që ofroi. Vizita në Shtëpinë e motrave të Nënë Terezës në Tejgaon, për shembull, nga ku murgeshat e bamirësisë u shërbejnë mijëra njerëzve me probleme mendore dhe fizike. Papa mbajti për dore, si të ishte gjysh, dy vajza të vogla, duke i marrë më vete gjatë gjithë vizitës. U tha fëmijëve të mbledhur në kishë të luteshin për të dhe i këshilloi të gjithë të thonë një “Falemi Mari” para se të flenë.

 Tjetër fotografi, ajo e bekimit të shtatë meshtarëve të sëmurë në Shtëpinë e meshtarëve të moshuar, gjithnjë në Daka. E pastaj, numri 16, që përsëritej vazhdimisht. Në Mianmar, mbetet në kujtesë bekimi i gurit të parë të 16 kishave të reja, të Seminarit të Madh dhe të nunciaturës apostolike, pas takimit me ipeshkvijtë e vendit. 16, edhe meshtarët e rinj të shuguruar nga Papa në Bangladesh, ashtu si edhe 16, refugjatët Rohingya, që takoi.

E më tej, ngjyrat e veshjet. Vijnë ndërmend budistët “Sangha” të Miamarit, që mbushën me ngjyrë portokalli e të murrme, sallën e takimit me Papën në Pagodën e paqes botërore, në Jangon. Por edhe veshjet e ndryshme të katër përfaqësuesve të bashkësive fetare myslimane, hinduiste, budiste dhe katolike, që përshëndetën Atin e Shenjtë në Bangladesh.

Greg Burke: “bashkim në larmi”

Siç tha Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke, në përfundim të vizitës në Mianmar, fjalët kyçe të Papës Françesku, vërtet për vendin e Aung San Suu Kyi-së, por të vlefshme edhe për vizitën në Bangladesh, janë “bashkim në larmi”.
“Mund të përshkruhet udhëtimi i Papës – shpjegoi Burke – me këto fjalë: bashkim në larmi, siç tha vetë Françesku në bisedën me krerët fetarë. Bashkim, edhe brenda kësaj Kishe të vogël Katolike, për rolin që luan në gjithë shoqërinë. Papa foli për këtë si në meshë, ashtu edhe në takimin me ipeshkvijtë. E pastaj ‘bashkim’ në punën me të tjerët. Papa foli mbi bashkëpunimin për paqen dhe respektimin e dinjitetit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.