Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Papa: bashkëpunimi ndërmjet besimtarëve është zemra, ku rreh kultura e paqes

Papa Françesku shtrëngon duart me katolikët në Takimin ndërfetar dhe ekumenik - EPA

01/12/2017 14:58

Takimi ndërfetar dhe ekumenik për paqen, që Papa Françesku e quajti “çast kuptimplotë i vizitës sime në Bangladesh”, u mbajt në oborrin e rezidencës së kryeipeshkvit të Dakës, ku ishin të pranishëm rreth 5 mijë vetë. Ora 17 vendase e këtij takimi përkon me mesditën në trevat shqiptare. Para fjalëve të Papës, himne e valle tradicionale, përshëndetja e pesë përfaqësuesve të bashkësive fetare dhe të shoqërisë civile, si edhe Kënga për paqen. Ati i Shenjtë u takua edhe me 16 myslimanë Rohingya, refugjatë në Bangladesh. Dëshira e përbashkët “për harmoni, vëllezërim e paqe, pjesë e mësimeve të të gjitha feve të botës” është arsyeja për t’u mbledhur së bashku, nënvizoi Papa.

“Takimi ynë i pasdites – uroi Françesku – qoftë shenjë e qartë e përpjekjeve të liderëve dhe ndjekësve të feve të pranishmë në këtë vend, për të jetuar së bashku, në respekt të ndërsjelltë. Në Bangladesh, ku e drejta e lirisë fetare është parim themelor, ky impenjim qoftë thirrje plot respekt, por e vendosur, për ata, që përpiqen të nxisin ndarje, urrejtje e dhunë në emër të fesë”.

Ky mendim i Atit të Shenjtë u mishërua qartas në përshëndetjen e tij me refugjatët Roingya, të ikur nga Mianmari, në fund të takimit ndërfetar dhe ekumenik. Prania e Zotit sot, mban emrin tuaj, u tha Papa, i cili u shprehu atyre afërsinë e tij e të gjithë bashkësisë katolike. Ati i Shenjtë kërkoi falje në emër të gjithë atyre, që i kanë persekutuar, duke kujtuar se edhe Rohingya-t janë krijuar në shembëlltyrë e në përngjasim me Hyjin e gjallë, prandaj e ftoi botën t’u qëndrojë pranë derisa t’u njihen të drejtat.

Puna e përbashkët për formimin e kulturës së takimit e të dialogut, tha Papa për liderët fetarë, para se myslimanët Rohingya të ngjiteshin në podium, kërkon diçka më tepër se tolerancën e thjeshtë. Na nxit të krijojmë atë bashkim, që nuk i sheh ndryshimet si kërcënim, por si mundësi për pasurim dhe zhvillim. Kusht për kulturën e takimit, theksoi Ati i Shenjtë, është hapja e zemrave. Ato janë portat, që bëjnë të mundur fillimin e dialogut, i cili nuk duhet të jetë shkëmbim i thjeshtë idesh.

Kultura e takimit “kërkon vullnet të mirë dhe mikpritje – shpjegoi Papa – por nuk duhet të zëvendësohet me indiferencën, ose me heshtjen kur është fjala për të shprehur bindjet tona më të thella”. Dialogu duhet të karakterizohet nga përvuajtëria, ndershmëria dhe respekti.

Hapja e zemrës, nënvizoi Françesku, është edhe “shkallë” për të arritur te Zoti i Gjithpushtetshëm, për ta spastruar shpirtin, duke gjetur “urtinë dhe forcën e nevojshme për t’u shtrirë dorën miqësore të gjithëve”.

Hapja e zemrës, vijoi Papa, është edhe “udhë”, që na nxit t’i duam të mirën të afërmit. “Impenjimi i fesë për të mirën e të afërmit, impenjim që lind nga zemra e hapur, rrjedh si lumë i madh, duke vaditur tokat e thara e të shkretuara të urrejtjes, të korrupsionit, të varfërisë e të dhunës, që kaq shumë e dëmtojnë jetën njerëzore, i ndajnë familjet dhe e shpërfytyrojnë dhuratën e Gjithësisë së krijuar nga Zoti”, shtoi Ati i Shenjtë.

Bashkëpunimi ndërmjet besimtarëve është zemra, ku rreh kultura e harmonisë dhe e paqes, theksoi Françesku: “Sa nevojë ka bota për këtë zemër, që rreh me forcë, për t’iu kundërvënë virusit të korrupsionit politik, të ideologjive fetare shkatërrimtare, të tundimeve për t’i mbyllur sytë para nevojave të të varfërve, të refugjatëve, të pakicave të persekutuara e të më të brishtëve!”

Bashkësitë fetare në Bangladesh, pranoi Papa, impenjohen shumë për mbrojtjen e tokës e për kulturën e takimit, duke respektuar ndjekësit e të gjitha feve, në një vend ku jetojnë 135 grupe etnike të njohura zyrtarisht e së paku, katër fe të ndryshme. “Kështu, ndihmohen të gjithë besimtarët – përfundoi Ati i Shenjtë – të ecin përpara me urti e shenjtëri dhe të bashkëpunojnë për të ndërtuar një botë gjithnjë e më njerëzore, më të bashkuar e më paqësore”.

01/12/2017 14:58