2017-12-01 18:52:00

Françesku Amerikës Latine: “Politika, e parë si formë e bamirësisë”


Politika e parë si “formë e lartë e bamirësisë”. Me këtë frazë të Papës, shqiptuar në Videomesazhin me rastin e “takimit të katolikëve në politikë, për t’u shërbyer popujve latinoamerikanë”, vihet theksi tek mënyra si e kupton  Kisha të mirën e shoqërisë.

Ç’do të thotë, pra, e mirë e përbashkët? E politikë e vënë në shërbim të saj? Kjo, pyetja, së cilës i jep përgjigje Papa në videomesazh.

Françesku shpjegon se politika, duke qenë shërbim, nuk është shërbëtore e ambicjeve individuale ose e prepotencës “të qendrave të interesit, që arrijnë deri aty, sa të praktikojnë format e autokracisë e të totalitarizmit”.

Prej këtu niset Papa, për të nënvizuar: “Mund të pohohet se Jezusi,  që erdhi për të shërbyer, jo për t’u shërbyer – pikërisht këtë shërbim kërkon nga apostujt e dishepujt e tij e, për analogji, edhe nga politikanët”. E është shërbimi, flijimi e përkushtimi, që na shtyjnë nganjëherë t’i shikojmë politikanët si “martirë” të çështjeve, të cilat kanë të bëjnë me të mirën e kombeve të tyre.

Françesku porosit  të rehabilitohet dinjiteti i politikës e të rifillojë dialogu i hapur e i respektueshëm, që kërkon edhe konvergjencat e mundshme.

Për t’i përballuar sfidat e Kontinentit latino-amerikan - vijon të kujtojë Papa – duhet përforcuar indi familjar e shoqëror, “duke nxitur kulturën e takimit, që i lë pas shpine darat e individualizmit e të masifikimit, të polarizimit e të manipulimit”. Duhet të vëmë në plan të parë kujdesin për shtëpinë e përbashkët e për banorët e saj më të ligësht e të ecim drejt demokracive, pa plagën e korrupsionit e të kolonizimeve ideologjike, ose pretendimeve autokratike dhe demagogjive pa kurrfarë vlere. “Nuk mund të dorëzohemi - thekson Françesku - përballë situatës së kalbur, në të cilën debatojmë shpesh herë”.

Në këtë kornizë, Papa citon fjalët e Benediktit XVI me rastin e hapjes së Konferencës V të Përgjithshme të Episkopatit Latinoamerikan të Aparesidës “lidhur me mungesën e dukshme, në fushën politike, të zërave dhe nismave të liderëve katolikë me personalitet të fortë e përkushtim fisnik, koherentë me bindjet e tyre etike e fetare”

Papa kujton edhe rrezikun që kontributi i krishterë në veprimtarinë politike të manifestohet vetëm përmes deklaratave të episkopatit lidhur me vënien në dukje të misionit të posaçëm të laikëve katolikë për  të rregulluar, për të drejtuar e për të shndërruar shoqërinë, sipas kritereve ungjillore dhe trashëgimisë së Doktrinës.  

Prej këndej Françesku shpjegon arsyet e shqetësimit të tij përballë rrezikut të klerikalizmit dhe tundimit për të menduar se laik i angazhuar është ai, që punon në veprat e Kishës, në famulli a në dioqezë. Por nuk duhet kujtuar se laikë të impenjuar, siç mendohet, janë vetëm ata, “që merren me punë priftërinjsh” – pohon Papa – Laikë të tillë janë të gjitha ata, që shkrijnë çdo ditë jetën në përpjekjen për ta jetuar krishtërisht fenë e vet. E pikërisht këtë klerikalizmi nuk ka sy për ta parë, “sepse shqetësohet më shumë për të sunduar hapësira, sesa për të krijuar procese”. Si barinj, të bashkuar me popullin – përfundon - na bën  mirë ta pyesim veten si po e stimulojmë dhe po e promovojmë bamirësinë dhe vëllazërinë, dëshirën për të bërë mirë dhe për t’i shërbyer së vërtetës e së drejtës e, sidomos, për t’ju kundërvënë korrupsionit, duke mos lejuar të na e bëjë strofkën edhe në zemrën tonë. Madje, edhe në zemrat tona prej barinjsh. E, njëkohësisht “na bën mirë t’i dëgjojmë me vëmendje përvojën, reflektimet dhe shqetësimet, që mund të ndahen me laikët, të cilët e jetojnë fenë e tyre në fusha të ndryshme të jetës shoqërore e politike”.








All the contents on this site are copyrighted ©.