Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 1 të kohës së Ardhjes ‘B’

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 1 të kohës së Ardhjes ‘B’ - RV

01/12/2017 00:00

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së Parë të kohës së Ardhjes, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.....

Me të dielën e I të Ardhjes, fillojmë një Vit të Ri kishtar, gjatë të cilit, përmes Liturgjisë së Fjalës së Zotit, gjatë ciklit të dytë, nën udhëheqjen e Shën Markut Ungjilltar, do të njihemi çdo ditë, çdo të diele, çdo të kremte liturgjike me jetën, veprën shelbuese dhe porosinë e Zotit tonë Jezu Krisht, Shpëtimtarit të mbarë njerëzimit.

Me këtë të Diele të Parë të Ardhjes, pra, Kisha katolike fillon udhën dhe përgatitjen shpirtërore për besimtarët, drejt takimit me Jezu Krishtin që vjen. E Fjalës se Hyjit e Dielës së I të Ardhjes na thërret t’ia përgatisim rrugën Zotit në shpirtin tonë! Jezusi, në Ungjill, për tri herë, përsërit thirrjen “Rrini zgjuar” e “rrini gati”, si këshillë, si ftesë, si urdhër, por edhe si paralajmërim i një Ati, që shqetësohet për të gjithë bijtë e tij, për të qenë të kujdesshëm e për të mos u dorëzuar para lodhjes, vështirësive e shqetësimeve të kësaj kohe e bote, që kalon shpejt. Për këtë Ai kërkon nga ne t’i lirojmë zemrat nga gjithçka që rëndon e pengon për t'u takuar me Zotin  jetës e t’i themi: eja o Zot Jezus.

Pra, me këtë diele të Parë të kohës liturgjike të Ardhjes, fillojmë përgatitjen tonë shpirtërore për kremtimin e Krishtlindjes, për pritjen e Zotit që përshkon udhët tona njerëzore dhe që vjen vazhdimisht e pambarimisht në historinë tonë, duke kërkuar një zemër të gatshme për të banuar, për t’u mishëruar dhe për të realizuar veprën e shëlbimit. 

Po kujtojmë se liturgjia e Fjalës së Zotit gjatë katër të dielave të kohës së Ardhjes, që paraprijnë dhe përgatisin festën e Krishtlindjes, na propozon disa personazhe apo figura madhore biblike që na ndihmojnë e na udhëheqin në udhën tonë shpirtërore drejt Shpellës së Betlehemit, për ta gjetur e përqafuar Zotin e Mishëruar për dashuri, e këta janë: Zoja e Bekuar, Virgjëra Mari, Izaia profet dhe Gjon Pagëzuesi. Krishtlindja do të thotë pikërisht Mishërim i Zotit Jezu Krisht në natyrën tonë njerëzore dhe në jetën tonë personale. 

Liturgjia e kësaj së diele të parë të Ardhjes na thërret ta presim Krishtin të zgjuar, të gatshëm e të aftë për ti njohur e kuptuar shenjat e pranisë së tij hyjnore mes nesh. Duhet të jemi të përgatitur, kurdoherë të gatshëm, sepse Zoti vjen atëherë kur nuk mendojmë dhe nuk e presim, pra, vjen papritmas, kështu është mirë për ne, që kur të vijë në jetën tonë, të na gjejë zgjuar e të përgatitur për ta pranuar në zemrat tona. Pra, koha e Ardhjes është përgatitje për Krishtlindje, por është edhe kohë e volitshme, për t’iu kushtuar dëgjimit të Fjalës së Zotit, sepse Fjala e Zotit është dritë për hapat në jetën tonë të përditshme.

                LITURGJIA E FJALËS

Leximi i pare (Is 63, 16-17; 64, 1-7)
Profeti Isaia i drejtohet Hyjit me emrin –Atë- që është qendra e besimit tonë, sepse kështu Hyji u zbulua në Krishtin Jezus që ne e presim në Krishtlindje si vëllain tonë të bërë njeri si ne. Për këtë Hyji thërret secilin prej nesh të bëhet Bir në një besëlidhje dashurie. Ai na siguron mbështetjen e tij, ndërsa ne duhet të kemi besim në të , ta duam dhe t’i shërbejmë.

Lexim prej Librit të Isaisë profet 
Sepse ti, o Zot, je Ati ynë! Abrahami ne s’na njeh, Izraelit s’i kujtohemi; por ti, o Zot, je Ati ynë, shpëtimtari ynë: i amshueshëm është emri yt. Pse na bën të endemi, o Zot, larg prej udhëve të tua, pse na e ngurove zemrën që të mos të druam? Kthehu për dashuri ndaj shërbëtorëve të tu, për dashuri të fiseve të pronës sate! U bëmë tash një kohë të gjatë si ata, të cilët ti nuk sundon, asish, mbi të cilët s’u thirr emri yt.
Ah, sikur ti t’i shqyeje qiejt e të zbritje, para fytyrës sate malet do të dridheshin, sikurse zjarri që i djeg krandet, dhe ujin e bën të vlojë – që armiqtë e tu t’i bësh ta njohin emrin tënd. Para fytyrës sate paganët do të dridhen kur të besh mrekulli që ne nuk i shpresonim. Ti zbrite e para fytyrës sate malet u dridhen! Qysh se ka zënë jeta fill nuk u ndie, kurrë me veshë nuk u dëgjua, askurrë syri nuk e pa, se një Zot, përveç Teje, të ketë vepruar ndonjë gjë të tillë për ata që shpresojnë në të. U ndihmon atyre që me gëzim zbatojnë të drejtën, edhe atyre që, në udhët e tua, të kujtojnë. Ja, ti u hidhërove, sepse ne mëkatuam; në udhët e dikurshme do të gjejmë shpëtim. Të gjithë ne kemi qenë porsi i papastri, si petk i ndytë të gjitha drejtësitë tona, të gjithë u vyshkëm porsi gjethi, të këqijat tona na tresin si era. S’është asnjë që e thërret emrin tënd, që të zgjohet e të mbështetet në ty, sepse e fshehe prej nesh fytyrën tënde dhe na lëshove në dorë të keqbërësisë sonë. Megjithatë, Ati ynë je, o Zot, jemi argjilë e ti je vorbëtari ynë, të gjithë jemi vepër e duarve të tua. Fjala e Zotit 

Psalmi 80 (79) 
Ref: Shndrite, o Zot, fytyrën tënde dhe na shpëto. 

_____________ 
Dëgjo, o Bariu i Izraelit,
ti, që rri në fron mbi kerubinë, shkëlqe,
zgjoje pushtetin tënd dhe eja në ndihmë
për të na shpëtuar!
_____________ 
Dora jote qoftë mbi njeriun e së djathtës sate, 
mbi birin e njeriut që për vete e rrite.
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje:
na përtërij e do ta thërrasim emrin tënd.
_____________ 
 

Leximi i dytë (1 Kor 1, 3-9)
Të krishterët kanë marrë nga Hyji dhuratën e Krishti, kanë mësuar Ungjillin e tij, dhe tani njohin mirësinë dhe besnikërinë e Hyjit. Këto dhurata rriten nga dita në ditë deri në shfaqjen e plotë të Zotit në ne. Ardhja na fton për një shpresë bashkimi të përkryer me Krishtin, të themeluar mbi përvojën e pranisë së tij që qysh tani ndriçon jetën tonë.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht! Përherë i falem nderit Hyjit tim për ju që jua dha hirin hyjnor me anë të Krishtit Jezus, sepse në Krishtin ju u bëtë të pasur me gjithçka – në çdo dije. Kështu, aq u përforcua në ju dëshmia e Krishtit, sa që nuk ju mungon asnjë dhuratë juve që pritni zbulimin e Zotit tonë Jezu Krishtit. Por edhe Ai do t’ju forcojë deri në fund që të jeni pa mungesa në ditën e Zotit tonë Jezusit. Besnik është Hyji që ju thirri në shoqërinë e Birit të vet, Jezu Krishtit, Zotit tonë. Fjala e Zotit!

ALELUJA, Aleluja.

Na e trego, o Zot, mëshirën tënde, 
dhe na e jep shëlbimin tënd.
Aleluja.
 

Ungjilli (Mk 13, 33-37) 
Vigjiloni: është urdhri i Zotit. Vigjilimi nuk është pritja e një të ardhmeje të largët, por mikpritja e një të tashmeje të gjallë: mbretëria e Hyjit është tashmë këtu. Të vigjilosh do të thotë të lexosh të tashmen dhe të zbulosh amshimin. Nuk jemi kurrë mjaft zgjuar dhe të aftë për të pranuar Hyjin që gjendet shpesh aty ku ne me mençurinë tonë të varfër nuk e kishim parashikuar. 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut 
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Rrini me kujdes! Rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë ai çast. Me të do të ndodhë, si me atë njeri që, duke u nisur për rrugë, e la shtëpinë e vet dhe ua la në kujdes shërbëtorëve: secilit ia caktoi punën e vet e derëtarit i urdhëroi të rrijë zgjuar. Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndojnë gjelat apo në mëngjes – që, nëse vjen papritmas, të mos ju gjejë fjetur. 
Çka po ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!” Fjala e Zotit!
 

01/12/2017 00:00