2017-11-30 11:44:00

Papa, të rinjve të Mianmarit: të jeni shenja shprese për të gjithë


Një katedrale të rinjsh, ngjyrosur me kostumet tradicionale birmane e me mijëra fytyra të gëzueshme, brenda e jashtë anijatave, mbushur me tingujt kumbues të këngëve, zë i një feje të sprovuar nga vështirësitë. Mesha Shenjte, takimi i fundit i Papës Françesku në Mianmar, para se të nisej për në Bangladesh, ishte vërtet festë e një feje të re, një përgjigje gatishmërie ndaj ftesës së Pasardhësit të Shën Pjetrit gjatë homelisë, për të qenë “të guximshëm, bujarë e, sidomos, të gëzueshëm!”

         Në tempullin neogotik të Jangonit, kushtuar Zojës së Papërlyer, freskuar nga një puhizë e pazakontë, pas lagështisë së ditëve të para të vizitës së tij, Papa u kujtoi të rinjve të vendit fjalët e Shën Palit Apostull: “Ju jeni lajmi i mirë”, sepse shenjë konkrete e fesë së Kishës në Krishtin, “i cili na sjell gëzim e shpresë pa fund”. Po ku janë lajmet e mira, pyeti Françesku, para padrejtësisë, varfërisë dhe mjerimit në botë? Mesazhi i Papës qe i qartë:

         “Do të dëshiroja që njerëzit ta dinë se ju, të rinjtë e të rejat e Mianmarit, nuk keni frikë të besoni në lajmin e mirë të mëshirës së Zotit, sepse ai ka një emër e një fytyrë: Jezu Krishti. Si lajmëtarë të këtij lajmi të mirë, të jeni gati t’i çoni një fjalë shprese Kishës, vendit tuaj dhe botës”.

         Nevojitet pasioni juaj për të drejtat e njeriut, për drejtësinë dhe për jetimin e dashurisë e të paqes, dhuruar nga Krishti, nënvizoi më tej Papa, duke u propozuar të rinjve të Mianmarit sfidën për t’iu përgjigjur pyetjeve të shën Palit apostull në Leximin e parë të meshës së sotme. Për ta dëgjuar Jezusin, u tha, së pari, duhet ta takoni Atë në lutje, t’i flisni, “të ndani me Të gjithçka keni në zemër”, frikën, shqetësimet, ëndërrat e shpresën.

         E si të dëgjojmë të flitet për Jezusin pa një lajmëtar? Është kjo, pyetja e dytë e Shën Palit dhe detyra, që Papa u besoi të rinjve: të jeni “dishepuj misionarë”, u kërkoi, lajmëtarë të Jezusit, sidomos ndër miq e dashamirë. Mos kini frikë se po i ngatërroni punët, i qetësoi Ati i Shenjtë të rinjtë, duke i këshilluar të bëjnë pyetje, që i nxisin njerëzit të mendojnë:

         “Për këtë, gjeni mënyrën t’ju dëgjojnë! Do t’ju kërkoja të bërtisni, por jo me zë, jo, do të doja të thërrisni me jetë, me zemër, që të jeni shenja shprese për të shkurajuarit, dorë e shtrirë për të sëmurët, buzëqeshje mikpritëse për të huajt, mbështetje e kujdesshme për të vetmuarit”.

         Për këtë - vijoi Papa Françesku, duke u thënë të rinjve se kështu do t’i përgjigjen edhe pyetjes së tretë të Shën Palit – në përfundim të meshës do të dërgohemi të gjithë për t’i ndarë dhuratat e marra me të tjerët. Por jo të vetëm, sepse Jezusi ecën me ne, na fton ta ndjekim, siç bëri me Shën Andreun, të cilin e festojmë sot. Nuk duhet të nxitohemi për të ecur përpara me forcat tona:

         “Zoti do ta ftojë ndokënd prej jush ta ndjekë si meshtar e të bëhet kështu, ‘peshkatar njerëzish’. Të tjerë do t’i thërrasë të bëhen rregulltarë. E të tjerë akoma do t’i thërrasë në jetën martesore, për të qenë nëna e baballarë fort të dashur. Cilado të jetë thirrja juaj, ju këshilloj të jeni guximtarë, të jeni bujarë e, sidomos, të jeni të gëzueshëm!”.

         Shembulli për të gjithë është Maria, e cila, e re si ju, përfundoi Papa, pati guximin për të besuar në Lajmin e Mirë, që dëgjoi e, ta zbatojë në një jetë, të cilën ia besoi plotësisht Zotit. Si Maria, përfundoi Papa Françesku meshën me të rinjtë e Mianmarit, para se të nisej për në Bangladesh, “qofshi të gjithë të butë, por të guximshëm kur u çoni të tjerëve Jezusin dhe dashurinë e Tij”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.