Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Papa në Bangladesh kërkon të zgjidhen çështjet politike për refugjatët nga Rakhine

Papa me Presidentin e Bangladeshit, Abdul Hamid - REUTERS

30/11/2017 14:39

Shkoi tek refugjatët e strehuar në masë në Bangladesh, ardhur nga Shteti  Rakhine, në Mianmarin lindor, mendimi i Papës, në fjalimin e parë zyrtar mbajtur në Daka, gjatë takimit me autoritetet, trupin diplomatik dhe shoqërinë civile. Françesku e theksoi situatën e tyre të rëndë, duke kërkuar të merren masa të frytshme ndërkombëtare. Në një tokë, të cilën presidenti i Repubikës, Abdul Hamid, e quajti “vend me harmoni fetare, paqe e humanitet”, Papa kujtoi se këto popullsi gjetën strehën e përkohshme e plotësimin e nevojave të dorës së parë për jetën, realizuar me flijime jo të pakta nga ana e vendit mikpritës. E ky ishte një aksion i kryer para syve të mbarë botës.:

“Asnjë prej nesh nuk mund të mos jetë i vetëdijshëm - vërejti Papa - për një situatë kaq të rëndë, për vuajtjet njerëzore e kushtet e vështira të jetesës së  vëllezërve e motrave, shumica gra e fëmijë, grumbulluar në kampet e refugjatëve. Është e nevojshme - vijoi - që bashkësia ndërkombëtare të marrë masat e duhura përballë kësaj krize të rëndë, jo vetëm duke punuar për t’i zgjidhur çështjet politike, që shkaktuan zhvendosjen masive të njerëzve, por edhe duke i dhënë ndihmë të menjëhershme materiale Bangladeshit, në përpjekjen e tij për t’iu përgjigjur faktikisht nevojave urgjente njerëzore”.

Fjalimi i Papës drejtuar qeverisë, autoriteteve civile dhe Trupit Diplomatik, ishte një sintezë e thellë e realitetit aktual të Bangladeshit, që nisi me vlerësimin e bukurive natyrore të “Golden Bengal”, për të vijuar me marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë e vendit aziatik, me vlerat e kësaj demokracie të re, rolin e katolikëve në të, rëndësinë e dialogut e të bashkëpunimit ndërmjet kombeve, strehimin e refugjatëve, luftën kundër  terrorizmit e pasojat e tij në vend.  

Pasi falënderoi autoritetet vendore, për ftesën e edhe për fjalët e përzemërta të mirëseardhjes, Papa kujtoi menjëherë qëllimin e kësaj vizite:

“Shkel këtu mbi gjurmët e dy paraardhësve të mi, Papës Pali VI dhe Gjon Pali II, për t’u lutur me vëllezërit e motrat e mia katolike dhe për t’u ofruar një mesazh dashurie e inkurajimi”.

Bangladeshi - vijoi - është shtet i ri, por që ka pasur gjithnjë vend të veçantë në zemrën e Papëve, të cilët që në fillim i  shprehën popullit të tij solidaritetin dhe dëshirën për ta shoqëruar në kapërcimin e pengesave fillestare, duke e mbështetur në përpjekjet për ndërtimin e kombit e edhe për zhvillimin e tij:

“Ky, pra qëllimi i këtij shtegtimi, në një botë - kujtoi Papa - ku asnjë bashkësi e veçantë, komb a shtet, nuk mund të mbijetojë e të përparojë në izolim. Si anëtarë të familjes së vetme njerëzore ‘kemi nevojë për njëri-tjetrin e varemi nga njëri tjetri’”. Këtë e theksoi fort Papa, për të kujtuar, në vijim, themeluesit e Bangladeshit, të cilët jo vetëm që e kuptuan këtë parim bazë, por edhe e pasqyruan në Kushtetutën kombëtare. Ata - vijoi Ati i Shenjtë - përfytyruan një shoqëri moderne, pluraliste e gjithëpërfshirëse, në të cilën çdo njeri e çdo bashkësi do të mund të jetonte në liri, në paqe, në siguri, duke gëzuar dinjitet, barazi, drejtësi. Kjo demokraci e re dhe mbarëvajtja e jetës së saj politike lidhen ngushtë me benikërinë ndaj këtij vizioni themelues - shtoi Papa – i cili në vijim vuri theksin tek domosdoshmëria e dialogut  të sinqertë, i vetmi që mund të ndihmojë për të kapërcyer perspektivat e njëanshme e për të shikuar drejt një ardhmërie, që i shërben së mirës së përbashkët, duke u kujdesur për të gjithë qytetarët, posaçërisht për më nevojtarët, për njerëzit që nuk kanë zë.

Françesku kujtoi edhe takimin që do të ketë, në Ramna, me liderët ekumenikë e ndërfetarë, për t’u lutur për paqen, duke ripohuar angazhimin e përbashkët në këtë drejtim. Foli për atmosferën e respektit reciprok dhe klimën e dialogut ndërfetar, që u krijojnë besimtarëve kushtet për t’i shprehur lirisht bindjet e tyre mbi kuptimin dhe qëllimin e jetës e për t’i promovuar vlerat shpirtërore, bazë e sigurt e një shoqërie të drejtë e paqësore.

“Në një botë, ku feja përdoret shpesh - në mënyrë shkandulluese - për të krijuar përçarje, kjo dëshmi e forcës së saj të pajtimit e të bashkimit, është më e nevojshme se kurrë. E kjo u duk posaçërisht në reagimin plot indinjatë, që pasoi sulmin terrorist të vitit të kaluar në Daka, si dhe në mesazhin e qartë drejtuar nga autoritetet fetare të kombit, të cilat mendojnë se emri i shenjtnueshëm i Zotit nuk mund të përdoret kurrë për të përligjur urrejtjen  e dhunën kundër njerëzve të tjerë, të ngjashëm me ne”.

Shikimi i Papës u ndalua, pastaj, tek katolikët, të paktë në numër - kujtoi – por që përpiqen të luajnë një rol ndërtimtar në zhvillimin e vendit, posaçërisht përmes shkollave, klinikave e dispanserive.

“Kisha - siguroi - e vlerëson lirinë, nga e cila përfiton mbarë kombi, për ta praktikuar fenë e për të realizuar vepra bamirësie, ndërmjet të cilave, për t’u ofruar të rinjve të shoqërisë, edukimin cilësor dhe ushtrimin e vlerave të vërteta etike e njerëzore”.

Në shkollat e saj - kujtoi – Kisha përpiqet të promovojë kulturën e takimit, që i bën studentët të aftë për të marrë mbi vete përgjegjësitë e tyre  në jetë e në shoqëri. Është fjala për studentë që, njëherësh me shumë mësues, nuk janë të krishterë, por u përkasin traditave të tjera fetare. Papa uroi, në përfundim që, në përkim me frymën e Kushtetutës Kombëtare, bashkësia katolike lokale të mund të vijojë të gëzojë “lirinë për t’i çuar përpara këto vepra, për të  mirën e përbashkët”.

30/11/2017 14:39