2017-11-30 16:20:00

Francesco Rocca për rohingya: kampet e Bangladeshit jashtë kontrolli


Gjithnjë më dramatike, situata humanitare në kampet e ngritura në Bangladesh për strehimin e refugjatëve të pakicës myslimane rohingya, ardhur nga Mianmari. Duke folur për situatën në Bangladesh, ku arriti sot Papa Françesku, presidenti i ri i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Francesco Rocca, nënvizon se 600 mijë njerëz erdhën këtu vetëm gjatë katër a pesë javëve. Gjithsejt janë gati një milion vetë. "U grumbulluan në një qytet më të madh se Gjenova, ndërtuar vetëm me çadra, pa shërbime higjienike, pa ujë të pijshëm, pa dritë elektrike”. Kështu jeton kjo popullatë, e zhytur në terr, pa emër, për të dalë në dritë para syve të mbarë botës, falë shtegtimit të Françeskut në  Bangladesh.

Qyteti vigan i çadrave, pa asnjë farë kontrolli

Është një tendopol pa krye e pa fund, ku mund të humbasësh sapo të hysh. Veprimtarët - pohon Kryetari i ri i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, i sapokthyer nga Bangladeshi  - ecin më se një orë e gjysëm, pa arritur dot në pikën, ku njerëzit e dinë se mund të gjejnë një farë ndihme. Zona - pohon Francesco Rocca – është plotësisht jashtë kontrollit.

Ndërmjet refugjatëve, shumë të mitur të pashoqëruar

Shumë nga refugjatët rohingya janë të mitur të pashoqëruar: mjëra fëmijë, pa prindër, ardhur në shoqërinë e të rriturve të cilët, pasi i morën gjatë ikjes së tmerruar, i sollën në këtë skëterrë të re. Situata rëndohet më tej nga pamundësia për t’u marrë vesh, sepse në këtë babel shumica flasin anglisht ose bengalisht, ndërsa shumë pak, gjuhën rohingya.

Bashkëpunim me Gjysëmhënën e Kuqe

Ndërhyrja humanitare mbështetet nga autoritetet vendase. Qeveria e Bangladeshit - shpjegon Francesco Rocca - na ka autorizuar të veprojmë. Po punojmë në bashkëpunim me Gjysëmhënën e Kuqe të Bangladeshit. Është vend, që po përballon vështirësi të papërballueshme e, megjithatë, gjetëm bujari e gatishmëri po aq të papërshkrueshme. Marrëdhëniet ndërmjet Kryqit të Kuq e Gjysëmhënës së Kuqe - përfundon -  shquhen nga fryma e përkimit dhe e bashkëpunimit të frytshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.