2017-11-29 13:36:00

Papa: budistëve, flasim me një zë të vetëm për paqen


Të kapërcehen moskuptimet, intoleranca, paragjykimet e urrejtja. Papa Françesku, në ditën e tretë të shtegtimit apostolik në Mianmar (etapa e ardhshme do të jetë Bangladeshi), u takua me Këshillin e Lartë “Sangha” të murgjërve budistë. Takimi ynë ështe rast i rëndësishëm për të përtërirë e për të fuqizuar lidhjet e miqësisë e të respektit ndërmjet budistëve e katolikëve - nënvizoi Papa - E edhe mundësi për afrimin dhe angazhimin tonë për paqen, respektimin e dinjitetit njerëzor e të drejtësisë për çdo burrë e çdo grua, mbasi jo vetëm në Mianmar, por në mbarë botën njerëzit kanë nevojë për këtë dëshmi të përbashkët nga ana e liderëve fetarë:

“Sepse kur ne flasim me një zë të vetëm, duke pohuar vlerat e përhershme të drejtësisë, të paqes e të dinjitetit themelor të çdo qenieje njerëzore, ofrojmë një fjalë shprese e i ndihmojmë  budistët, katolikët e të gjithë njerëzit të luftojnë për një harmoni gjithnjë më të madhe në bashkësitë e tyre”.

Ky, qortimi i Papës, që ftoi për ta kapërcyer çdo formë paragjykimi e urrejtjeje, duke ndjekur porosinë e Budës: “Nëse jemi të thirrur të bashkohemi, siç është qëllimi ynë, duhet t’i kapërcejmë të gjitha format e mosmarrëveshjes, të intolerancës, të paragjykimit, të urrejtjes”. Po, si mund ta bëjmë këtë? Fjalët e Budës janë udhëheqëse për ne të gjithë - kujtoi Françesku - Mund ta bëjmë duke e mundur zemërimin me qetësi,  mbrapshtinë me mirësi, koprracinë me bujari, gënjeshtrën me të vërtetën”. Ndjenja të tilla - kujtoi Papa - shpreh edhe lutja, që mendohet të jetë e Shën Françeskut të Asizit: “O Zot, më bëj mjet të paqes sate. Ku ka urrejtje, bëj të çoj dashuri! Ku fyerje ka, faljen ta çoj. Ku ka errësirë, më bëj të çoj dritë. Ku ka trishtim, gëzimin ta çoj!”.

Papa shprehu nderimin e tij për të gjithë ata, që jetojnë  sipas traditave të Budizmit në Mianamar. Kujtoi se përmes mësimeve të Budës dhe dëshmisë së zellshme të një mori murgjërish e murgash budiste, banorët e kësaj toke janë mësuar me vlerat e durimit, të tolerancës e të respektit për jetën. E janë mësuar edhe me përshpirtërinë, që e respekton thellësisht ambientin natyror:

“Siç e dimë - vijoi Papa - këto vlera janë themelore për zhvillimin e gjithanshëm të shoqërisë, duke nisur nga familja, për t’u shtrirë, pastaj, në rrjetin e marrëdhënieve të rrënjosura në kulturën e në përkatësinë etnike e kombëtare, por, në fund të fundit, edhe në përkatësinë ndaj njerëzimit të përbashkët”.

Fjala e Papës iu drejtua jo vetëm liderëve fetarë, por edhe atyre civilë:

“Uroj që kjo urti të vijojë të frymëzojë çdo përpjekje për promovimin e durimit e të mirëkuptimit e edhe për shërimin e plagëve të konflikteve që, në rrjedhë vitesh, i përçanë njerëzit e kulturave, të etnive e të bindjeve të ndryshme fetare”.

Përpjekje të tilla nuk u përkasin kurrë vetëm liderëve  fetarë, as nuk janë plotësisht në dorë të shtetit. I përkasin gjithë bashkësisë:

 “Gjithsesi është përgjegjësi e veçantë e liderëve civilë e fetarë të sigurojnë kushtet që çdo zë të dëgjohet e që sfidat e nevojat e këtij çasti të mund të kuptohen qartë e të ballafaqohen, me frymë paanaësie e solidariteti reciprok”.

Prej këndej, Françesku, duke uruar më shumë bashkëpunim ndërmjet liderëve fetarë, deshi t’u kujtojë budistëve se Kisha katolike është partner i gatshëm e se drejtësia e vërtetë e paqja e qëndrueshme mund të sigurohen vetëm atëherë, kur garantohen për të gjithë:

“Në emër të vëllezërve e motrave të mia katolike, shpreh gatishmërinë për të vijuar udhën me ju e për të mbjellë në këtë tokë, farë paqeje e shërimi, mëshire e shprese".

Si kujtim të këtij takimi, Papa i dhuroi murgjërve budistë të Mianmarit, një skulpturë të pëllumbit të paqes.      








All the contents on this site are copyrighted ©.