2017-11-29 14:37:00

Papa, ipeshkvijve të Mianmarit: zëri i Kishës për dinjitetin dhe të drejtat e të gjithëve


Në një vend të impenjuar për kapërcimin e përçarjeve të thella e për krijimin e identitetit kombëtar, Kisha e Mianmarit duhet të favorizojë gjithnjë bashkimin dhe pajtimin e popullit, të cilit i shërben. Bashkësia katolike duhet ta ngrejë zërin për çështjet e interesit kombëtar, duke ngulur këmbë në respektimin e dinjitetit dhe të të drejtave, veçanërisht, të më të varfërve e më të brishtëve. Kështu tha Papa Françesku, ndërsa takoi sot, në katedralen e Yangon-it, ipeshkvijtë vendas, të cilëve u kujtoi aradhen e gjatë me dëshmitarë të fesë në ish-Birmani. Ati i Shenjtë reflektoi mbi tri tema: shërimi, shoqërimi dhe profecia.

“Bashkimi, që përjetojmë e kremtojmë – shpjegoi Papa – lind nga larmia; vlerëson ndryshimet ndërmjet njerëzve, si burim pasurimi e zhvillimi të ndërsjelltë; fton ta gjejmë njëri-tjetrin në kulturën e takimit e të solidaritetit”.

Në veçanti, Ati i Shenjtë vë në dukje impenjimin për të favorizuar shërimin dhe bashkimin në çdo nivel të jetës së Kishës, për të arritur në atë paqe, që bota nuk mund ta japë. “Bashkësia katolike e Mianmarit – vërejti Papa Françesku – mund të jetë krenare për dëshminë e saj profetike të dashurisë për Zotin e për të afërmin, që shprehet në impenjimin për të varfërit, për ata që janë pa të drejta e sidomos, në këto kohë, për të shpërngulurit e shumtë, që, si të thuash, shtrihen të plagosur në anët e rrugës”, pavarësisht nga etnia e feja.

Nënvizoi më pas, edhe impenjimin për dialogun ekumenik e bashkëpunimin ndërfetar. “Lutem që përpjekjet tuaja të vazhdueshme për të ndërtuar ura dialogu e për t’u bashkuar me ndjekësit e feve të tjera në krijimin e marrëdhënieve të paqes, të sjellin fryte të bollshme për pajtim në jetën e vendit”, theksoi Papa.

Françesku u kujtoi ipeshkvijve se ata janë barinj “me erën e deleve” e me “aromën e Zotit” e të Kishës në dalje drejt periferive. I këshilloi t’u bëjnë famullive vizita të shumta baritore, në mënyrë që grigja e Krishtit t’i ndjejë si etër të dashur. I ftoi të kujdesen veçanërisht për meshtarët e dioqezës së tyre, por të ndjekin edhe punën e katekistëve, ndihmë e shtyllë mbështetëse për çdo famulli.

 E pastaj të rinjtë, të cilët duhen edukuar me “parime të shëndosha morale” për të përballuar sfidat e një bote në ndryshim të shpejtë, të kërcënuar nga “kolonizimet ideologjike dhe kulturore”. Rinia është bekim për Kishën e Mianmarit, vërtet e vogël, por me një numër të madh seminaristësh e rregulltarësh të rinj.

E Papa nuk harroi edhe impenjimin e saj për mbrojtjen e dhuratës hyjnore të Gjithësisë, duke i nxitur të punojnë për një ekologji të shëndoshë njerëzore e shoqërore. Këshilla e fundit e Atit të Shenjtë ishte lutja, detyra e parë për çdo ipeshkëv, bazë e identitetit meshtarak, garanci për vlefshmërinë e predikimit të tyre dhe burim i dashurisë baritore për grigjën, që u është besuar.

Para se të ndahej me ipeshkvijtë e Mianmarit, Papa Françesku bekoi gurin e parë të 16 kishave, të Seminarit të Madh të vendit dhe të Nunciaturës apostolike. Pas fotografisë me 300 seminaristët, Ati i Shenjtë hyri në kryeipeshkvi, ku  takoi në formë private, 30 jezuitë, misionarë në ish-Birmani.








All the contents on this site are copyrighted ©.