2017-11-29 15:20:00

Fytyra femërore e budizmit në Mianmar


Papa Françesku u takua sot me Këshillin e Lartë të murgjërve budistë të Mianmarit. Edhe vizita më e shkurtër në fshatin më të humbur të vendit nuk lë asnjë dyshim se ish-Birmania është me shumicë budiste. Porta të arta dhe maja të larta ngrihen kudo e, në çdo qoshe, shihen murgjërit me veshjet e tyre ngjyrë portokalli e të murrme. Sipas statistikave, më se 90% e popullsisë i përket fesë budiste. Murgjërit, të cilët njihen me emrin “Sangha”, nderohen si anëtarët më të rëndësishëm të shoqërisë. Sot, në të gjithë vendin, numërohen rreth gjysëm milion murgjër, si edhe më se 60 mijë murgesha budiste.

Shpesh, murgeshat shihen nëpër rrugë duke mbledhur para, ose oriz për të varfërit. E janë ato, që përkrahin idenë e reformave në këtë shoqëri tepër patriarkale e tradicionale. Në vitin 2012, nisi një projekt edukimi i njohur si “Dhamma School Foundation”, për t’u mësuar budizmin të rinjve, duke ua paraqitur më pak si një sistem të lashtë besimi fetar e më shumë si udhë bashkëkohore për të zbatuar vlerat e dashurisë e të dhembshurisë në jetën e përditshme. Në këtë mënyrë, u arrit të ndërthurej mësimi i budizmit me mësimin e zakonshëm shkollor, duke ngritur më se 20 mijë qendra në shkollat e gjithë vendit. Është fjala pra, për ekuivalentin e katekizmit në shkollat e fëmijëve birmanë.

Murgeshat budiste, që merren me këtë punë në të gjithë vendin, i kushtojnë kujdes të veçantë “mësimdhënies aktive”, që i nxit fëmijët e të rinjtë ta marrin fenë seriozisht, por jo thjesht si ritual, pavarësisht se edhe ritet kanë rëndësinë e tyre.

Fushë tjetër, në të cilën punojnë murgeshat budiste, është emancipimi i femrës në shoqërinë e Mianmarit. Përpjekja e fundit në këtë drejtim është një film dokumentar me titull “Ajo”, prodhuar nga motra budiste Ketu Mala, në bashkëpunim me njërën nga gratë në krye të bashkësisë myslimane dhe me murgeshën katolike, Elisabeth Chit Pom, në përfaqësi të Konferencës Ipeshkvnore të Mianmarit. Dokumentari ka fituar një çmim, pavarësisht nga vështirësitë e dialogut ndërfetar në vend, për shkak të shfrytëzimit të fesë nga ana e politikanëve ultranacionalistë.

Gjithsesi, siç e tregon edhe historia e lideres birmane, Aung San Suu Kyi, apo “The Lady” siç e quajnë në Mianmar, rruga për afirmimin e të drejtave të grave është akoma e gjatë, por së paku, ka gra të gatshme të luftojnë për këtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.