2017-11-29 12:18:00

Atë Gjergj Fishta '28 Nanduer 1913 '


Atë Gjergj Fishta '28 Nanduer 1913 '
LIRIKA E P.GJERGJ FISHTES; BOTIM ANASTATIK:

Pervjetori i të ngrehunit të flamurit të pamvarsís në vend qi me kenë ditë gëzimit per Poetin âsht ditë vajit e ankimit. Dasít e anmiqsít në mes të vehtjevet të jetës politike shqyptare e të krahinavet të ndryshme, të shitunt e shum Shqyptarve propagandës së huej e deri luftat vëllaznore janë historija e atij vjeti. Nji notë karakteristike malinkonije prandej e rrëmben Zanen e Fishtës, e cilla ankon, mjerohet, brigon, nzitë e shpreson, per me mujtë me trandë e me prekë zêmren e Shqyptarvet, tue i drejtue kah atdhedashunija e vertetë.
Kanga kje botue së pari në “H. i Dr.” Dhetuer 1913 në rasë të kryevjetorit të të ngrehunit të flamurit.

1 Oj Zanë, t’këndojm... t’vajtojm, deshta me thânun;
Pse sod ditë kanget s’âsht per mue e tye.
Po ç’gzim kjo ditë nè mundet me na dhânun,
Kúr, qe, mbas njì motmoti q’i u pelqye
Europës Shqyptarin zot n’shpi t’vet me e lânun
E kúj, posë Hyut, m’ketë jetë mos me i sherbye,
Shqyptari i dám prap me vedvedi gjindet
E shk’ âsht mâ zí, prej vedit edhè s’bindet ?...
2 E kù kjo punë kisht’ ndodhë posë se n’Shqypní,
Qi ‘i popull, s’parit dalun prej robnimit,
Per nji motmot të rrijë ai n’anarkí
E t’bâhet prralla e gazi i rruzullimit,
Ke i zoti s’âsht ai sod m’u vû m’hullí,
Edhè me u thânë anmiqve e t’tânë njerzimit:
“Un ktú sundoj ! M’ketë shkamb mue m’vûni Zoti,
E kndej nuk luej, pa u shuemun stina e moti” ?!
3 Ah ! t’mjerët na, t’mjerët ! E sod, me ‘i pecë të kuqe
E me ‘i orrl duem qi Shqyptarija e mjera
T’dalë vedit n’dritë, si vedit çilë n’bubuqe
Nji drandofille e njomë, kúr kthen prendvera...
Jo, jo, Shqyptarë! Por bânje flamrin duqe
E zhytnje n’Drî t’mos t’ a zhvillojë kurr era.
Flamrin kombtár nuk ka shka bân nder né,
Po kje se dashtuní nuk kem’ p’r Atdhè!
4 E, drue dashtní p’r Atdhè nuk ka Shqyptari;
Me gjasë, s’çán kryet Shqyptari per kómb t’vet,
As per njatë gjuhë të ambel qi i la i Pari,
As pse Shqypnija n’vedi u bâ sod shtet;
Pse e shoh se veç atje, kû xhixhllon ari
Pa frymë e tue dihatun vrap ai nget:
Si Krishtin shiti juda Iskarjotë,
Drue Atdheu nder né po shitet p’r ‘i zallotë...
5 A thue mos fola keq ?... Po lypi t’falun;
Perse ktû vetë me fye nuk due kurrkendin.
E pse âsht mirë fjalen n’zemer t’frŷt m’e ndalun,
Por njai, qi të liruem me e pasë s’do vendin,
A prej se s’mundet vetë m’shkamb t’naltë me dalun,
A prej se tjervet s’don m’u a lshuemun rendin
A thue ai s’âsht Judë ? Po, kambë e krye Iskariota!,
E prà, ksi nipash ka ‘dhè shum Kastriota...
6 E po p’r ata, qi, zyre e nderë harrue,
Qi, marre e turp kaherë flakrue mbas shpinet,
M’visàr t’Atdheut me t’huejë shkojn tue tregtue
(Kush ndŷt mbas Frankut rrêjtë, kush mbas Sterlinet
Kush pse Dinari teper i âsht lakmue),
E Atdhén prej s’huejësh me e qitun duen bashtinet,
Thue edhè per ta ndokuj do t’i hijë çudia,
Kúr thom, se nuk janë tjeter, veç se Juda?...
7 Po, Juda janë, e gjinde janë tradhtare,
Porsi njata, qi n’mend prej s’huejësh mahitun,
Varzat e djelmt, - e para uzdajë shqyptare –
Me ndiesí t’hueja n’shkollë i çojn me i rritun,
Tue lànë mbas doret t’amblen gjuhe amtare,
Pa t’cillen kombi s’mundet n’dritë me u qitun;
E me çakrrija t’mbetna shkret mbas tregut,
E lânë me u rrêjtë nipnín e Skanderbegut.
8 O Skanderbeg Kastrijota! O rrfé mizore!
Serbjani i mnishem, po, ke votra pshtetun,
Nipavet t’vet u flet m’lahutë zâtore,
Sá forcë e anmikut pît nen shpatë t’ka mbetun:
Por nipat t’ú n’Shqypni sod nder msojtore,
(Kû gjuha shqype hin si fmij i gjetun…)
As êmni, ndoshta, nuk e dijn si t’quhet;
Pse tjerë fatosa atŷ me zânë u duhet.
9 Veç po; njat’êmen t’and t’bekuem, t’madhnueshem,
Si t’huejë, si nipa t’ú, dijm me t’a quejtun,
Kúr ndonji lâsh dobijet fort t’ngatrrueshem
Me tê duem me zhgatrrue, e kúr me vuejtun
Duem ndonji kundershtim, qi n’vend t’naltueshem
S’na lên m’u kapë mbas dshirit t’onë të pruejtun:
Nen êmen t’and, po, t’gjith atë herë na strukmi,
Kúr atdhetarë n’sŷ t’kombit duem qi t’dukmi.
10 Ah! Jo; kangë gzimit sod, moj Zanë, nuk due!
Sod un due qi kah fjalët e mija t’dalin,
Si rrkajë Vulkanit t’shkojn tue gurgullue:
T’ shkojn tue therun, si thika qi thér djalin
E vetem ambel m’prehen t’nanës pushue:
T’bumbullojn, po, si rrfeja, qi trandë malin;
Pse teper keq Shqypnija e ngratë ka ngelun,
Teper pa nderë pse nâmi i saj âsht shkelun.
11 Oh váj! Oh kob! Oh marre e turp per né!
Sot sheklli mbarë prír synin prej Shqyptarvet,
Me pá si perkujdesmi per Atdhé;
E si u dishmojm me punë na kundershtarvet
Se jemi t’zott me u lidhë me besë e fé
Edhè vetë me sundue vendin e t’Parvet:
E na, harû e si polipa deti,
Veç hapim syt me shkye ndo ‘i send per veti!...
12 Shqyptarë! Shqyptarë! Ndigjoni, pashi Zotin!
Pa jú kurr s’mundet n’dritë me dalë Shqypnija:
A thue, prá, n’terr po e lini m’e shkue motin.
Tash qi u dergoi t’bardhë fatin Perendija
Flamur me ngrehun n’vedi ? e Gjergj Kastrjotin
E t’Parët, a thue, kshtû do t’korisë nipnija,
Ke shoq me shoq enè s’kem’rá na n’fije?
Ke vêmë fitimin para çdo Shqypnije?
13 Ah! Jo, Shqyptarë, jo; mos e lshoni doret
Shqypnin e mjerë, - ketë Atme t’uej t’bekueme
E cilla sod, pervûjtë si vashë kunoret,
S’parit po hîn nder fise t’qytetnueme.
A thue pse teper t’ngushta i ka terthoret
M’e lânë me dnesë prap nen kambë t’huej t’poshtnueme?
Mâ e vogel se Rusija pat kenë Sparta,
Por nami i saj âsht shkrue me shkrola t’arta.
14 Ah! Ktû, Shqyptarë, po, ktû; e m’vorr t’Kastrijotit
Per rreth Flamurit t’onë t’gjith t’bâhmi ‘i vllà,
Edhè t’apim shoshojt besen e Zotit
Se per Atdhé na kem’ m’u orvatë pa dá,
Tue shkrî per te të gjitha ditt e motit:
Se para t’ gjith në vorr na kem’ me u kjá,
Se e lâmë Shqypnín me e shkelë prap themra e huej.
Posë Zotit n’qiellë, s’do t’i sherbejm mâ kuej.
____
1. Q’ i u pelqye - Europës... Me 28 Nanduer 1912 Smajl Qemali, Luigj Gurakuqi, Isá Boletini e tjerë, nëpër urdhen t’Austrís ngrehën flamurin e Shqypnís në Vlonë edhe lajmuen Fuqít e Mëdhaja per shpalljen e pamvarsís. Gjashtë Fuqít e Mëdhaja, të mbledhuna në Kongres të Londonit në Nanduer të vjetit 1912 mbas luftës balkanike, të shtŷme prej Austrí-Hungarís e Italís, njohtën pamvarsín e Shqypnís, - prej vedit edhe s’bindet: nuk çuditet aspak per gjendje të mjerë, në të cillen gjindet.
2. i rruzullimit: i mbarë botës. - Ke: tue kenë se, mbasiqi. – m’u vù m’hullì: m’u vû per rrugë drejt të perparimit, - pa u shuemun: pa u sosun, shkimun.
3. me ‘i pecë t’kuqe - E me ‘ì orrì: Me ketë shprehje Poeti, tue dashun me mundshtue të gjith njata qi atdhedashunín e vên vetem në simbol të Kombit e s’bajn kurrgjâ per tê pershkruen si në nji mënyrë të perbuzuni flamurin kombtár: shqypen dý krenash në lamë të kuqe. Orrl: shih VI, shen. – bubuqe: bulë, ganxhe. – bânje flamrin duqe: bânje tutel.
4. xhixhllon: vezllon, shkelqen. – Juda Iskarjotë. nji nder dymbdhetë Apostujt e Krishtit, i quejtun kështu mbas emnit të vendlindjes Iskarjot. Ky kje qi tradhtoi e shiti Mësuesin e vet kryetarvet të Sinagogës per tridhetë sikla argjanit. – zallotë: monedhë turke me vlerë 30 pare.
5. n’zèmer të frŷt: në hov t’idhnimit ( Cfr. Zêmers s’frŷt me i lanun dalë, Lah, Mal, k. XII, v. 98).
6. zyre: detyrë. – flakrue mbas shpinet: qitun mbas shpine, lânë mbas dore. – M’ visar t’atdheut... lakmue: shkojn tue bâ treg me të huejë mbi tokë e pasuní t’atdheut, tue u a shitë atyne, prej të cillve janë të paguem mâ mirë, prandej dikush âsht i thyem prej propagandës franceze (Frankut), ndokush prej Anglís (Sterlinet), do tjerë prej Serbís (Dinarit). – ndŷt: në nji mënyre të poshtme. –E Atdhén prej s’huejësh me e qitun duen bashtitnet: duen me u a shitë Atdheun krejt të huejvet. Me qitë ndokend bashtinet don me thânë me qitë kend pa plang pa shpí.
7. Baras si ata qi u shiten të huejvet per pare, Poeti quen trathtarë edhe të gjith njata, qi kishin çue fëmijët nder shkolla të hueja, tue perbuzë gjuhen amtare, qi âsht faktori i parë i kombsís. – mahitun: mahnitun, trillue, marrë mendsh. – çakrrija t’mbetna shkret mbas tregut: çikrrija, sende të vogla e të pa ndonji vjeftje, të cillat kanë mbetë pa u shitë.
8. N’ apsotrofen e kësaj tubze Poeti ankohet se deri Serbjani i mnishem këndon me lahutë të veten trimnít e Skanderbegut, por të nipat e tij, të rritun nder shkolla të hueja, nuk i dijn ndoshta as êmnin. Mbí Skanderbegun këndohen shume kangë epike popullore prej Slavëvet të Jugut. – Ke votra: te votra. – zâtore: zâpermallshme. – Sá forcë e anmikut pít nen shpatë t’ka mbetun: cfr. Kange I, str. 8 v. 3-4. - msojtore: shkolla. Neologizem, qi dikúr kje perdorë, por qi sot âsht lânë mbas dore. – (Kû gjuha shqype hîn si fmij i gjetun ...) : Nder shkolla , per të cillat Poeti don me folë, gjuha shqype nuk ishte gjuhë mësimi, me gjithse të ndjekuna prej xansash shqyptarë, por mbahej si nji gjuhe barbare e perbuzëshme.
9. lâsh: lamsh. – mbas dshirit t’onë të pruejtun: të prûjtun, të prunjtun, t’ulët, të poshtem.
10. Në ketë tubzë Poeti, mbasi zbulon varrët e jetës kombtare, i siellet prap Zanës e s’i lypë tjeter veç qi fjalet e tija të jén si thika derptuese e të bumbullojn si rrfeja per t’i trandë Shqyptarët. – ngelun: mbetun.
11. O vaj! O kob!...: Vên n’oroe shkallimin ( gradatio)! - Sot sheklli mbarë prír synin prej Shqyptarvet: siellet per me i kundrue. Poeti asht i shqetsuem fare, kah mendon se pamvarsís së Shqypnís i u kundershtuen shum Shtete, të cillat me tëzi çë presin me i paraqitë të padêjë m’u vetësundue. – me besë e fé: me besë të Zotit. ( Shih Kangë I. str. 12 shen.).
-polipa: peshq deti fort të ngathët.
13. si vashë kunoret: si nuse e ré, qi shkon fat së parit. – terthoret: kufijt. – Sparta: Qytet i vjeter i Greqís ne Peloponez, kryeqyteti i nji shteti të vogel, por të fortë, e qi u mat per të gjat kohë me Atenë, e mbas luftës së Peloponezit pat hegemonín mbi mbarë Greqín. Banorët e këtij shteti kjén të permendun per trimnì, dishiplinë, vetëmohim e atdhedashuní.








All the contents on this site are copyrighted ©.