2017-11-28 14:23:00

Papa në mediat e Kinës: në Mianmar, vizitë “për paqen”


Papa Françesku, në faqen e parë të gazetës kineze “Global Times”, lindur nga e përditshmja e dikurshme “Zëri i Popullit”, organ i Partisë Komuniste të Kinës. Fotografia e Atit të Shenjtë mbush faqen e parë, me titullin “Përqafim i ngrohtë”. Flet për mikpritjen, që iu rezervua dje, në aeroportin ndërkombëtar të Yangon-it.

Grupe fëmijësh me veshje tradicionale të Mianmarit, që përfaqësojnë etnitë e ndryshme të vendit e përshëndesin Papën me këngë, brohoritje e valëvitje flamujsh, ndërsa diçitura kujton se filloi një udhëtim katër ditësh “tepër i ndjeshëm”, në një vend, të cilit i duhet të përballojë kritikat ndërkombëtare për trajtimin e etnisë Rohingya.

Në brendësi të gazetës, faqja e fundit e kronikave ndërkombëtare i kushtohet tërësisht vizitës së “Papës për paqen”, sipas titullit, marrë nga agjencitë botërore të lajmeve. Flitet për takimin me kreun e ushtrisë, gjeneralin Min Aung Hlaing, në ditën e parë të pranisë së Papës në Mianmar e jo në të fundit, siç ishte programi.

Edhe kjo vëmendje e gazetës kineze ndaj Atit të Shenjtë tregon se dialogu ndërmjet Vatikanit dhe Pekinit vijon, pavarësisht se me sinjale kontradiktore. Vatikani, për shembull, është i vetmi shtet evropian, që njeh sovranitetin e ishullit të Tajvanit, të cilin Kina e konsideron “provincë rebele”. Gjithashtu, Selia e Shenjtë nuk pranon emërimin e ipeshkvijve nga ana e komunistëve kinezë. Nuk është mister që Papa Françesku dëshiron të shkojë prej kohësh në Kinë, por këtij udhëtimi nuk i ka ardhur akoma koha.

Ndërkaq, gjenerali birman Min Aung Hlaing shkoi papritmas, të premten, para udhëtimit të Papës, në Pekin, ku u takua me presidentin kinez Xi Jinping, i cili i shprehu dëshirën për të luajtur një rol “konstruktiv” në arritjen e sigurisë e të qëndrueshmërisë në kufirin ndërmjet dy shteteve. U theksua miqësia dypalëshe ekzistuese dhe u kërkua përforcimi i komunikimeve strategjike ndërmjet dy vendeve.








All the contents on this site are copyrighted ©.