Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Papa në Mianmar: larmitë fetare të jenë forcë për unitetin e vendit

Papa u flet autoriteve të vendit - AP

28/11/2017 14:04

Pritje zyrtare sot, për Papën, në Pallatin presidencial të Nay Pyi Taw, kryeqytet i Birmanisë, ku Françesku arriti me avion, nga Jangoni, rreth orës 15 me orën vendase, 09. 30 me atë evropiane. Rreth një orë rrugë, për  340 kilometra distancë ndërmjet dy qyteteve.

Pas ceremonisë së mirëseardhjes, vizita e mirësjelljes tek Presidenti Htin Kyaw e edhe tek Këshilltarja e Shtetit e Ministrja e Punëve të Jashtme, Aung San Suu Kyi. Më pas, edhe  takimi me autoritetet, shoqërinë civile e Trupin Diplomatik, në International Convention Center, 11 kilometra larg Pallatit presidencial.  Këtu Françesku mbajti fjalimin e  tij të parë.

Erdha - tha Papa - që ta përforcoj në fe bashkësinë katolike të vogël, por plot gjallëri, të kombit e që ta inkurajoj në përpjekjen për të dhënë ndihmesën e vet në dobi të vendit, por do të dëshiroja që vizita ime të rrokte mbarë popullsinë  e t’i ofronte një fjalë inkurajimi të gjithë atyre, që po punojnë për ndërtimin e një rendi shoqëror të drejtë, të harmonishëm e gjithëpërfshirës. Kjo, domethënia e pranisë së Papës në Mianmar, vend që vetëm pak kohë më parë, më 4 maj 2017, lidhi marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë. E është pikërisht rindërtimi i vendit, që Papa e ka më shumë për zemër:

“Mianmari - pohoi Papa - u bekua me dhuratën e një bukurie të jashtëzakonshme e me burime të panumërta natyrore, por thesari i tij më i çmuar është, pa dyshim, populli i tij, që vuajti shumë e vijon të vuajë për shkak të konflikteve të brendshme dhe të armiqësive, që zgjatën tepër e krijuan hendeqe të thella. Prandaj sot kombi angazhohet për të rivendosur paqen, të cilën shërimi i plagëve të hapura “e kërkon si pëparësi themelore politike e shpirtërore”.

Papa vlerësoi lart përpjekjet, që po bën qeveria në këtë drejtim dhe nënvizoi se procesi i vështirë për rivendosjen e paqes e të pajtimit kombëtar mund të shkojë përpara vetëm përmes angazhimit për drejtësi dhe respektimit të të drejtave të njeriut. E më pas, citoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, shpallur nga OKB-ja, si bazë për promovimin e drejtësisë, të paqes e të zhvillimit në botë, si dhe për zgjidhjen e konflikteve përmes dialogut e jo me pëdorimin e  forcës:

“E ardhmja e Mianmarit duhet të jetë paqja - pohoi Papa - një paqe e bazuar mbi respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të çdo anëtari të shoqërisë, mbi respektimin e çdo grupi etnik e të identitetit të tij, mbi respektimin e shtetit të së drejtës e të një rendi demokratik, që i krijon çdo individi e çdo grupi - pa përjashtuar askënd - mundësinë të japë kontributin legjitim për të mirën e përbashkët”.

E në këtë sfidë, fetë duhet të luajnë një rol të privilegjuar. Ato mund të ndihmojnë për shkuljen e shkaqeve të konfliktit, për ndërtimin e urave të dialogut, për kërkimin e drejtësisë. E mund dhe duhet të jenë zë profetik për të gjithë ata, që vuajnë.

Larmitë fetare nuk duhet të jenë burim përçarjesh - nënvizoi Papa – por forcë për unitetin, për faljen, tolerancën dhe ndërtimin me urti të vendit. Fetë mund të luajnë rol domethënës në shërimin e plagëve emotive, shpirtërore e psikologjike të atyre, që vuajtën në vitet e gjata të konfliktit. Françesku e theksoi, si shenjë të madhe shprese, “angazhimin e përbashkët të liderëve të traditave të ndryshme fetare në vend, për paqen, për ndihmën që u japin të varfërve, për edukimin me vlera të vërteta fetare e njerëzore”.

Pikërisht mbi këto vlera duhet ndërtuar ardhmëria e në këtë drejtim duhet investuar për formimin e të rinjve me ndershmëri, integritet e solidaritet, si garanci për konsolidimin e demokracisë dhe për lulëzimin e unitetit e të paqes në të gjitha nivelet e shoqërisë.

Pastaj, edhe një fjalë e Papës për bashkësinë katolike të Mianmarit, të cilën e inkurajoi të punojë për të mirën e përbashkët edhe pëmes veprimtarisë bamirëse humanitare, në bashkëveprim me ndjekësit e feve të tjera  dhe me të gjithë njerëzit vullnetmirë, për të hapur epokën e re të harmonisë e të progresit të popujve të këtij kombi të dashur.

Në përfundim, rikthimi i Papës Françesku në kryeipeshkinë e Jangonit, parashikuar për orën 19.50 me orën vendase.

28/11/2017 14:04