Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Bota shqiptare

Dom Nikollë Kaçorri, përfaqësues i Kishës Katolike në Aktin e Pavarësisë së Shqipërisë

Le firme sul Atto Indipendenza Albania

28/11/2017 15:50

Dom Nikollë Kaçorri, përfaqësues i Kishës Katolike në Aktin e Pavarësisë së Shqipërisë. Në 105 vjetorin e festës së 28 nëntorit 2012 – festës së Pavarësisë së Shqipërisë nga otomanët, po ndalemi te vendi i Kishës Katolike në tryezën e Vlorës, ku u shkrua një nga faqet më të rëndësishme të Historisë së Shqipërisë. Fjalori Enciklopedik, të cilin e kujtuam në emisionin e kaluar, e cilëson Dom Nikollë Kaçorrin përfaqësues i Durrësit. I cilit Durrës? I atij, që qeverisej ende nga administrata turke? Atij, ku intrigonte Esad Pashë Toptani? Apo atij, që dy ditë pasi kishte ngritur Flamurin e Pavarësisë (26 nëntor), do të pushtohej nga serbët, që tashmë e mbanin të rrethuar?

E papërcaktuar, pra, përkatësia e njërit nga delegatët më në zë, krah i djathtë i Ismail Qemalit e nënkryetar i Qeverisë së përkohshme, kryesuar nga Plaku i Vlorës. Të mos e njohin historianët e Akademisë dokumentin, që flet qartë, duke na kujtuar se: “Nga Durrësi (delegat ishin) Z.Z. Abas Efendiu, Mustafa Agai e Jahja Efendiu, i cili pritet të vinjë; e Z. Dom Nikollë Kaçorri nga ana e Arqipeshkopit të Durrësit për të gjithë shqipëtarët katholikë që ndodhen nën urdhënin e tij”(“Dokumente historike për t’i shërbyer Historiës tonë,”, botuar nga Lef Nosi, duke nisur nga Viti I, prill 1924, n. 4, fq 119). 

Dom Nikollë Kaçorri, pra, nuk ishte thjesht përfaqësues i Durrësit, por i njërës nga dioqezat më të mëdha e më të lumnueshme të saj, kryedioqezës së Durrësit. Ata që shkruajnë Historinë e Shqipërisë, duhet të marrin sadopak erë edhe nga historia e Kishës dhe e gjuhës, me të cilën flet, për të mos rënë më në gabime të tilla foshnjore, në se nuk duan t’i quajnë me emrin e vet, mohime të bëra jo pa qëllim.

Nikollë Kaçorri nuk mund të shkonte në Mbledhjen zëmadhe të shpalljes së Pavarësisë i veshur me veladon e me qafore të bardhë, siç e shikojmë edhe në fotografitë e kohës, në se nuk do të kishte lejën dhe bekimin e të parëve të Kishës. Çdo përpjekje për t’ia kundërvënë Kishës Katolike këtë figurë të ndritur, është qesharake, sepse po të kishte vepruar në kundërshtim me interesat e asaj fuqie të madhe shpirtërore, që përfaqësonte, nuk do të ishte paraqitur me ato fjalë, të cilat i cituam më sipër, në Kuvendin e madh, për ku u nis me bekimin e të Parit, si delegat i kryeipeshkvit të mirënjohur atdhetar, Imzot Primo Bianchit (Prenkë Bardh Kamerit), bari shpirtëror i një grigje të shumënumërt.

Ndërsa në Historinë e Shqipërisë, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, shkruhet: ...“Në vitet 1906-1907 u zhvillua qëndresa e popullsisë së Krujës dhe e fshatrave të Kurbinit kundër zgjedhës fiskale osmane. Duke qenë në gjendje të mjerueshme ekonomike, popullsia e këtyre rretheve nuk pranoi të paguante taksën për bagëtinë, për shërbimin ushtarak (bedel-i askerie), si dhe detyrimin e të dhjetës, që qeveria turke po këmbëngulte t’i vilte qysh në vjeshtën e vitit 1905. Ky vendim u mor në mbledhjen që përfaqësuesit e parisë e të vegjëlisë së popullsisë katolike të Kurbinit mbajtën në gusht të vitit 1906 në katundin Delbinisht, ku morën pjesë edhe dom Nikollë Kaçorri e at Shtjefën Gjeçovi. Me kurbinasit u bashkuan banorët e Kthellës, të Ranzës, të Malësisë së Lezhës, të Lurës, të Bregut të Matit, si edhe popullsia myslimane e Krujës. 

Popullsia e fshatrave katolike ose me shumicën popullsi katolike (të Malit të Bardhë, të Skurajt, të Milotit, të Laçit, të Zhejës), të udhëhequr nga Gjin Pjetri, pa marrë parasysh këshillat e arkipeshkvit të Durrësit, imzot Biankit, që shkoi posaçërisht në Delbinisht për të kërkuar prej tyre të mos përdornin armët, në mesin e shtatorit të vitit 1906, iu kundërvu ushtrisë osmane në Skuraj e në Zhejë... 

Ndërkaq lufta vijoi në fshatrat e Kurbinit, ku popullsia katolike nuk pranoi të nënshtrohej. Rreth 700 burra të armatosur qëndronin përballë ushtrisë osmane. Me ta u bashkuan edhe forca të tjera nga Kthella fqinje, si edhe popullsia e krahinave malore përreth, e Milotit, e Rrëshenit, e Pishkashit, e Lurës etj., shumica e së cilës ishte katolike. Me ndërmjetësinë e konsullit austro-hungarez në Shkodër, Kral, prifti i Durrësit Nikollë Kaçori më 17 tetor 1906 siguroi marrëveshjen me valiun e Shkodrës, sipas së cilës vendosej një shumë e kufizuar dhe e caktuar më parë për çdo kategori taksash. Kjo marrëveshje u pranua edhe nga kurbinasit, por u shkel nga autoritetet osmane, që vijuan të kërkonin vjeljen e plotë të taksave.

Më 26 tetor deri më 14 nëntor të vitit 1906 ushtria osmane ndërmori një ekspeditë të re edhe më të ashpër ushtarake, gjatë së cilës dogji e grabiti shtëpitë e Gegajt, të Milotit, të Zhejës, të Laçit e të Gjormit dhe shkretoi arat e tyre. Ushtria sulmoi gjithashtu Malësinë e Lezhës, ku ishin strehuar familjet e kurbinasve.
Kryengritësit i bënë ushtrisë osmane një qëndresë të fuqishme, sidomos në Skuraj ku luftimet zgjatën disa orë, si edhe te Shkalla e Matit. Për të shmangur shpartallimin e plotë, Shefki Beu, pasi la në këto vende disa dhjetëra ushtarë të vrarë, më 14 nëntor u tërhoq në fushën e Matit, duke mbajtur vetëm disa pika të kontrollit të rrugëve. Kurbinasit, edhe pse të kërcënuar nga të ftohtit, uria e vdekja, vazhduan të rezistonin dhe të qëndronin me familjet e tyre në male gjatë gjithë dimrit të 1906-1907-s. 

Ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha, sidomos ato të përfaqësuesve austro-hungarezë pranë qeverisë së Stambollit, pas lutjeve të përsëritura që popullsia e Kurbinit u bëri atyre në janar e në shkurt të vitit 1907, nuk mbetën pa rezultat. Por edhe Porta e Lartë, duke parë se me masa terrori nuk po e thyente dot qëndresën e popullsisë së Kurbinit dhe se zgjatja e kryengritjes në këtë krahinë po ulte prestigjin e saj dhe po u jepte shkas ndërhyrjeve të shteteve të huaja, vendosi t’u bëjë lëshime kurbinasve që, si u siguruan për plotësimin e kërkesave, u kthyen përsëri në fshatrat e tyre. Kaq për qëndresën e katolikëve të kryedioqezit të madh të Durrësit.

28/11/2017 15:50