Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Bota shqiptare

28 Nëntori festë e të gjithë shqiptarëve: Gëzuar!

Tirana in festa per lIndipendenza dellAlbania

28/11/2017 12:21

28 Nëntori festë e të gjithë shqiptarëve: Gëzuar! Më 28 Nëntor, të gjithë shqiptarët, në trojet e tyre e nëpër botë, kudo jetojnë e punojnë, kremtojnë me krenarinë dhe emocionin e përvitshëm, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria otomane turke.

Më 28 nëntor 1443  i madhi Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës. Ndërkaq 469 vjet më vonë, më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Kjo ditë shënon pavarësinë e kombit shqiptar.

Më 28 nëntor 1793  në Shkodër, Lezhë dhe në rrethinat e tyre nisi kryengritja kundër ushtrive osmane. Me humbje të mëdha pashai turk mundi të çante rrethimin, por në Lezhë pësoi goditje dhe humbje të reja, qe e detyruan te tërhiqet për në Manastir.

Pavarësia e Shqipërisë nga perandoria turke, mjerisht jo e të gjitha trevave shqiptare, pra, u përgatit me vite e vite kryengritjesh, që filluan në viset e ndryshme Arbënore nga Malësia e Mbishkodrës, Mirdita e vende tjera, për të përfshirë më vonë krejt Shqipërinë e atëhershme.

U desh fillimi i Luftës së Parë Botërore e shkatërrimi i perandorisë së xhonturqve, që shqiptarët të kurorëzonin ëndrrën e viteve për një Shqipëri “më vehte, të lirë e të mosvarme”.

Kështu, më 28 nëntor 1912 në orën 14:00 u hap Kuvendi i Vlorës me 37 delegatë nga e gjithë Shqipëria. Kryetari i tij u zgjodh Ismail Qemali, i cili deklaroi se shpëtimi i vetëm i Shqipërisë është shpallja e pavarësisë, krijimi i qeverisë, zgjedhja e pleqësisë që do ta kontrollonte atë dhe dërgimi i një komisioni për të mbrojtur çështjen shqiptare para Fuqive të Mëdha.

Më 28 nëntor 1912 u ngrit Flamuri në Vlorë dhe u hap Kuvendi historik Kombëtar i Vlorës me 37 delegatë, por u deshën vite të tjera e përfaqësi në Kongrese e në kancelaritë e vendeve perëndimore, që Shqipëria të njihej si e tillë nga fuqitë e Shtetet e kohës.

Kështu, më 28 nëntor shqiptarët kujtojnë ngjarjen e 1912-tës në Vlorë, ku u ngrit Flamuri Kombëtar i Kastriotëve, simbol i lirisë, i pavarësisë, i ëndrrave për një ardhmëri më të mirë të kombit shqiptar në gjirin e kombeve të përparuara të botës.

Redaksia e programit shqip të Radio Vatikanit e konsideron detyrë e nder t’u bëjë homazh, me rastin e festës, të gjithë patriotëve shqiptarë, që me Ismail Qemalin në krye ngritën Flamurin Shqiptar në Vlorë e nga zemra u uron të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen “gëzuar festën e pavarësisë”.

28/11/2017 12:21