2017-11-27 13:24:00

Papa Françesku takohet nesër me autoritetet e Mianmarit


Nesër, në ditën e tij të parë të plotë në Mianmar, Papa Françesku do të shkojë në kryeqytetin e ri të vendit Nay Pyi Taw (No Pi To), për ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes në Pallatin presidencial e për takimin me lideren popullore birmane, Aung San Suu Kyi. Pritet me interes, fjalimi i tij i parë për autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin Diplomatik.

Papa shkon në Nay Pyi Taw

 Katër orë nga Yangon-i, nëse udhëtohet me makinë – por Papa do të shkojë me avion për një orë - Nay Pyi Taw është ndërtuar nga qeveria e mëparshme ushtarake, para dhjetë vjetësh. Emri i qytetit do të thotë “seli e mbretërve” dhe u projektua për të treguar se Mianmari do të bëhej një ditë një nga fuqitë kryesore ekonomike të Azisë, siç dëshironin qeveritarët e atëhershëm.

Gati për një natë, në vitin 2005, zyrat administrative, me gjithçka brenda, u paketuan dhe u transferuan nga Yangon-i për në kryeqytetin e ri, i cili u përurua me një paradë madhështore ushtarake, një vit më pas.

Pjesa e qytetit, që do të shohë Papa, është një seri me rrugë të gjera, boshe, në anë të të cilave ngrihen pallate e hotele luksoze, e shtrihen parqe të shndritshme si një lloj Disneyland pas perëndimit të diellit.

Ati i Shenjtë do të takohet me Aung San Suu Kyi

Edhe ministrja e jashtme dhe këshilltarja e shtetit, Aung San Suu Kyi, të cilën Ati i Shenjtë do ta takojë pas vizitës së kortezisë tek presidenti i Republikës, është bijë e një gjenerali, aso kohe, sekretar i Partisë Komuniste Birmane, vrarë në vitin 1947 nga opozitorët politikë. E diplomuar në Ekonomi, Shkenca Politike dhe Filozofi, në Oksford të Britanisë së Madhe, Aung San Suu Kyi punoi fillimisht në OKB. Kur u kthye në vend, themeloi Lidhjen Kombëtare për Demokracinë, e cila frymëzohet nga parimi i Mahatma Gandhi-t për mospërdorimin e dhunës. Për këtë arsye, u dënua disa herë me arrest shtëpiak. Në vitin 1991 i jepet Çmimi Nobel për Paqen, të cilin mundi ta tërheqë vetëm në vitin 2012, pas lirimit. Në vitin 2015, partia e saj fitoi zgjedhjet e para të lira në Mianmar.

Në mbrëmje, Papa kthehet sërish në Yangon

         Aung San Suu Kyi do ta përshëndesë Papën Françesku edhe në takimin e shumëpritur me autoritetet, shoqërinë civile dhe me Trupin Diplomatik të akredituar në vend. Në përfundim të tij, Ati i Shenjtë do të kthehet në Yangon, i cili nuk është më kryeqytet që nga nëntori i vitit 2005, por mbetet qendra fetare e vendit, pikë shtegtimi për mijëra budistë, të cilët gjejnë këtu monumentin më të shenjtë për birmanët, Pagodën Shwedagon.

         Sipas legjendës, Pagoda është ndërtuar 2500 vjet më parë, është krejtësisht e mbuluar me ar, 99 metra e lartë, e dukshme nga të gjitha anët e qytetit. Në të ruhen reliket e Budës. Gjithashtu, Yangon-i është qytet shumëkulturor, i mirënjohur për ndërtesat e tij koloniale, për arkitekturën fin-de-siècle, për bulevardet me pemë e për parqet e mrekullueshme. Mbetet qendër e rëndësishme tregtare dhe industriale.








All the contents on this site are copyrighted ©.