Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Françesku në Engjëllin e Tënzot: dashuria është kriteri, me të cilin do të gjykohemi

Papa në Engjëllin e Tënzot - AFP

26/11/2017 14:55

Domethënia e pushtetit mbretëror të Krishtit, në qendër të vëmendjes gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të Papës, në të dielën e fundit të vitit liturgjik, e Solemnitetin e Zotit tonë Jezu Krishtit, Mbret i Gjithësisë.

“Pushtet mbretëror i prijësit, i shërbyesit e, në fund të fundit të kohëve, edhe i gjykatësit - shpjegoi Françesku, gjatë komentit të faqes së sotme ungjillore (Mt 25,31), në të cilën Jezusi, pasi e jetoi jetën tokësore në përvuajtëri e varfëri, na paraqitet sot në lumninë hyjnore, që i përket”.

Pasi thërret para tij mbarë njerëzimin - vijoi Papa - “Ai ushtron autoritetin, duke i ndarë njerëzit njëri nga tjetri e duke treguar kështu, kriterin përfundimtar të gjykimit të Tij". E kriteri është dashuria konkrete për të afërmin në vështirësi: “Gjithçka që ia bëtë vetëm njërit nga këto vëllezër të të mi, ma bëtë mua!”.

Duke shtjelluar komentin e faqes ungjillore, Papa kujtoi se kjo fjalë vijon të na prekë gjithnjë, sepse na tregon deri në ç’pikë  arrin dashuria e Zotit.

Mbreti ynë na do deri në atë pikë, sa të bëhet njëri nga ne, e jo kur jemi mirë, por kur na mbulojnë skamja e dhimbja.

Këtë mënyrë zgjodhi Mbreti ynë për t’u takuar me ne, fshehurazi, duke na shtrirë dorën si lypës. E pikërisht kështu zbulohet forca e dashurisë, pushteti mbretëror i Zotit.

Mbreti ynë është solidar me kë vuan, për të ngjallur kudo frymën e sjelljeve e të veprave të mëshirës.

Por shëmbëlltyra e gjyqit të mbramë vijon.

Na e paraqet Mbretin tonë duke i larguar ata që, sa ishin gjallë, nuk i ndihmuan kurrë vëllezërit nevojtarë. E Françesku nënvizoi: “Edhe në këtë rrethanë ata mbeten të çuditur e pyesin: ‘Zot, e kur të pamë të uritur o të etur o të huaj o të zhveshur o të sëmurë o në burg, e nuk të shërbyem?’". Duke nënkuptuar me këto fjalë: “Po të të kishim parë, natyrisht që do të ta kishim zgjatur dorën”.

Po Mbreti ynë do t’u përgjigjet: “Gjithçka që nuk ia bëtë një të vetmit nga më të vegjlit e mi, nuk ma bëtë mua!”. Dashuria, pra, është kriteri me të cilin do të gjykohemi, e edhe angazhimi ynë konkret për ta dashur e për t’i shërbyer Jezusit në vëllezërit tanë më të vegjël, më të këputur, më nevojtarë:

“Jezusi do të vijë, në fund të kohëve, për të gjykuar të gjitha kombet, por - kujtoi e vërejti Papa - Ai vjen pranë nesh çdo ditë, në një mori mënyrash e na kërkon ta mirëpresim”.

T’i lutemi Marisë - përfundoi Françesku - të na ndihmojë ta takojmë e ta marrim Krishtin “në Fjalën e Tij, në Eukaristi e, njëkohësisht, në vëllezërit e motrat, që vuajnë nga uria, sëmundja, shtypja, padrejtësitë!”.

26/11/2017 14:55