2017-11-26 16:20:00

Lumnohet në Argjentinë Nënë Katalina, “kordovezja” rebele.


Lumnohet në Argjentinë Nënë Katalina, “kordovezja” rebele.“Bijat e mia, ju porosis të jetoni në paqe, me bindje e dashuri shenjte”. Këto, fjalët e fundit të Nënë Katalinës, drejtuar simotrave të Kongregatës së Shërbëtoreve të Zemrës së Krishtit - themeluese e të cilave ishte, pak para se të jepte shpirt, Natën e Pashkëve 1896. Shumë kishte bërë me to e për to, duke i mësuar, me fjalë e me vepra, se ishte pikërisht dashuria, ajo që e frymëzonte karizmën e institutit, themeluar për shëlbimin shpirtëror e shoqëror të vajzave e të grave, posaçërisht, më të varfërave. U bë, kështu, shembull i shkëlqyer për të gjithë me njerëzinë e saj, me mirësinë që tregonte ndaj simotrave e personelit të shërbimit, me vetëmohimin për të sëmurët e nevojtarët, me dashurinë e pacak për njeriun, në emër të Krishtit. E kjo dashuri ishte aq e zjarrtë, sa të falte edhe fyerjet më të pafalshme, duke iu përgjigjur gjithnjë së keqes me të mirë. Kjo ishte udha e saj drejt shenjtërisë - siç nënvizoi kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, përfaqësues i Papës në Kordovë të Argjentinës, në Lumnimin e Nënë Katalinës:

“Nuk mund të ketë përsosuri, pa dashurinë e krishterë, që është mbretëresha e të gjitha virtyteve. Bamirësia e Nënë Katalinës shprehej në dashurinë për të afërmin e në praktikimin e veprave të mëshirës korpore e shpirtërore”.

Gjithçka kishte nisur më 29 shtator 1872, pasi kishte kaluar vite e vite poshtërimi, përpjekjesh, lufte, për të realizuar “ëndrrën e  saj të artë” - themelimin, në Argjentinë, të Kongregatës së parë të jetës apostolike femërore. Ëndërr, që vinte nga larg, nga koha kur, 17 vjeçe, pati marrë pjesë për herë të parë në ushtrimet shpirtërore të Jezuitëve. Qe ky takim me Jezusin, që i dha shtytje pjekurisë së thirrjes. Por asokohe në vendin e saj të lindjes, për gratë kishte vetëm institute të jetës kundruese, si Karmelitanet e zbathura ose Murgat e Shën Katalinës, ndërsa ajo dëshironte t’ia kushtonet jetën apostullimit aktiv. Iu desh të priste, shumë vjet. Na e kujton akoma kardinali Amato:

“Kohët e fundit Papa Françesku ka thënë se në Kishë çdo thirrje - martesa, jeta e kushtuar, meshtaria - nis nga takimi me Jezusin, që na fal gëzim e shpresë të re. Është Jezusi, që e ndeshim në rrugë e na pyet: çka kërkon? E pret shqyrtimin tonë, për t’i dhënë përgjigjen e drejtë e për të shijuar edhe ne një shpresë të re” .

Nga bijë e një familjeje të aristokracisë së Kordovës, shumë aktive në politikë, Josefina Saturnina Rodrígues - ky emri i saj shekullar - u martua me një ushtarak të vejë, humbi një vajzë gjatë lindjes, por u bë nënë e mirë për dy fëmijët e burrit, derisa ai vdiq. Atëherë ajo rifitoi lirinë për të realizuar ëndrrën e rinisë. 42 vjeçe nisi një jetë krejt të re, e, prej këndej, nisi të quhej “rebele”, sepse edhe si laike, edhe si rregulltare, zgjodhi gjithnjë rrugë të pazakonshme e, sipas gjykimit të botës, të papërshtatshme për gratë. E ky është mesazhi origjinal i motrës Katalina, që përshkon hapësirë e kohë, siç na e kujton kardinali Amato:

“Nënë Katalina diti t’i shfrytëzojë sa më mirë që mundi talentet e shumta njerëzore e shpirtërore, që ia kishte falë Zoti. E këtë e bëri duke mbetur gjithnjë modeste, kokulur. Për të, murgesha fodulle ishte shëmtim. E Shenjtëria, trashëgimi, që dëshironte të linte pas”.








All the contents on this site are copyrighted ©.