2017-11-26 09:00:00

Aromë Krishtlindjesh, në Vatikan e nëpër botë


Në të gjithë botën e krishterë e jo, tashmë përhapet ngadalë, si e rënë nga qielli, aroma e Krishtlindjes.

Në vitrinat e dyqaneve zbresin yje vezullues – e flokë të bardhë dëbore. Riduken stolitë e bredhave e banorët e Betlehemit – që do të çojnë ndër strehë e ndër zemra - Lajmin e Madh, të Mirë: “Në botë lindi Shëlbuesi”. E do të jehojë në skaje e skuta, kënga e Engjëjve: “Lumni i qoftë Zotit në qiell e paqe mbi tokë njerëve vullnetmirë!”.

Në Sheshin e  Shën Pjetrit  

Sipas traditës, Bredhi i Krishtlindjes, 28 metra i gjatë,  tashmë lartohet në qendër të Sheshit madhështor të Shën Pjetrit, në Vatikan, pranë Obeliskut. Do të ndriçohet pasditen e 7 dhjetorit, në orën 16.30 e do të vijojë të vezullojë deri të dielën, 7 janar 2018, kur do të kremtohet Pagëzimi i Zotit, solemnitet që, në Liturgji, mbyll Kohën e Krishtlindjes. Përurimi do të shoqërohet, si zakonisht, me një koncert që, ashtu si Bredhi vetë, vjen nga Polonia. Do të zbukurohet me sfera e yje prej argjili, realizuar nga fëmijët, pjesëmarrës në një program qeramiko-terapie në laboratorët e përhershëm spitalorë.

Shpella e Betlehemit, shoqja e pandarë e Bredhit

Është Abacia territoriale e Montevergine, që e ofron sivjet Shpellën e Betlehemit, për Sheshin e Shën Pjetrit. Vepër arti, e realizuar në stilin  e shtatëqindës, sipas traditës më të lashtë napolitane, po realizohet mbi një sipërfaqe rreth 80 metra2, me lartësi rreth 7 metra. Frymëzohet nga veprat e mëshirës e popullohet nga 20 figura, me gjatësi rreth dy metra, gatuar me terrakotë polikrome, me sy kristali e vesh-mbathje pëlhure. Prej këtu do të përhapet në mbarë botën “Aroma e paqes së Krishtlindjes. 

U hap Ekspozita ndërkombëtare e 100 Shpellave të Betlehemit

Të enjten e kaluar, në Sallën e Bramantes të Bazilikës së Shën Marisë së Popullit në Romë, u përurua e 42-ta Ekspozitë ndërkombëtare, titulluar “100 Shpella Betlehemi”. I pranishëm, imzot Gianrico Ruzza, sekretar i përgjithshëm i Vikariatit të Romës dhe ipeshkëv ndihmës i Qendrës historike. Gjatë ceremonisë, disa aktorë të vegjël të shkollës së teatrit Torrino të Romës, realizuan, në bashkëpunim me ambasadën e Guatemalës pranë Selisë së Shenjtë, ritin festiv, titulluar “Posada”, karakteristik për vendet e Amerikës Qendrore.

Ekspozita paraqet 150 Shpella të reja Betlehemi, ardhur nga të gjitha krahinat italiane si dhe nga 40 vende të botës. Në kuadrin e Ekspozitës – që do të jetë e hapur  çdo ditë, edhe në ditët festive, nga ora 10.00, deri në orën 20.00, për t’u mbyllur më 7 janar 2018 - do të organizohen edhe laboratore për fëmijët nga 5 deri në 11 vjeç, me temë: “Shpella e Betlehemit si lojë”, realizuar në bashkëpunim  me Akademinë e Arteve të Bukura të Romës.

Ta jetojmë së bashku Festën e Madhe

Në kohët e reja të komunikimit masiv, mund të nisemi me “këmbë virtuale” e të shkojmë lehtësisht në Betlehem, a në Vatikan, për ta thithur drejtpërdrejt aromën e Krishtlindjes. Mund ta jetojmë festën së bashku, me gjithë njerëzimin. Sepse mjetet e komunikimit, njëherësh me lajmet dramatike, me të cilat për fat të keq jemi mësuar pak si tepër, na sjellin edhe vezullimet e festës e, sidomos, aromën shpirtërore të saj. Duke përhapur, me flatra engjëjsh mbi gjithë rruzullin, Himnin e paqes e të dashurisë hyjnore e njerëzore.

Paqe mbi tokë!

Paqe – këndojnë barinjtë e Betlehemit - që tashmë janë nisur drejt Shpellës nën dritën e Kometës; paqe, njerëzit vullnetmirë që, pas kremtimit të Solemnitetit të Krishtit Mbret, nisin, me lutje e agjërim, kohën e pritjes së madhe, Kohën e Ardhjes, në përfundim të së cilës  “… do të na lindë një foshnjë, do të fitojmë një djalë. Në krahun e tij do të vihet shenja e mbretërisë. Do të  quhet: “Këshilltar i mrekullueshëm, Hyj i fortë,  Atë i amshueshëm, Princ i Paqes. E madhe do të jetë mbretëria e tij, dhe paqja s’do të ketë mbarim” (Is 9, 5-6).








All the contents on this site are copyrighted ©.