2017-11-24 14:29:00

Papa: presim që katolikët e asirët “të kremtojnë në të njëjtin altar”


“Së bashku me ju falënderoj Zotin për nënshkrimin e sotëm të Deklaratës,  e cila sanksionon përfundimin e gëzueshëm të fazës, që ka të bëjë me jetën sakramentore”. Këto, fjalët e Papës Françesku drejtuar Anëtarëve të Komisionit të Përbashkët për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Asire të Lindjes.

Pas Deklaratës kristologjike historike të ’94-ës, në kuadrin e udhës ekumenike, vërehet një afrim i ri ndërmjet dy Kishave.

“Sot - vë në dukje Papa, në mesazhin e tij - mund të shikojmë me më shumë besim drejt së nesërmes e t’i lutemi Zotit që vijimi i punimeve tuaja të kontribuojë për ta afruar ditën e bekuar e të shumëpritur, kur do të kemi gëzimin ta kremtojmë në të njëjtin altar bashkimin e plotë në Kishën e Krishtit”.

Aspekti i Deklaratës së përbashkët, i vënë posaçërisht në dukje nga Papa, është shenja e kryqit, “simbol shprehës i unitetit ndërmjet të gjitha kremtimeve sakramentore”.

“Kur shikojmë kryqin ose bëjmë shenjën e kryqit”- nënvizon Françesku - ftohemi edhe të kujtojmë flijimet e vuajtura në bashkim me mundimet e Jezusit e detyrën që kemi për të qenë pranë atyre, që e mbartin sot kryqin e rëndë përmbi shpatulla”.

Duke pasur parasysh Kishën Asire të Lindjes që “së bashku me Kisha të tjera e me vëllezër e motra të rajonit, i nënshtrohet persekutimeve e është dëshmitare e dhunës brutale, kryer në emër të ekstremizmave fondamentaliste dhe “shkretëtirave kulturore e shpirtërore”, shkaktuar nga konfliktet, Françesku kujtoi edhe “tërmetin e rëndë” në kufirin ndërmjet Irakut, “tokë e lindjes së kësaj Kishe, dhe Iranit, ku gjithashtu gjinden prej shumë kohe bashkësitë e saj, ashtu si në Siri, në Liban e në Indi”.

E pikërisht në realitetet e tronditura nga fatkeqësitë natyrore e nga luftërat “duke bërë shenjën e kryqit, kujtojmë plagët e Krishtit, ato plagë që ngjallja nuk i zhduku, por i mbushi me dritë. Ashtu si kujtojmë edhe plagët e të krishterëve, edhe ato të hapura që, kur përshkohen nga prania e gjallë e Jezusit dhe nga dashuria e Tij, bëhen të ndritshme, shenja të dritës së Pashkëve, në një botë të mbështjellë nga errësira e dendur”.

Prej këndej, ftesa e Papës për të ecur, duke besuar në ndihmën e atyre “që dhanë jetën duke ndjekur të Kryqëzuarin”, flamurtarë e pajtorë të bashkimit tonë të dukshëm mbi tokë. Me ndërmjtësimin e tyre - vijon - i lutem Zotit që të krishterët e trojeve tuaja të mund të vijojnë, me punë durimtare, “rindërtimin e rrënojave, në paqe e plot respekt për të gjithë”.

Pikërisht duke kujtuar se “ në traditën siriake Krishti në kryq paraqitet si “Mjek i mirë e Ilaç i jetës”, Papa përfundon duke kërkuar “të shërohen plotësisht plagët tona të së kaluarës e edhe plagët e shumta në botën e sotme, të hapura nga fatkeqësitë e dhunës e të luftërave”.








All the contents on this site are copyrighted ©.