2017-11-24 12:32:00

Papa: ndryshimi bën mirë, nëse i qëndrojmë besnikë Zotit e njeriut


Me videomesazhin e Papës Françesku u hap edicioni i shtatë i Festivalit të Doktrinës Shoqërore të Kishës në Verona të Italisë, këtë vit, mbi temën “Besnikëri e ndryshim”. Për katër ditë me radhë do të ketë debate e konfrontime mbi botën e punës, të drejtësisë, të ekonomisë e të kulturës.

Të jeni të aftë për të ndryshuar

         “Besnikëria – shpjegon Ati i Shenjtë në videomesazh – mbart edhe aftësinë për të ndryshuar”. Fjala e Zotit na ndihmon të dallojmë dy fytyrat e ndryshimit: e para është “besimi, shpresa, hapja ndaj risive”; e dyta, “vështirësia për t’i lënë siguritë e për të shkuar drejt së panjohurës”. Natyrisht, pranon Papa, kur rrimë gjithnjë në të njëjtin vend, kur përsërisim të njëjtat fjalë e gjeste, jemi më të qetë e më të sigurtë. E njeriu është krejtësisht i pasigurtë për rezultatin, kur projekton e fillon procese të reja.

Të ndryshojmë, duke i mbetur besnikë Zotit e njeriut

         Papa na nxit të pyesim ç’ndodh nëse i qëndrojmë besnikë Zotit e njeriut. “Kur i përgjigjemi Zotit – pohon Papa Françesku – aktivizohet gjithnjë një proces: ndodh diçka e paparë, që na çon aty ku as e kishim përfytyruar më parë”. “Besnikëri ndaj njeriut – shton Ati i Shenjtë – do të thotë të dalim nga vetvetja për të takuar njeriun konkret”, “t’i hapim sytë dhe zemrat për të varfërit, për të sëmurët, për të papunët, për refugjatët në ikje nga dhuna e nga lufta”. E Ati i Shenjtë nuk harron as “të munduarit nga indiferenca e nga një ekonomi, që të hedh poshtë e të vret”. “Besnikëri ndaj njeriut – ngul këmbë Françesku – do të thotë të fitojmë kundër forcës centripete të interesave tona, të interesave egoiste e, t’i hapim vend pasionit për tjetrin”.

Të ndryshojmë do të thotë t’i lëmë hapësirë krijimtarisë

         Kjo besnikëri ndaj Zotit e ndaj njeriut, vijoi Papa, sjell ndryshime në secilin prej nesh e në realitetin përreth. Krijohen kështu “hapësira e punë për të rinjtë e për të ardhmen e tyre”. “Ndryshimi – nënvizoi Ati i Shenjtë – është i shëndetshëm jo vetëm kur gjërat shkojnë keq, por edhe kur gjithçka funksionon mirë e tundohemi të flemë mbi rezultatet e arritura”. “Shtimi i shërbimit tonë, pjesëmarrja e të tjerëve në projektet tona, zgjerimi i hapësirave të krijimtarisë – pohon Papa – do të thotë ta pranojmë sfidën e ndryshimit pikërisht për t’i qëndruar besnikë Zotit dhe njeriut”.

Temat e festivalit

         Sfidat për të rinjtë, roli i afaristëve dhe edukimi i brezave të rinj, janë disa nga temat kryesore të Festivalit të Doktrinës Shoqërore në Verona. Në hapje, u foli të pranishmëve kryeipeshkvi i Manilës, kardinali Luis Antonio Tagle, i cili reflektoi mbi temën “Para ndryshimit: një perspektivë nga Azia”. Festivali do të përfundojë me meshën e kremtuar të dielën nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.








All the contents on this site are copyrighted ©.