Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa, në Mesazhin për Ditën e Paqes 2018: emigrantët nuk janë kërcënim, por rast për paqe

Emigrantë në Detin Mesdhe - ANSA

24/11/2017 14:37

“Ju ftoj ta shihni emigracionin me besim, si rast e mundësi për të ndërtuar një të ardhme në paqe”: kështu shkruan Papa Françesku në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes, që do të kremtohet më 1 janar 2018. Mesazhi u paraqit sot në Vatikan.

         Duke e shtjelluar mendimin e tij në mesazhin me temë “Emigrantët dhe refugjatët: burra e gra në kërkim të paqes”, Ati i Shenjtë i fton të gjithë t’i shohin emigrantët dhe refugjatët me atë sy, i cili është në gjendje të zbulojë në ta ngarkesën e guximit, të aftësive, të energjive e të aspiratave, që marrin me vete bashkë me thesarin e kulturës së vendeve të tyre. Pra, nuk vinë duarbosh. Kësaj energjie i duhet dhënë rrugë, nënvizon Papa, i cili kërkon një strategji, që të bazohet mbi katër shtylla: mikpritjen, mbrojtjen, promovimin dhe integrimin.

         Gjatë konferencës së shtypit në Vatikan, për paraqitjen e mesazhit, zv.Sekretari i Seksionit për Migrantët dhe Refugjatët në Dikasterin për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, atë Michael Czerny, shpjegoi qartë se Papa kërkon dhembshuri për emigrantët e refugjatët, por edhe kujdes.

         “Jeta familjare – tha ai – është një shembull i shkëlqyer për këtë. Çdo anëtar i familjes ka nevoja reale. Prindërit duhet të dinë t’i dallojnë nga tekat. Prindërit ‘e kujdesshëm’ u përgjigjen nevojave, duke caktuar fonde mbi atë bazë. Nëse fondet janë të pamjaftueshme, ndryshojnë objektivat – nuk i bllokojnë e as nuk i përjashtojnë ata anëtarë të familjes, që kanë më tepër nevoja”.

         Edhe përgjegjësit publikë e politikanët, siç kërkon Papa në mesazh, “duhet të marrin masa praktike për t’i pritur, për t’i mbrojtur, për t’i promovuar e për t’i integruar emigrantët: e kanë për detyrë, në kufijtë që u lejon e mira e përbashkët, e kuptuar si duhet… Prandaj, duhet të kenë parasysh nevojat e të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore dhe mirëqënien e secilit. Njëkohësisht, ‘të sapombërriturit nuk duhet të harrojnë se e kanë për detyrë të respektojnë ligjet, kulturën dhe traditat e vendeve ku priten’”, citoi atë Czerny Atin e Shenjtë.

         Por si mund të zbatohet ky plan i Papës për emigrantët dhe refugjatët? Atë Czerny njoftoi se Seksioni, që ai drejton në Vatikan, ka përgatitur 20 pika veprimi, si mjet baritor për Kishën e si kontribut për hartimin e Global Compact për Emigrantët dhe Refugjatët brenda vitit 2018. “Vendet e gjithë botës – nënvizoi imzot Czerny – duhet t’i ndajnë në mënyrë të barabartë përgjegjësitë dhe fondet, për të mirën e më të brishtëve ndër emigrantët”. Gjithashtu, në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes, Papa u kërkon vendeve më të pasura të jenë më bujare jo vetëm ndaj vendeve nga ku nisen emigrantët, por edhe ndaj vendeve ku ata mbërrijnë, sepse pikërisht atyre u duhet të përballojnë shpenzime dhe përpjekje të mëdha për mikpritjen.

        “Në mbështetje të procesit të rëndësishëm të reflektimit dhe të shqyrtimit, në vijim e sipër, – sqaroi imzot Czerny – Mesazhi i Papës na fton t’i konsiderojmë emigrantët dhe refugjatët si burra e gra që kërkojnë, mbartin dhe ndërtojnë paqen. Misteri është pikërisht ky: emigrantët ndihmojnë për të ndërtuar në vendet ku mbërrijnë atë, që ua kanë mohuar në vendet e origjinës. Këtë mister e përjetojnë ato bashkësi, të krishtera e jo, që ofrojnë mikrpitje dhe punojnë për integrimin. Me fjalë profetike – përfundoi imzot Michael Czerny – Papa Françesku na kujton në Mesazh se e kemi aftësinë për të shndërruar ‘në kantiere paqeje, qytetet tona, shpesh të ndara e të polarizuara nga konflikte, të cilat kanë të bëjnë pikërisht me praninë e emigrantëve dhe të refugjatëve’”.

         Gjatë konferencës së sotme të shtypit, ndërhynë edhe prefekti i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, kardinali Peter Turkson; Sekretari i këtij Dikasteri, don Bruno Marie Duffé, imzot Silvano Maria Tomasi, zëdhënësi i UNICEF-it në Romë e disa emigrantë dhe refugjatë.

24/11/2017 14:37