2017-11-23 17:53:00

Papa në Shën Pjetër: lutje për paqen në Sudanin Jugor e në Kongo


Sot pasdite, në orën 17.30, në Altarin e Katedrës, të Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa Françesku kryesoi Kremtimin e Lutjes për Paqe në Sudanin Jugor dhe në Republikën Demokratike të Kongos.

Sonte - kujtoi në fillim të kremtimit Papa - me lutjen tonë, dëshirojmë të hedhim farët e paqes në trojet e Sudanit të Jugut e të Republikës Demokratike të Kongos, si dhe në të gjitha trojet e plagosura nga lufta. Në Sudanin Jugor pata vendosur të bëja një vizitë, por nuk qe e  mundur. Gjithsesi  - vijoi të kujtojë - ne e dimë se lutja vepron me forcën e Zotit e për të nuk ka asgjë të pamundur. E, në vijim, i falënderoi nga zemra ata që  e projektuan këtë lutje mbrëmësore dhe që u angazhuan për ta realizuar.

“Krishti i Ngjallur na fton. Aleluja!”. Këto fjalë të këngës në gjuhën swahili shoqëruan procesionin e hyrjes, me disa figure të të dy vendeve për të cilët kremtohej posaçërisht mbëmësorja. Në të, të krishterët - siç pohoi Papa - morën pjesë me besimin e bindjen se paqja është e mundur, sepse Krishti u ngjall: Ai na jep Shpirtin Shenjt, që e kërkojmë.

Siç na  e kujtoi pak më parë Shën Pali – vijoi Ati i Shenjtë – Jezu Krishti “është paqja jonë” (Ef 2,14) - Mbi kryq, Ai mori mbi vete gjithë të keqen  e botës, edhe mëkatet që i lindin e i ndezin luftërat: kryelartësinë, koprracinë, etjen për pushtet, gënjeshtrën… Të gjitha këto Krishti i mundi me ngjalljen e Tij. E, kur u duk mes miqve të vet, i përshëndeti me fjalët: “Paqja qoftë me ju!” (Gjn 20,19.21.26). E na e përsërit edhe ne sonte, këtu: “Paqja qoftë me ju!”.

I prekur thellë, Papa i drejtoi Zotit këtë  uratë:

“Pa ty, o Zot, e kotë do të ishte lutja jonë; e rreme,  shpresa jonë për paqe! Po ti je i gjallë e vepron për ne, me ne. Ti, Paqja jonë!

O Zot i ngjallur, shembi muret e armiqësisë, që ndajnë sot vëllezërit, posaçërisht në Sudanin Jugor e në Republikën Demokratike të Kongos!

Ndihmoi gratë, viktima të dhunës në zonat e luftës e në të katër anët e botës.

Shpëtoi fëmijët, që vuajnë për shkak të konflikteve, krejt të huaja për ta, por që u rrëmbejnë fëmijërinë e, nganjëherë, edhe vetë jetën. Sa hipokrizi ka në fshehjen a mohimin e masakrave mbi gratë e mbi fëmijët!  Këtu lufta tregon fytyrën e vet më të tmerrshme!

Zoti - vijoi lutja e Papës - i ndihmoftë gjithë të vegjlit e të varfrit e botës  të vijojnë të besojnë e të shpresojnë se Mbretëria e Hyjit është pranë, mes nesh e se ‘në Shpitin Shenjt është drejtësia, paqja e gëzimi (Rom 14, 17).I ndihmoftë të gjithë ata që, ditë për ditë, përpiqen ta luftojnë të keqen me të mirë, me gjeste e fjalë vëllazërie, respekti, takimi, solidariteti’.

Zoti forcoftë në qeveritarët e në të gjithë drejtuesit, një shpirt bujar, të drejtë, të vendosur e guximtar në kërkim të paqes, përmes dialogut e bisedimeve!

Zoti na dhashtë të gjithëve hirin të jemi artizanë të paqes, atje ku ndodhemi, në familje, në shkollë, në punë, në bashkësi, në çdo ambient; ‘duke ia larë këmbët njëri-tjetrit, sipas shembullit të Mësuesit e Zotit tonë. Atij i qoftë lumni e lavd, sot e në shekuj të shekujve’. Amen!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.