2017-11-22 12:16:00

Papa: buka, simbol i bashkimit të njerëzimit. Nuk hidhet kurrë


Emisioni i pestë i ciklit “Ati ynë” në televizionin kishtar italian Tv2000. Edhe kësaj radhe i paraprirë nga komenti i Papës mbi pjesën “bukën tonë të përditshme na e jep neve sot”. “Kur ishim fëmijë, në shtëpi – tregon sot në orën 21.05, Ati i Shenjtë – na mësonin se kur buka binte përtokë, duhej ta ngrinim shpejt e ta puthnim. Buka nuk hidhej kurrë. Buka është simbol i bashkimit të njerëzimit”. Në bisedën me kapelanin e burgut të Padovës, don Marco Pozza, Papa nënvizon se “Eukarestia nuk është çmim për njerëzit e mirë, është ilaç për mëkatarët”.

Programi, lindur në bashkëpunim me Sekretarinë e Vatikanit për Komunikimin, përbëhet nga 9 emisione e transmetohet çdo të mërkurë. Gjatë tij, don Marco u kërkon reflektime për lutjen më të njohur të krishterimit, “Ati ynë”, edhe protagonistëve të botës së kulturës e të spektaklit. Në emisionin e sotëm, themeluesi i “Slow Food”, Carlo Petrini.

“Mbretëria e Zotit – jep Papa ide për reflektim – është festë, jemi në tryezë. Forca e pranisë së Hyjit sot në botë, edhe pikërisht në tryezë, në Eukarestinë me Jezusin. Prandaj, i kërkojmë të na japë për të ngrënë të gjithëve. Të na japë për të ngrënë atë bukë shpirtërore, që na përforcon, në tryezën e Eukarestisë, por edhe t’u japë për të ngrënë të gjithëve, në këtë botë, ku mbretëria e urisë është kaq mizore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.