2017-11-22 07:39:00

Më 22 nëntor kalendari kujton Shën Çeçilien, martire


Më 22 nëntor kalendari kishtar kujton Shën Çeçilien, martire. Historia e martirizimit të saj, ndonëse jo pa mangësi, është nga më të plotat në historinë e martirëve.

Çeçilja, e nderuar si martire e si pajtore e muzikantëve, është një nga shtatë vashat, që kujtohen nga Kanuni i Kishës Romake. Asaj iu kushtua bazilika në Trastevere të Romës, një nga më të lashtat e krishterimit, ngritur rreth vitit 313, në epokën e Kostandinit. E edhe festa e martires është ndër më të lashtat: nisi të kremtohej në bazilikën e saj, që në vitin 545.

Një rrethanë tjetër domethënëse është ajo e varrosjes së martires në katakombet e Shën Kalisitit, në Romë, fare pranë vendvarrimit që njihej me emrin “Kripta e papëve”. Ishte Papa Pasquali I ai që e mbarti trupin e Shenjtores-martire nga katakombet në bazilikën trasteverine. Shenjtja romake njihet edhe si pajtore e muzikantëve, sepse në rrëfimin mbi martirizimin e saj shkruhet, ndërmjet tjerash, se kur luante në organo, martirja këndonte vetëm për Zotin.

Në vitin 1500 sarkofagu i saj u hap e trupi i Shenjtores u gjet krejtësisht i paprishur, i mbështjellë me një petk mëndafshi qëndisur me ar. Atëherë skulptori i njohur Shtjefën Maderno skaliti në mermer shtatoren e saj të famshme, duke riprodhuar besnikërisht pozicionin e trupit të martires. Është një nga kryeveprat e skulpturës botërore të të gjitha kohëve.

Tekste të shumta letrare, pak të besueshme, rrëfejnë një sërë ngjarjesh dramatike nga jeta e Shën Çeçiles. Flasin për tortura të tmerrshme, tregojnë se deshën t’ia presin kokën, por nuk munden, ndonëse i ranë tri herë me shpatë, derisa ajo vetë u lut të merrnin fund torturat. Kulti i shenjtores u përhap menjëherë në shumë vende, për shkak se me martirizimin e saj tronditës, preku thellë zemrat e njerëzve e u bë model për të gjitha virgjërat e krishtera, shumë nga të cilat u pagëzuan e pagëzohen me emrin Çeçile, që në shqip mori edhe trajtën e shkurtuar, Çile e atë përkëdhelëse, Çiljetë. 

Ngazëllimi është ajo melodi, me të cilën zemra nxjerr nga vetja atë që nuk arrin ta shprehë me fjalë!
(Shën Agustini). Gëzuar festen e Shën Çeçiljes- pajtorja e muzikantëve!








All the contents on this site are copyrighted ©.