2017-11-22 13:16:00

Gjykata e Hagës: burgim i përjetshëm për gjeneralin serb Ratko Mlladiq


Gjykata e Hagës dënoi sot me burgim të përjetshëm ish-komandantin e ushtrisë serbo-boshnjake, gjeneralin Ratko Mlladiq. Edhe një herë, gjykatësit ndërkombëtarë pohuan se masakrimi i 8 mijë myslimanëve në Srebrenicë, shumica burra e djem të rinj, ishte genocid.

         Është fjala për verën e vitit 1995, kur, pas tre vite rrethimi të qytetit, Mlladiq dha urdhër për sulmin përfundimtar kundër 40 mijë civilëve myslimanë, gjysma e të cilëve ishin refugjatë të zonave përreth, strehuar në Srebrenicë, pikërisht sepse ishte shpallur “Zonë e mbrojtur nga OKB-ja”. Më 11 korrikun e atij viti, serbo-boshnjakët hynë në qytet. Mijëra banorët e tij kërkuan ndihmë nga helmetkaltërtit hollandezë, të cilët, në vend që t’i mbronin, ua dorëzuan refugjatët serbëve e nuk reaguan kur këta filluan të ndanin burrat nga gratë e fëmijët.

         “E çliruam Srrebrenicën”, pati thënë atë ditë gjenerali Mlladiq, i cili e drejtonte personalisht operacionin. Mijëra burra ikën për t’u fshehur në pyjet e afërta, por serbët i kapën. 8 mijë vetë – madje, 10 mijë, siç thotë ndokush – u vranë, ndërsa gratë e fëmijët u internuan.

         Komanda hollandeze e trupave të OKB-së do të thoshte më vonë se pati kërkuar ndërhyrjen e avionëve të NATO-s. Pati një sulm në atë 11 korrik të tmerrshëm, por qe qesharak. “Shkatërruam disa tankse serbe – i pati thënë komanda Aleancës – të gjithë avionët u kthyen të paprekur, në bazë”. Pak, tepër pak, për të ndalur furinë vrasëse të trupave të Mlladiqit. Plani i një ndërhyrjeje më të fuqishme për të ndalur masakrën u bllokua nga komandati i atëhershëm i helmetkaltërtve, gjenerali Bernard Janvier, dhe nga i dërguari i veçantë i OKB-së, Yasushi Akashi.

         Në tetor 1999, sekretari i atëhershëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, e pati pranuar përgjegjësinë. “Tragjedia e Srebrenicës – pati thënë ai – do të na persekutojë jetë e mot në historinë tonë”. Në Memorialin e varrezën e Potoçarit, në dyert e Srebrenicës, sot, janë varrosur 6.575 viktima, të gjetura në varret e përbashkëta, por akoma shumë të tjerë janë të humbur nëpër pyjet dhe gropat e Bosnjës lindore. 








All the contents on this site are copyrighted ©.