2017-11-22 11:05:00

Centesimus Annus mbi etikën shoqërore të krishterë në epokën dixhitale


“Të administrohen teknologjitë e reja për të ruajtur vlerën e vërtetë të marrëdhënieve njerëzore”: ky është thelbi i mesazhit të konferencës, organizuar nga grupi gjerman i Fondacionit “Centesimus Annus-pro Pontifice”, mbajtur në Berlin më 15 e 16 nëntor. Tema: “Etika shoqërore e krishterë në epokën dixhitale”.

Epoka dixhitale dhe ndikimi i saj

Shkencëtarë me famë botërore në fusha të ndryshme shkëmbyen mendime dhe propozime, sidomos për mënyrën si duhet ta trajtojë mësimi i krishterë paradigmën teknokratike të shoqërisë së sotme. Në një intervistë për agjensinë gjermane të lajmeve, KNA, kreu i Fondacionit, Domingo Sugranyes Bickel, shpjegon se reflektimi vuri në qendër të vëmendjes së pjesëmarrësve jo vetëm mundësitë e zhvillimit, që sjell epoka dixhitale, por edhe ndikimin e saj në kulturë, antropologji e në organizimin e tërësishëm të shoqërisë. “Njerëzimi – nënvizon ai – ka rrezik të konsiderohet ‘objekt’ në dinamikën e kësaj epoke”.

Dixhitalizimi i jetës njerëzore ka nevojë për qeverisje

Përgjegjësi i Qendrës kërkimore për internetin në Universitetin e Shkencave të Niederrhein, nënvizon se dixhitalizimi i shumë aspekteve të jetës njerëzore ka nevojë për qeverisje. Në Kinë, për shembull, ka 750 milion përdorues të internetit, që përfaqësojnë tregun më të rëndësishëm të botës. Kush nuk e përballon këtë sfidë do të radhitet me të humburit në të ardhmen.

Në rrjetet shoqërore, njeriu është i gjithëpranishëm, por i vetmuar

Nga ana tjetër, siç theksoi kryeipeshkvi i Berlinit, imzot Heiner Koch, etika shoqërore e krishterë duhet të mbrojë dinjitetin e njeriut, për të shmangur rrezikun që lidhjet me rrjetet shoqërore në internet të zëvendësojnë marrëdhëniet e vërteta dhe dialogun ndërmjet njerëzve. Rrjetet shoqërore i kanë dhënë mundësi secilit të lidhet me mbarë botën, por njëkohësisht, çdo përdorues i tyre ndodhet vetëm përballë kompiuterit, duke u larguar nga realiteti i jetës. Njeriu është “gjithkund e askund”, është i gjithëpranishëm, por i vetmuar. Rrjetet shoqërore na lejojnë të marrim pjesë në fatin e të tjerëve, por pa ndonjë empati, duke i konsideruar edhe vuajtjet si diçka, që nuk na prek drejtpërdrejt. Etika e krishterë duhet t’u kundërvihet këtyre aspekteve të paradigmës teknokratike, nënvizuan të pranishmit në konferencë, të cilët folën gjerësisht edhe mbi përdorimin etik të Inteligjencës Artificiale, e cila po bën hapa të mëdha përpara në çdo fushë.








All the contents on this site are copyrighted ©.