2017-11-22 12:30:00

Françesku në audiencën e përgjithshme: Mesha nuk është kujtim, po rikremtim i Pashkëve


Mesha është përkujtim i Misterit të Pashkëve të Krishtit: për këtë foli Papa në audiencën e sotme të përgjithshme kushtuar domethënies së kremtimit eukaristik. Përkujtimi, nënvizoi, nuk është vetëm kujtim, është ta bësh të pranishëm atë, që ndodhi njëzet shekuj më parë. Çastin kur Krishti themeloi Eukaristinë e u tha Apostujve: “Bëjeni këtë në përkujtimin tim!”

Më poshtë, katekizmi i plotë i Papës:

Duke vijuar katekizmin kushtuar Meshës, mund të pyesim: ç’është, në thelb, Mesha? Mesha është përkujtim i Misterit të Pashkëve të Krishtit. Ajo na bën pjesëmarrës të fitores së Tij mbi mëkatin e mbi vdekjen dhe i jep kuptim të plotë jetës sonë.

Prandaj, për ta kuptuar vlerën e Meshës, duhet, mbi të gjitha, të kuptojmë domethënien biblike të fjalës “memorial” – “përkujtim”. Nuk është vetëm përkujtim i një ngjarjeje të kaluar, por që, në njëfarë mënyre, e bën atë përsëri të pranishme, aktuale. Pikërisht kështu e kupton Izraeli çlirimin e tij nga Egjipti: sa herë kremtohen Pashkët, ngjarjet e daljes përtërihen në kujtesën e besimtarëve, me qëllim që t’ua përshtasin jetën e tyre (Katekizmi i Kishës Katolike, 1363). Jezu Krishti, me mundimet, vdekjen, ngjalljen dhe ngjitjen e Tij në qiell, i përmbushi Pashkët e veta. E Mesha është përkujtim i Pashkëve të Tij, “daljes” së Tij, që e kreu për ne, për të na bërë të dalim nga skllavëria e për të na paraprirë drejt tokës së premtuar të jetës së amshuar.

Eukaristia na çon gjithnjë në majë të veprimit të shëlbimit të Zotit: Zoti Jezus, duke u bërë bukë e thyer për ne, na e dikon gjithë mëshirën e Tij e dashurinë e Tij, ashtu si bëri mbi Kryq, për ta përtërirë, kështu, zemrën tonë, jetën tonë e mënyrën si sillemi me Të e me vëllezërit. Thotë Koncili II i Vatikanit: “Sa herë që flija e kryqit, me të cilën Krishti, qengji ynë i Pashkëve, u bë theror, kremtohet mbi altar, aq herë vihet në jetë vepra e shëlbimit tonë” (Cost. dogm Lumen gentium, 3).

Çdo kremtim i Eukaristisë është një rreze e atij dielli, që s’njeh perëndim e që është Krishti i ngjallur. Të marrësh pjesë në Meshë, posaçërisht të diel, do të thotë të hysh në fitoren e të Ngjallurit, të ndriçohesh nga drita e Tij, të ngrohesh nga afshi i Tij. Përmes kremtimit të Eukaristisë, Shpirti Shenjt na bën pjesëmarrës të jetës hyjnore, që është e aftë ta shndërrojë gjithë qenien tonë të vdekshme. Në kalimin e Tij nga vdekja - në jetë, nga koha - në amshim, Zoti na tërheq edhe ne pas vetes për Pashkët tona. Në Meshë bëhemi një me Të. Madje, Krishti jeton në ne e ne, në Të, siç e pohon Shën Pali : “U kryqëzova bashkë me Krishtin; jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti. E këtë jetë që tani e jetoj në trup, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua (Gal 2,19-20).

Gjaku i Tij na çliron nga vdekja e nga frika e saj. Na çliron jo vetëm nga sundimi i vdekjes fizike, por edhe e kryesisht nga vdekja shpirtërore, nga e keqja, nga mëkati, që na rrëmben sa herë biem viktima të mëkatit tonë a të tjetërkujt. E atëherë jeta jonë përlyhet, humbet bukurinë e kuptimin, fishket.

Ndërsa Krishti është plotnia e jetës e, kur e përballoi vdekjen, e asgjësoi përgjithmonë: “Duke u ngjallur, shkatërroi vdekjen e përtëriu jetën” rrëfen Kisha, nësa kremton Eukaristinë (Lutja eukaristike IV). Pashkët e Krishtit janë fitorja përfundimtare mbi vdekjen, sepse Ai e shndërroi vdekjen në aktin më të lartë të dashurisë. E, në Eukaristi, Ai dëshiron të na përçojë dashurinë e Pashkëve të tij fitimtare. Nëse e marrim me fe, mund të duam, ashtu si na deshi. Duke dhënë jetën.

Nëse dashuria e Krishtit është në mua, mund t’i dhurohem plotësisht tjetrit, me sigurinë shpirtërore se edhe po të më plagoste, nuk do të vdisja; përndryshe do të më duhej të mbrohesha! Martirët dhanë jetën pikërisht pse ishin të sigurt për fitoren e Krishtit mbi vdekjen. Se edhe duke vdekur, nuk do të vdisnin! Vetëm nëse e provojmë këtë pushtet të Krishtit, pushtetin e dashurisë së Tij, jemi me të vërtetë të lirë për ta dhuruar vetveten pa pikë frike.

Mendoj se tani është më se e qartë sesi Pashkët bëhen të pranishme dhe vepruese, sa herë kremtojmë Meshën, domethënë, kuptimin e memorialit, të kujtesës. Pjesëmarrja në Eukaristi na bën të hyjmë në misterin e Pashkëve të Krishtit, duke na dhuruar mundësinë të kalojmë me Të, nga vdekja, në jetë!








All the contents on this site are copyrighted ©.